Ndërlidhjet

Kosova uron laureatin Ahtisaari


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, fitoi Çmimin Nobel për Paqe, ka kumtuar Komiteti Norvegjez. Këtë vendim e kanë përshëndetur edhe autoritetet kosovare, duke vlerësuar se zoti Ahtisaari ka bërë punë të madhe në zgjidhjen e konflikteve në botë, përfshirë këtu dhe Kosovën.

Autoritetet në Kosovë kanë përshëndetur vendimin e Komitetit Norvegjez për dhënien e Çmimit Nobel për Paqe ish-presidentit të Finlandës Martti Ahtisaari.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar se zoti Ahtisaari ka bërë punë të madhe në zgjidhjen e konflikteve nëpër botë, ndërsa vend të veçantë këtu ka edhe Kosova.

“Unë mund të them se është një evoluim i jashtëzakonshëm që është bërë nga Komisioni i Lartë i Mbretërisë Norvegjeze për t’i dhënë meritën një njeriu që ka bërë punë të madhe, kohë të gjatë, për paqen dhe stabilitetin në hapësirat e ndryshme të globit. Në këtë rast, mund të them se me peshë të veçantë është çështja e Kosovës, në formulat që ai ka ofruar, në rrugën që ai ka përcjellë në gjithë procesin e vështirë të negocimit", tha presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka thënë se që nga përfshirja e tij në negociatat për statusin e Kosovës, vazhdon të mbajë kontakte me Ahtisaarin, i cili ka shprehur gatishmërinë që edhe më tej ta ndihmojë Kosovën aty ku ka nevojë.

“Ne jemi në kontakt të vazhduar me presidentin Ahtisaari, në cilësinë e bashkëpunimit të thellë me të. Nuk mund të themi se është një angazhim institucional i tij. Takimin e fundit me të e kam pasur gjatë vizitës që kisha në Kombet e Bashkuara në Nju Jork - një bisedë shumë të gjatë, shumë përmbajtjesore dhe shumë miqësore e mbështetëse. Mendoj se ky njeri, që ka ofruar një projekt të rëndësishëm ndërkombëtar, do të lëvizë edhe më tej në qasjen e tij për të dhënë shpjegime edhe atje ku ka nevojë”, tha Sejdiu.

Edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka uruar ish-presidentin e Finlandës dhe emisarin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, për Çmimin Nobel për Paqe.

“Na gëzon fakti se çmimi iu dha më shumë se për çdo gjë tjetër, edhe për propozimin e suksesshëm që arriti në procesin politik për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Konsiderojmë se kjo është një fitore e shtetit të Kosovës në forcimin e njohjes ndërkombëtare të saj", thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu, edhe Qeveria e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Komitetit Norvegjez për çmimin që i është dhënë ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtissari. Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka thënë:

"Parlamenti i Kosovës e ka shpallur pavarësinë e vendit në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës të zotit Ahtisaari, që e ka mirëkuptuar realitetin në Kosovë, si dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ahtisaari është një mik i madh i paqes dhe Çmimi Nobel për Paqe i është dhënë njeriut të merituar, që ka bërë shumë anembanë globit për zgjidhjen e konflikteve dhe arritjen e paqes".

Nga ana tjetër, edhe qytetarët e Kosovës konsiderojnë se ish-negociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës e ka merituar Çmimin Nobel për Paqe.

Idriz Zhegrova thotë:

"Në bazë të angazhimit të tij, besoj që e ka merituar”.

Kurse, Bekim Gashi thotë se Marttii Ahtisaari e ka merituar çmimin për paqe edhe për punën që ka bërë në Kosovë.

"Sigurisht edhe për këtë, se ka pasur konflikte të përgjithshme në botë të pazgjidhura dhe ai ka qenë një nga iniciatorët dhe është munduar për zgjidhjen e këtyre konflikteve".

XS
SM
MD
LG