Ndërlidhjet

Njohjet nga Shkupi e Podgorica në shërbim të paqes


Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, si dhe udhëheqës të opozitës kanë përshëndetur vendimet e Maqedonisë dhe Malit të Zi për njohjen e Kosovës. Ata thanë se tani rajoni po ndërton një paqe e stabilitet më të qëndrueshëm.


Prishtina zyrtare përshëndet vendimet e Maqedonisë dhe Malit të Zi për njohjen e Kosovës së pavarur. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se njohja e Kosovës nga fqinjët do ta përshpejtojë integrimin e vendeve të rajonit në strukturat e NATO-s dhe Bashkimin Evropian.

Njëherësh, tha Sejdiu, raportet e mira ndërfqinjësore ndikojnë në një klimë paqësore në tërë rajonin. Sejdiu tha se sot u kishte telefonuar presidentëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi, të cilëve ai u kishte shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për hapat e tyre për ta njohur Kosovën e pavarur.

“Njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga dy vendet fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia, është një akt shumë i rëndësishëm, që do ta thellojë edhe më tepër bashkëpunimin tonë shumë të mirë me këto dy vende, si dhe do të ndikojë në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”.

“Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës besojnë fuqishëm se njohja e pavarësisë sonë nga këto dy vende fqinje do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë Sejdiu.

Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga fqinjët e saj, Mali i Zi dhe Maqedonia, do ta thellojë edhe më tepër stabilitetin dhe paqen në rajon, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Duke përshëndetur vendimet e Shkupit dhe Podgoricës, kryeministri Thaçi tha se tash është hapur një perspektivë e re e bashkëpunimit në rajon, me synime të përbashkëta për integrime në strukturat euroatlantike.

“Kosova do të ndërtojë raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Tash presim dhe do të punojmë që të kemi veprime konkrete bashkëpunimi si shtete në kuptimin bilateral dhe multilateral”, ka thënë Thaçi.

Vendimet e Shkupit dhe Podgoricës janë përshëndetur sot edhe nga Parlamenti i Kosovës. Deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se njohja nga vendet fqinje ka një domethënie shumë të madhe.

“Njohja nga ana e Maqedonisë dhe Malit të Zi është shumë me domethënie, sepse edhe shtetet, të cilat kanë mundur të kenë rezervë lidhur me stabilitetin dhe sigurinë në rajon me rastin e pranimit nga Maqedonia e Mali i Zi, i kanë hequr këto dilema, dhe ne besojmë se do të jetë një angazhim më i madh i vendeve që në të ardhmen do ta pranojnë Kosovën
”, tha Isufi.

Ndërkohë, Milan Ivanoviq, një përfaqësues politik i komunitetit serb nga pjesa veriore e Kosovës, thotë se Mali i Zi dhe Maqedonia kanë marrë vendime të rrezikshme që, sipas tij, ishin ndikuar nga perëndimi, pas miratimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me të cilën pavarësia e Kosovës dërgohet për interpretim para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Këto janë vendime të rrezikshme që mund ta destabilizojnë gjendjen në rajon dhe nuk e kanë përkrahjen e popullatës as në Maqedoni e as në Mal të Zi”, thotë Ivanoviq.

Sidoqoftë, udhëheqësit kosovarë, në anën tjetër, thanë sot se vendimet e Malit të Zi dhe Maqedonisë nuk duhet shikuar si të drejtuara kundër Serbisë apo ndonjë vendi tjetër. Sipas kryeministrit Thaçi, pozicionet e Podgoricës, Shkupit dhe të Prishtinës tregojnë përcaktimin e këtyre vendeve për integrime euroatlantike.

“Beogradi nuk e përcakton as zymtësinë, as gëzimin për Prishtinën dhe kjo definitivisht duhet të largohet nga mendja e njerëzve në Kosovë. E ardhmja e Kosovës ndërlidhet drejtpërdrejt me strukturat e BE-së, NATO-s dhe bashkëpunimin special me SHBA-të”, tha Thaçi.

Njohja e Kosovës nga vendet fqinje të dala nga ish-Federata e Jugosllavisë është cilësuar në vazhdimësi në Prishtinë si një shtytje përpara në gjithë procesin e njohjes së Kosovës së pavarur.

Për Kosovën ky ishte një lehtësim, aq më tepër kur njohjet nga fqinjët erdhën vetëm një ditë pasi që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ishte votuar pro rezolutës serbe për mendimin këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG