Ndërlidhjet

Qeveria përgatitet për mbrojtjen e pavarësisë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës do të angazhojë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në GJND. Zyrtarë të MPJ-së thonë se janë në përfundim të platformës, përderisa opozita shprehet skeptike.


Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë deklaruar se Qeveria do të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, që do ta prezantojnë Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Vlora Çitaku, zëvendësministre e Punëve të Jashtme, nuk ka dhënë shumë detaje për platformën, e cila është duke u përgatitur, por ka shpjeguar se janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për t'u përballur me çështjen e iniciativës serbe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Për shkak të natyrës dhe ndjeshmërisë së çështjes, unë nuk mund të bëj publike gjithçka që është punuar në këtë drejtim. Ne tashmë jemi përgatitur për të dyja situatat dhe kemi qenë të përgatitur edhe më parë. E vërteta është që ne jemi në kontakt me ekspertë edhe vendorë, edhe ndërkombëtarë. Tani jemi në fazën e finalizimit të platformës sonë dhe shumë shpejt një gjë të tillë do ta bëjmë publike", tha Çitaku

Çitaku theksoi se Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme e kanë marrë shumë seriozisht këtë çështje dhe, sipas saj, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të frikësohen nga vendimet e gjykatës.

"Dua t'ju siguroj edhe juve, edhe të gjithë qytetarët se janë duke u bërë intensivisht të gjitha përgatitjet. Si Kosovë do të jemi të përgatitur. Të gjitha argumentet janë në anën tonë - si ato politike, historike, si ato ligjore. Nuk kemi nevojë për t'u frikësuar dhe besojmë që në Gjykatën e Drejtësisë do të dalim faqebardhë", tha zëvendësministrja Vlora Çitaku

Megjithatë, Arben Qirezi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shprehet skeptik sa i përket përgatitjeve të institucioneve të Kosovës për t'u përballur me këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne do të dëshironim t'u besonim. Do të dëshironim që ata të punojnë. Të gjitha sigurimet se po bëhet gjithçka që është e mundur, mendoj se nuk kanë kurrfarë baze. Ndoshta po bëhet gjithçka që është e mundur për të gjithë ata njerëz që janë në institucione, por nuk po bëhet ajo që është e mundur realisht të bëhet, po bëhet shumë më pak", thotë Qirezi.

Zoti Qirezi konsideron se institucionet e Kosovës në këtë kohë duhet të jenë të angazhuara në çështjen e lobimit.

“Natyrisht, sa i përket Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, në rast se vendoset që Kosova ta prezantojë rastin e vet, këtë duhet ta bëjë përmes ekspertëve ndërkombëtarë. Unë mendoj që në pakon e Ahtisaarit është argumentuar mjaft mirë se shtetësia e Kosovës është rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe luftës që ka ndodhur në vitet 98/99. Pra, këto do të duhej të ishin linjat argumentuese në GJND", tha Qirezi.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka pranuar kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme për të dhënë mendimin mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarë të Gjykatës kanë bërë të ditur se do të hartojnë një listë të shteteve dhe organizatave, që do të mund t'u japin gjykatësve informacione relevante. Pas kësaj do të caktohet koha e dëshmive dhe e dëgjimeve publike.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG