Ndërlidhjet

NYT, LAT, WSJ: "Ahtisaari, çekiçi që bëri Millosheviqin të pranojë kushtet e NATO-s"


"New York Times", "Los Angelos Times" dhe "Wall Street Journal"

Martti Ahtisaarin, puna si diplomat finlandez, i dërguar i Kombeve të Bashkuara, apo përfaqësues i strukturave të ndryshme ndërmjetësuese, e ka çuar nga Namibia në Kosovë, nga Indonezia në Irlandën e Veriut dhe në një mori vendesh të tjera, shkruan e përditshmja amerikane New York Times.

Vetë zoti Ahtisaari tha se kulmi i karrierës së tij është puna 13 vjeçare për të ndihmuar Namibinë të kalojë drejt pavarësisë, pas shumë vitesh konflikti të dhunshëm me Afrikën e Jugut.

Por, ai ka bërë shumë më tepër se kaq. Puna e tij në ish-Jugosllavi gjatë viteve '90-të dhe më pas në vitet 2005-'07 ndihmuan në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Si drejtues i organizatës, që e ka themeluar vetë, Crisis Management Initiative, ai organizoi takime jo publike mes irakianëve shiitë dhe sunitë në fillim të këtij viti. Puna e tij në vitin 2005 vuri themelet e marrëveshjes paqësore mes separatistëve në rajonin e Açes dhe Qeverisë indoneziane.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha se "nuk mund të gjendet dikush tjetër që e ka merituar çmimin më shumë".

Roli i zotit Ahtisaari në Kosovë, tha Albright, i tejkaloi detyrat që iu ngarkuan fillimisht si përfaqësues i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin pëfundimtar. Sipas zonjës Albright, Ahtisaari ka qenë thellësisht i përfshirë në rajon gjatë luftës në Kosovë në vitet 1996-'99.

"Ai ishte pjesë e gjithë manovrave diplomatike që bëmë gjatë luftës, në mënyrë që të gjenim gjuhën me rusët dhe të trajtonim çështjet që do t'i jepnin fund luftës", citon ish Sekretaren amerikane të Shtetit, Madaleine Albright, e përditshmja NYT.

Ajo më tej vazhdon se Ahtisaari ka qenë kyç në hapjen e rrugës drejt statusit përfundimtar të Kosovës, që çoi drejt pavarësisë.

Dhënia e çmimit Nobel për Paqe Martti Ahtisaarit, sipas Stein Toennesson, drejtor i Institutit për Kërkime për Paqen në Oslo, qartësoi dhe faktin se ky çmim është për njerëzit që bëjnë paqe dhe jo ata që bëjnë mirë. Kritikat e tij drejtohen ndaj përzgjedhjeve të viteve të kaluara për çmimin Nobel për Paqe.

Vetë Ahtisaari, pas marrjes së çmimit, tha se "bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t'i lërë konfliktet të kthehen në konflikte të ngrira".

"Çdo konflikt mund të zgjidhet", përfundon shkrimi i NYT me fjalët e Ahtisaarit.

E përditshmja tjetër amerikane, Los Angelos Times, citon ish-nënsekretarin amerikan të Shtetit, Strobe Talbott, të ketë thënë se "Martti ishte çekiçi për ta bërë Millosheviqin që të pranonte kushtet e NATO-s, gjatë luftës në Kosovë. Ai ishte i besueshëm sepse ishte finlandez, i njihte mirë rusët dhe ata e respektonin. Duke iu falenderuar atij, lufta në Kosovë përfundoi në momentin kritik, sepse pas 78 ditësh bombardime aleatët po bëheshin të paqëndrueshëm", thotë Talbot për LAT.

Wall Street Journal shkruan se idealizmi i tij u shfaq herët. I lindur në Karelia, ai dhe familja e tij u detyruan të largohen si pasojë e pushtimit nga forcat e Stalinit në luftën e dimrit 1939-'40. Kjo përvojë, ka thënë Ahtisaari, shpjegon "dëshirën time për ta çuar paqen përpara dhe të ndihmoj të tjerët që kanë kaluar nëpër të njëjtat përvoja".
XS
SM
MD
LG