Ndërlidhjet

logo-print

"Vetëvendosja" kundërshton kreun e EULEX-it


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë aksionit protestues kundër kreut të EULEX-it, 13 tetor 2008.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë aksionit protestues kundër kreut të EULEX-it, 13 tetor 2008.

Lëvizja Vetëvendosje organizoi një fushatë kundër kreut të misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Lideri i lëvizjes, Albin Kurti, tha se Kermabon si dhe EULEX-i do të funksionojnë në Kosovë mbi ligjin dhe mbi institucionet e zgjedhura.


Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar sot në Prishtinë një aksion proteste kundër kreut të misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon.

Të prirë nga lideri i tyre, Albin Kurti, aktivistë të “Vetëvendosjes”, nëpër qendër të Prishtinës kanë vendosur posterë nga ceremonia e ndërrimit të Komandës së KFOR-it në vjeshtën e vitit 2005, ku Kermabon shihej në shoqëri me Dragan Paskashin, komandantin e shtatmadhorisë së ish-Unionit Serbi dhe Mali i Zi.

Albin Kurti tha se kjo foto tregon se Kermabon kishte ftuar Paskashin, njërin nga përgjegjësit, sipas tij, për vrasjen e mbi 14 mijë shqiptarëve të Kosovës. Kurti tha se jo vetëm Kermabon është një njeri i papërshtatshëm në Kosovë, por edhe vetë misioni EULEX, të cilin ai do ta drejtojë. Sipas Kurtit, EULEX-i është vetëm një zëvendësim i UNMIK-ut dhe asgjë më shumë.

“Populli i Kosovës do t’i hasë pasojat e drejtpërdrejta të EULEX-it, pikërisht nga vendimet e Kermabonit që do të kontrolloj policinë, drejtësinë, doganat e kështu me radhë. Do të jetë EULEX-i ai që do ta bllokojë këtë vend, duke na etiketuar si krizë edhe duke na ngujuar në kurthin e stabilitetit”, tha Kurti.

Albin Kurti tha se “Vetëvendosja” nuk e kundërshton praninë e Bashkimit Evropian, por kërkon që kjo prani të jetë këshillëdhënëse dhe jo prani që do të funksionojë mbi ligjin dhe mbi të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ne kemi pasur nevojë për zhvillim, demokraci e liri, që nënkupton profesorë të universiteteve evropiane, që nënkupton ekspertë evropianë të ekonomisë, që nënkupton mjekë e doktorë specialistë nga Evropa, e jo për policë e gjykatës”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, duke iu referuar veprimeve të sotme të “Vetëvendosjes”, zëdhënësi i misionit të EULEX-it, Victor Reuter, thotë se secili në Kosovë ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, qoftë edhe përmes protestave apo demonstrimeve të ndryshme, por, gjithmonë duke respektuar rendin dhe ligjin. Reuter thotë se EULEX-i është në fazën e shtrirjes dhe pret që të jetë funksional deri në fund të vitit.

“Më shumë se 50 veta nga stafi ndërkombëtar vijnë në Kosovë çdo javë. Tani EULEX-i ka rreth 450 veta të personelit ndërkombëtar dhe rreth 270 veta të personelit vendor”, thotë Reuter.

I gjithë stafi, nënvizon ai, vazhdon trajnimet e nevojshme deri në fillimin e punës dhe funksionalizimin e misionit, diku në fund të vjeshtës apo në fund të vitit.

Misioni i EULEX-it e ka miratimin e institucioneve të Kosovës, përderisa një rezistencë e theksuar kundër këtij misioni është shprehur nga serbët e pjesës veriore të Kosovës, ku përfaqësuesit e këtij komuniteti pakicë në Kosovë janë deklaruar në vazhdimësi se nuk do të lejojnë shtrirjen dhe funksionalizimin e EULEX-it nëpër enklavat serbe.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në disa raste e kanë përsëritur se EULEX-i do të shtrihet në gjithë Kosovën, përderisa serbët preferojnë që nëpër vendbanimet e banuara me këtë komunitet të mbetet i stacionuar vetëm UNMIK-u si mision ndërkombëtar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG