Ndërlidhjet

Serbët presin ‘fitoren’ e Serbisë në GJND


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Një pjesë e përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë pret ngadalësimin e procesit të njohjes së Kosovës, përderisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të mos e thotë mendimin e vet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Sipas këtyre përfaqësuesve, edhe njohjet e Kosovës nga fqinjët nuk do t’i heqin dilemat e shumë vendeve që ta njohin Kosovën para se të merret mendimi i Gjykatës së Hagës.

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës presin që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të konstatojë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte shkelje e parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare.

Milan Ivanoviq, një përfaqësues serb nga pjesa veriore, thotë se vendet që e kanë njohur Kosovën e pavarur, do të bien në një situatë të palakueshme kur Gjykata e Hagës të japë mendimin e vet se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në harmoni me Ligjin Ndërkombëtar.

Andaj, sipas tij, këto vende edhe mund ta tërheqin vendimin e tyre për njohjen e Kosovës.

“Për arsye se këtu bëhet fjalë për separatizëm, me qëllim të cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara, mendoj se Gjykata e Hagës të konstatojë shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare”, thotë Ivanoviq.

Ndërsa udhëheqësit politikë në Prishtinë thonë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vetëm do të japë një mendim këshillëdhënës në lidhje me pavarësinë dhe nuk do të marrë kurrfarë vendimi, përfaqësuesit serbë presin që interpretimi i kësaj gjykate të ndikoj jo vetëm në procesin e njohjes, por edhe të vetë pavarësisë së Kosovës.

Një përfaqësues tjetër i komunitetit serb, Dragan Veliq, beson që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të mbështesë angazhimet dhe qëllimet e Serbisë, kur është në pyetje pavarësia e Kosovës. Ai e sheh si të arritur të madhe të Beogradit kalimin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Është me rëndësi që tash nga terreni politik çështja e Kosovës kalon në rrafshin juridik në lidhje me shpalljen e njëanshme të pavarësisë, ku Serbia ka shumë më tepër argumente për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës”, thotë Veliq.

Përfaqësuesit serbë thonë se vendimet e vendeve fqinje, si Maqedonia e Mali i Zi, që ta njohin Kosovën menjëherë pasi që Asambleja e Përgjithshme kishte miratuar rezolutën me të cilën kërkohej mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës, ishin të shtyra nga vendet perëndimore.

Milan Ivanoviq thotë se Podgorica dhe Shkupi kanë qenë të detyruara nga Perëndimi që të ndërmarrin hapa të tillë, përderisa Dragan Veliq beson se shumë vende nuk do të ndikohen nga vendimet e fqinjëve dhe nuk do ta njohin Kosovën, përderisa Gjykata e Hagës të mos e thotë mendimin e vet.

Ndërkohë, ai thotë se edhe serbët e Kosovës do të fitojnë pak kohë që të konsolidohen më mirë, për, siç shprehet ai, ushtrimin e të drejtave dhe interesave të tyre në Kosovë.
XS
SM
MD
LG