Ndërlidhjet

logo-print

Hyseni: Njohja nga fqinjët - fundi i mentalitetit të dhunës në rajon


Skënder Hyseni

Skënder Hyseni

"Njohjet e Kosovës nga Mali i Zi dhe Maqedonia kanë ndodhur në një moment krucial për Kosovën dhe janë kontributi përfundimtar në vendosjen e paqes e stabilitetit në rajon", thotë ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, fillimisht, si e vlerësoni njohjen e Kosovës nga vendet fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia?

SKËNDER HYSENI
Njohja nga këto dy vende e shtetit të ri të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, ka ardhur në një moment shumë krucial do të thosha. Këto njohje kanë një peshë të veçantë, edhe për shkak të kohës kur kanë ndodhur, edhe për shkak të kontekstit, përkatësisht zhvillimeve të gjithmbarshme në rajon.

Përpos që janë një njohje eksplicite e së drejtës së popullit të Kosovës për të qenë i pavarur dhe i lirë, këto dy njohje po ashtu janë edhe kontribut përfundimtar në përpjekje për të vendosur paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin e Ballkanit pas shpërbërjes jokoncensuale, tragjike, me luftëra të ish-Jugosllavisë.

Janë një rikonfirmim i fuqishëm i qëndrimit të kahershëm të Kosovës, se pavarësia e Kosovës është faktor stabiliteti në rajon. Krejt në fund, njohjet nga këto dy vende hapin një etapë të re të marrëdhënieve në mes të vendeve të Ballkanit perëndimor. Këto dy njohje në të gjitha fushat kanë sjellë benefite; unë besoj për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të reflektohet kjo njohje tek vendet, të cilat, kushtimisht thënë, hezitojnë ta njohin Kosovën e pavarur, marrë parasysh se bëhet fjalë për vende fqinje dhe vendet e ish-Federatës Jugosllave?

SKËNDER HYSENI
Këto dy njohje ofrojnë garanci shtesë për të gjitha vendet që kanë hezituar ose deri tani kanë pasur dilema nëse Kosova – shtet i pavarur dhe sovran – është realitet që pranohet nga fqinjët e saj të parë apo jo. Këto dy njohje përfundimisht duhet të ndihmojnë në flakjen e dilemave dhe dyshimeve që ndonjë vend në largësi gjeografike nga Kosova ka.

Këto njohje po ashtu janë garanti më i fuqishëm se në Ballkanin perëndimor përfundimisht po vendoset dhe po instalohet logjika dhe kultura e bashkëpunimit, e mirëkuptimit dhe përfundimisht po braktiset logjika dhe mentaliteti i dhunës si mjet për të arritur objektiva politike.

Unë shpresoj shumë që edhe në Beograd kjo do të kuptohet shpejt, sepse e ardhmja e Ballkanit është në bashkëpunim të ngushtë mes vendeve dhe në krijimin e një kornize të përbashkët që ofron integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike.

RADIO EVROPA E LIRË
Paraprakisht për Kosovën kishte edhe një lajm jo aq të mirë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht Asambleja e Përgjithshme, ku është votuar një rezolutë, me të cilën kërkohet mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Cilat konsideroni se do të jenë refleksionet e këtij procesi në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në procesin e njohjes së saj?

SKËNDER HYSENI
Pas kthimit nga Nju Jorku kam deklaruar një siguri relativisht të madhe, se procesi i njohjeve nuk do të ndalojë edhe nëse kalon rezoluta serbe, sepse dihej që do të kalonte, për shkak të sistemit të votimit dhe, në anën tjetër, për shkak të përkushtimit të shumë vendeve, madje edhe të atyre që na kanë njohur, që duke votuar për ose abstenuar, të respektojnë parimin fundamental të respektimit të drejtësisë si instrument për të qartësuar kontekste të ndryshme.

Domethënë, dihej që do të kalonte. Pasoja direkte ose implikime juridike të asnjë lloj natyre për Kosovën nuk do të ketë, sepse çështja e shpalljes së pavarësive të vendeve, e njohjes së pavarësive, është ingirencë dhe kompetencë ekskluzivisht e rezervuar për liderë politikë dhe për vendime politike.

Gjithsesi se do të ketë do efekte krejt anësore, shumë të përkohshme te disa vende që edhe ashtu kanë hezituar ta njohin Kosovën, dhe kalimi i kësaj rezolute u ka ofruar një pretekst më shumë atyre vendeve që edhe ashtu kanë hezituar dhe nuk kanë pasur ndërmend ta njohin Kosovën shpejt, që tash të thonë se po presin një mendim të gjykatës. Por, fatbardhësisht, për Kosovën, numri i këtyre vendeve është i vogël.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta vlerësonit ndarjen e çmimit 'Nobel' Martti Ahtisaarit, kryenegociatorit dhe arkitektit, kushtimisht thënë, të statusit të Kosovës, të cilin është duke e zbatuar?

SKËNDER HYSENI
Kosova ka marrë lajme jashtëzakonisht të mira nga të gjitha anët e botës dhe një lajm tej mase i mirë për Kosovën është edhe ndarja e çmimit për ish-ndërmjetësin në bisedimet për Kosovën, ish-presidentin Martti Ahtisaari.

Edhe ky është një moment i fuqishëm i rikonfirmimit të qëndrimit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, është një vulosje e rekomandimeve, është një vulosje e kualifikimit që presidenti Ahtisaari ka bërë në rastin e Kosovës – 1. rekomandimit për pavarësi dhe 2. kualifikimit të Kosovës si një rast krejt i veçantë, krejt specifik, i cili nuk krijon kurrfarë precedentësh gjetiu në botë.

Ky lajm na ka gëzuar shumë. Më ka gëzuar shumë edhe personalisht, sepse kam qenë pjesë e gjithë procesit negociator nën udhëheqjen e presidentit Ahtisaari. Gjatë qëndrimit në Nju Jork patëm kënaqësi me presidentin Sejdiu të hamë një drekë pune me presidentin Ahtisaari dhe është po ai njeri i përkushtuar për Kosovën dhe vazhdon të punojë për Kosovën, vazhdon të lobojë për Kosovën kudo që gjendet, kudo që arrin, një pjesë të punës e ka që të sensibilizojë opinionin për Kosovën.

Shfrytëzoj këtë rast që në cilësinë time si ministër i Jashtëm, ta uroj nga zemra për këtë. Presidenti Sejdiu e ka bërë këtë në emër të popullit të Kosovës, kryeministri po ashtu. Ka qenë lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG