Ndërlidhjet

Fillon shfrytëzimi i mjeteve nga Konferenca e Donatorëve


Mjetet e fituara nga Konferenca e Donatorëve kanë filluar të hyjnë në Kosovë. Kështu thotë Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, duke shtuar se tashmë kanë filluar të nënshkruhen kontratat e para nga vende të ndryshme të botës, që kanë premtuar mjete për Kosovën.

Në kuadër të kësaj, ditë më parë, Kosova dhe Komisioni Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje për mbështetje ekonomike, e cila mbështet Kosovën me mbi 122 milionë euro për këtë vit, si pjesë e pakos financiare evropiane, e premtuar në Konferencën e Donatorëve.

“Mjetet kanë filluar të hyjnë, kanë filluar të nënshkruhen kontratat e para, apo protokollet e para. Në këtë drejtim ka qenë edhe protokolli i nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shtetit të Gjermanisë për 40 milionët e para. Gjithashtu kanë filluar edhe nga Suedia. Dihet edhe nënshkrimi për 122 milionët, i nënshkruar në mes të Qeverise së Kosovës dhe Komisionit Evropian”, thotë Hamza.

Ai bën të ditur se ka filluar edhe shfrytëzimi i mjeteve në disa projekte konkrete.

“Ka filluar edhe zbatimi i projekteve konkrete, ka filluar ‘Sida’ suedeze, ka filluar edhe qeveria gjermane; do të bëhen investimet edhe në transmision, edhe në ujësjellësin e Prishtinës, dhe projekte konkrete që kanë filluar dhe presim që të fillojnë këto ditë”, deklaron Hamza.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike nuk janë optimistë në menaxhimin e duhur të mjeteve të donatorëve. Xhemshit Duriqi thotë se shpenzimi i mjeteve duhet të monitorohet nga donatorët në bashkëpunim me institucionet kosovare.

“Shpresoj se duhet patjetër, posaçërisht nëse ato orientohen në pjesën që do të orientohet në prodhim dhe ekonomi. Po mendoj se do të ketë menaxhim nga ata që i japin mjetet, pasi ata janë të interesuar që ato të menaxhohen dhe të investohen në projektet e duhura”, thotë Duriqi.

Sipas tij, mjetet e fituara nga Konferenca e Donatorëve duhet të shfrytëzohen për projekte, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

“Nëse u lihet institucioneve të Kosovës që ato vetë të menaxhojnë me ato mjete, respektivisht të caktojnë edhe destinimin, atëherë, pasi që problem kryesor në Kosovë është papunësia, mendoj se është mirë të orientohen në projekte propozive, të cilat punësojnë një numër më të madh të punëtorëve”,
shprehet Duriqi.

Sidoqoftë, 1. 2 miliard euro është shuma e përgjithshme e mjeteve të fituara në Konferencën e Donatorëve, që është mbajtur më 11 korrik, në Bruksel.

Prej tyre, 1.1 miliard do të përdoren për zhvillim ekonomik, ndërkaq 100 milionë euro të tjera për pagesën e borxhit të jashtëm të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar se këto mjete nuk do të keqmenaxhohen dhe se nuk do të shkojnë në drejtim të gabuar.
XS
SM
MD
LG