Ndërlidhjet

“Kosova njeh Maqedoninë me emrin kushtetues”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë gazetës, ka folur rreth angazhimeve të Qeverisë në planin ndërkombëtar, me theks të veçantë atë të brendshëm , duke u ndalur në argumentet politike dhe sociale të vendit. Viti 2009, sipas tij, duket se do të sjellë lajme të mira për kategoritë sociale, të cilat janë duke u adresuar në planifikimet buxhetore për vitin e ardhshëm. Mes të tjerash, ai sqaron se ky proces është drejt fundit. Ai u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës në Kuvend, por edhe jashtë saj ndaj qeverisë. Ndërsa thekson përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, energji, ai është ndalur edhe te çështja e korrupsionit, për të cilën siguroi se do të luftojë të gjitha segmentet e saj kudo që paraqiten...

KOHA DITORE
Kosova e pranon Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, pohojnë zyrtarë të Ministrisë së Jashtme në Prishtinë. Zyrtarët kosovarë pohojnë se çështja e emrit të Maqedonisë nuk është “e diskutueshme” dhe thonë se nuk presin që ky qëndrim të ketë ndonjë pasojë në marrëdhëniet me Greqinë, e cila edhe e konteston emrin kushtetues të Maqedonisë. Çështja e emrit të Maqedonisë për kosovarët është aktualizuar gjatë një interviste të ministrit të Jashtëm të Kosovës dhënë BBC-së. “Emri i Maqedonisë as që është i diskutueshëm për Kosovës. Kjo do të thotë se Kosova do ta pranojë, pra e pranon Maqedoninë me emrin e zgjedhur dhe të preferuar nga populli i saj dhe Qeveria në Shkup”, citohet Hyseni... Njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues e ka pohuar për Kohën Ditore edhe zëvendësministrja Vlora Çitaku. E pyetur nëse njohja e Maqedonisë me emrin e kushtetues do të ndikojë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia, Çitaku ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk beson që kjo do të ndikojë në njohjen apo mosnjohjen e Kosovës nga Greqia...

EXPRESS
Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit Hashim Thaçi është vënë përpara një testi serioz të imazhit të saj publik nga një ngjarje spontane. Pjesëmarrja e deputetëve të saj, Hydajet Hyseni dhe Berat Luzha, në shënimin e ditëlindjes së një prej diktatorëve më të tmerrshëm të botës, Enver Hoxhës, dy emra të njohur gjatë politikës dhe jetës publike - e kanë vënë bartësen e qeverisë përpara nevojës për aksion. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Këshilli Drejtues do të mblidhet të hënën pasdite. “Kjo çështje pritet të shqyrtohet në këtë takim”, ka thënë zëdhënësja, të dielën, për Express. Ngjarja po teston PDK-në në prag të shënimit të tetëvjetorit të themelimit të saj, një organizim për të cilin pritet të mbahet po të hënën në mbrëmje. Një zyrtar i lartë i PDK-së ka thënë se paraqitja e dy deputetëve “ka irrituar shumë kryetarin Hashim Thaçi...

LAJM
Miratimi i kërkesës së Qeverisë serbe nga OKB-ja që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta japë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë ka ngjallur debat në qarqet diplomatike dhe ligjore në SHBA... Ted Carpenter, nënpresident për politikën e jashtme dhe mbrojtjen në Institutin CATO, në Uashtington, thotë se miratimi i rezolutës e përben një fitore të qartë diplomatike për Serbinë. Por, sipas tij, reagimi i disa diplomatëve evropianë është shqetësues për palën serbe. “Paralajmërimet e ambasadorit britanik dhe atij francez në OKB se Serbia po i rrezikon mundësitë e veta për anëtarësim në BE nëpërmjet kësaj rezolute, janë shumë problematike për Beogradin. Tanimë duket e qartë se disa nga shtetet e BE-së do ta bëjnë njohjen e Kosovës kusht për hyrjen në BE”...

ZËRI
Gati një javë që prej kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju Jork e miratoi rezolutën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të japë një mendim këshillues nëse pavarësia e Kosovës ishte shpallur më 17 shkurt 2008 në baza ligjore apo jo, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se Qeveria e Kosovës është duke punuar në harmoni edhe me institucionet tjera të vendit, në krijimin e ekipit të ekspertëve që do ta argumentojë pavarësinë e Kosovës në Hagë. “Ky ekip do të përfshijë ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë të profileve dhe të fushave të ndryshme, të cilët hartojnë strategjinë e prezantimit të pozicionit dhe të argumenteve të Kosovës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe të këtij procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”, tha Krasniqi. Sipas tij, ky ekip “është ekip në krijim e sipër dhe sigurisht që do të jetë një ekip jashtëzakonisht adekuat dhe i përgatitur për ta prezantuar Kosovën në këtë proces”...

INFOPRESS
Duke qenë të vetëdijshëm se kontrabanda me mallra nga Serbia në Kosovë po i shkakton dëme të konsiderueshme buxhetit të vendit, Policia e Kosovë, në bashkëpunim edhe me atë të UNMIK-ut, po bëjnë përpjekje për ta penguar këtë. Burime brenda policisë kanë bërë të ditur për gazetën , se brenda disa ditëve do të fillohet me instalimin e kamerave në pikat kufitare në veri të vendit. Ky burim ka thënë se me datën 18 tetor, Policia e UNMIK-ut do të fillojë instalimin e kamerave fillimisht në pikën kufitare numër 1 në Leposaviq. Këto kamera janë dëmtuar nga serbë të rebeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjatë kohës kur u dogjën dhe u demoluan tërësisht ato pika doganore...

EPOKA E RE
Ndryshimin e emrit të partisë, nga LKÇK në Lëvizjen për Integrim dhe Bashkim, e arsyeton me ndryshimin e rrethanave pas shpallje së pavarësisë së Kosovës. Ka thënë se Lëvizja për Integrim dhe Bashkim (LIB) do të jetë e orientuar në drejtim të afrimit më të madh me qytetarin , me problemet e tij dhe do ta gjejë rrugën e duhur për t’i zgjidhur ato. Mendon se shpallja e pavarësisë së Kosovës është vetëm një e arritur e shqiptarëve drejt synimit të realizimit të të drejtave historike. Tendencave të Serbisë për ndarje ka thënë se duhet t’u përgjigjemi me një politikë që fuqishëm artikulon kërkesën për integrim dhe bashkim kombëtar. Në këtë kontekst ka dhënë edhe alternativën konkrete për përgjigje ndaj këtyre përpjekjeve. “Po qe se do ta trajtojmë këtë problem të ngushtë, në raportet Serbi – Kosovë, atëherë pjesa veriore, praktikisht e ndarë sot, apo tendencës formale në një të nesërme mund t’i përgjigjemi qartë, duke punuar he duke e kërkuar hapur që tani pjesën lindore të Kosovës: Luginën e Preshevës”. Flet për Epokën e Re, Smajl Latifi...

BOTA SOT

Vendimi i qeverisë për sigurimin e shujtës së ushqimit për të gjithë punëtorët shëndetësorë që do të arrijë vlerën prej 44 euro, nuk do të arrijë të ndalë punëtorët shëndetësorë të mos e fillojnë grevën e paralajmëruar për 13 tetor. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Sindikatës Shëndetësore do të realizohet meqë sindikalistët vendimin e qeverisë e quajnë mashtrim. Asllan Bajrami, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, shprehet i mllefosur ndaj vendimit të qeverisë për faktin se ai është një mashtrim dhe ofron shujtën për punëtorët shëndetësorë vetëm për tre muajt e fundit të këtij viti. “Ky vendim ka të bëjë me një ofrim të shujtës për një afta tremujor, nuk është shujtë e qëndrueshme dhe kjo nuk korrespondon me kërkesat tona”, është shprehur Bajrami...
XS
SM
MD
LG