Ndërlidhjet

Prej 12-14 tetor, në Pragë mbahet takimi i përvitshëm, Forumi 2000. Konferenca e iniciuar më 1997, i sjell bashkë aktivistët për të drejtat e njeriut, mendimtarët politikë dhe figurat politike nga mbarë bota për të diskutuar mbi sfidat e kohës sonë.

Forumi i sivjetmë ka zgjedhur temën "Hapja dhe Fundamentalizmi në shekullin 21". Oldrich Çerni, drejtor ekzekutiv i Forumit 2000, i shpjegon arsyet përse u zgjodh kjo temë.

"Siç e dini, Forumi 2000 është fëmijë shpirtëror i Vaclav Havel dhe Eli Viesel, dhe ne gjithmonë konsultohemi me Havelin për temën e radhës. Sivjet, unë doja të bëjmë një konferencë krejtësisht të ndryshme, diçka për Evropën dhe raportet e Evropës me pjesët tjera të botës. Por, Havel më tha të bëjmë diçka rreth fanatizmit dhe kështu vepruam", thotë Çerni.

Titulli i konferencës "Besimi dhe Fanatizmi" sikur i shkoqit dallimet e këtyre dy dukurive dhe diskutimet mund të jenë të gjithanshme.

"Po, kjo është mu ajo që kërkojmë nga panelistët. Ku dhe kur është ai momenti i brishtë, kur besimi shndërrohet në fanatizëm? Mendoj se paneli i reflekton disa zhgënjime të njerëzimit, si Srebrenica apo Ruanda, por edhe hapat që nevojiten për t'i parandaluar këto ndodhi", vazhdon Çerni.

Temë tjetër për diskutim plenar janë "Të fuqishmit dhe të Pafuqishmit". Historia është përplot vështirësi të të dyja palëve, që nuk mund të akomodohen me njëri-tjetrin.

Një çështje që gjithashtu do të trajtohet në konferencën e sivjetme është dhe "Modernizmi pa Demokracinë".

A mundet një shtet jodemokratik të bëhet krejtësisht modern? Në fakt, çfarë nënkupton të qenit modern?

"Ky është një paradoks i madh, apo jo, sepse deri vonë parashikohej se modernizmi shkon krah për krah me demokracinë dhe se vendet moderne, si p.sh. Kina dhe Rusia do të bëhen më demokratike. Por, përvojat e fundit nga këto vende e flasin të kundërtën. Ato i gëzojnë përfitimet e modernizmit, por në të njëjtën kohë shqetësohen kur vjen puna tek demokracia", pohon Çerni, drejtor ekzekutiv i Forumit 2000, që po mbahet në Pragë.
XS
SM
MD
LG