Ndërlidhjet

logo-print

BE mund t'i kërkojë Beogradit ndryshim të politikës


Ekspertët për integrime evropiane në Prishtinë e cilësojnë si hap të rëndësishëm për integrimin e Kosovës dhe të rajonit në BE njohjen e shtetësisë së vendit nga Mali i Zi dhe Maqedonia. Ata nuk përjashtojnë mundësinë që Bashkimi Evropian të kushtëzojë Serbinë me njohjen e Kosovës për të hyrë në këtë mekanizëm.

Njoha e pavarësisë së Kosovës nga vendet fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia, do të lehtësojë rrugën e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kështu thonë ekspertët për integrime evropiane në Kosovë, të cilët e quajnë zhvillim të rëndësishëm njohjen e Republikës nga Shkupi dhe Podgorica zyrtare.

Ekspertja Venera Hajrullahu vlerëson se këto njohje do t'i kontribuojnë edhe stabilitetit rajonal, që është kusht për fillimin e proceseve për anëtarësim në BE.

"Njohja nga Maqedonia dhe Mali i Zi i kontribuon jo vetëm thellimit të marrëdhënieve bilaterale, por do të ndikojë edhe në stabilitet dhe bashkëpunim rajonal - kriter ky për integrim në Bashkimin Evropian", thotë Hajrullahu.

Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit zyrtar, i cili pak kohë pas konfirmimit për njohjen e Kosovës nga Mali i Zi shpalli person ‘non grata’ ambasadoren malazeze në Serbi.

Eksperti për integrime në BE, Shenoll Muharremi, mendon se politika dhe qasja e Serbisë ndaj Kosovës do t'i paraqesë probleme të mëdha shtetit serb në synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Serbia mbetet një problem fundamental për mendimin tim, edhe pse Serbia ka aspirata dhe determinim shumë të qartë t'i ofrohet BE-së sa më shpejt. Politika e saj rajonale nuk është në vijë me politikën e Bashkimit Evropian për rajonin", thotë Muharremi.

Ndonëse qëndrimi mohues dhe kundërshtues i Serbisë karshi Kosovës është kritikuar nga Bashkimi Evropian, ky mekanizëm aktualisht monitoron vendet e rajonit veç e veç në aspektin e përmbushjes së standardeve për integrim. Hajrullahu sqaron:

"Kjo ende nuk është definuar në mënyrë të saktë. Mendoj se ende mbetet në fuqi e ashtuquajtura ‘qasje regata’ ku secili ec me shpejtësinë e vet sipas përmbushjes së kritereve për integrim të secilit vend".

Sidoqoftë, sipas Muharremit, ky fakt mund të ndryshojë shumë shpejt, duke krijuar një perspektivë të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor si bllok në Bashkim Evropian. Ai nuk përjashton mundësinë që Bashkimi Evropian të kushtëzojë Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës për të hyrë në BE.

"Ndoshta do të ketë iniciativa apo mendime brenda Komisionit Evropian dhe Drejtorisë për Zgjerim që të dizajnohet një model ku do t'u jepej të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor statusi i kandidatit dhe pastaj të vihet një afat kohor me kërkesa më specifike, se çka duhet të bëjnë këto vende për të filluar negociata dhe të anëtarësohen", thotë Muharremi.

Kosova aktualisht merr pjesë në procesin e stabilizim asociimit përmes mekanizmit përcjellës, që është një formë e posaçme e vendosur për Kosovën. Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian kanë nënshkruar ditë më parë në Prishtinë Marrëveshjen për mbështetje ekonomike të para anëtarësimit, në vlerë prej 122 milionë eurosh, marrëveshje kjo e cila, sipas ekspertëve, do ta ndihmojë Kosovën për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e një shoqërie stabile dhe paqësore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG