Ndërlidhjet

WP: "Vota botërore"


“Washington Post”

Tashmë është mirë e njohur se sikur në zgjedhjet presidenciale të votohej në mbarë botën, jashtë Shteteve të Bashkuara, atëherë president i ardhshëm do të ishte Barack Obama.

Hulumtimet e opinionit dhe studimet nga fondacioni Pew, BBC dhe Gallup, tregojnë se evropianët, latino-amerikanët, afrikanët dhe aziatikët, jo vetëm që janë në masë të madhe në favor të senatorit Barack Obama ndaj rivalit të tij John McCain, por besojnë se zoti Obama do t'i përmirësonte marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me pjesën tjetër të botës.

Duket se amerikanëve këto gjetje u janë dukur atraktive. Hulumtimet në Amerikë tregojnë se shumë votues janë të shqetësuar lidhur me përkeqësimin e prestigjit të Shteteve të Bashkuara gjatë administratës së presidentit Bush dhe dëshirojnë që ky prestigj të ripërtërihet nga presidenti i ardhshëm.

Por, shtrohet çështja nëse zoti Obama zgjidhet, çfarë janë gjasat që ai t'i plotësojë këto pritje të larta dhe a mundet ai realisht të tregojë rezultate që John McCain nuk mund t'i arrijë?

Përgjigjja në këto pyetje nuk është aq e qartë, ashtu siç sugjerojnë hulumtimet e opinionit.

Njëri nga argumentet paraqitet në raportin e Pew Global Project, që thekson se Obamania në masë të madhe nuk është e pranishme në rajonin ku ndikimit amerikan i duhet shtytje: në Lindjen e Mesme.

Vetëm 34 % të libanezëve, 31 % e egjiptianëve dhe 22% e jordanezëve thonë se ata kanë besim se senatori Barack Obama do të bëjë gjëra të drejta në punët botërore. Në Pakistan të dhënat janë 10%.

Izraeli është njëri nga pak shtetet në botë ku së paku disa hulumtime të opinionit tregojnë se McCain udhëheq para rivalit të tij Obama. Shumë izraelitë frikësohen se zoti Obama do të jetë shumë i butë ndaj Iranit, shumë arabë parashohin se ai do të jetë shumë i butë ndaj Izraelit.

Administrata e re, qoftë ajo Obama ose McCain, ndoshta duhet ta pranojnë anti-amerikanizmin në Pakistan, si çmim të mbetjes në ofensivë kundër Al-Kaidës dhe talibanëve.

Popullariteti i madh i zotit Obana në Evropën perëndimore, për shembull rejtingu i tij në Francë dhe në Gjermani është mbi 80%, duket se reflekton pritjen se demokrati do t'i ndryshojë politikat e presidenti Bush.

Por, zoti Obama favorizon dërgimin e numrit të madh të trupave plotësuese në Afganistan, përderisa opinioni publik në secilin vend të NATO-s, me përjashtim të Britanisë, e favorizon tërheqjen.

Në nivelin qeveritar, disa zyrtarë të lartë në Gjermani, Francë dhe Britani, thonë se do t'i japin vërejtje planit të senatorit Obama që të zhvillojë negociata me Iranin pa kushte.

Shprehja e entuziazmit të madh për zotin Obama në vendet siç janë Berlini, duket se reflekton dëshirën për ripërtëritjen e marrëdhënieve të thyera.

Presidenca Obama ofron mundësi të ndërtimit mbi këto ndjenja. Zoti McCain duhet të jetë gjakftohtë. Asnjëri nuk do të ketë gjasa të mira për rritjen e numrit të trupave evropiane në Afganistan ose për sanksione të reja kundër Iranit.

Por, në çështjen e paqartë. por kritike. të prestigjit amerikan dhe të gatishmërisë për ta pranuar lidershipin e Shteteve të Bashkuara, që vjen me prestigj, zoti Obama mund të ofrojë më tepër.
XS
SM
MD
LG