Ndërlidhjet

Ekspertët: Kosova të dijë të argumentojë


Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Kosova ka shanse të mëdha të korrë sukses në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku do të shqyrtohet çështja e legalitetit të pavarësisë së vendit. Kështu thonë njohësit e së drejtës ndërkombëtare, të cilët theksojnë nevojën e krijimit të një grupi të ekspertëve që do të merreshin me këtë çështje.

Analistët dhe njohësit e së drejtës ndërkombëtare në Kosovë thonë se ka gjasa të mëdha që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të shprehë një mendim për ligjshmërinë e Kosovës, e që do të ishte në favor të vendit.

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Ismet Salihu, thotë se tërë esenca e paraqitjes së argumenteve para këtij institucioni, ka të bëjë me përgatitjen e një grupi të ekspertëve të pajisur me një strategji të mirëfilltë.

"Është e domosdoshme që të formohet një ekip i ekspertëve kosovarë, por mund të angazhohet edhe ndonjë ekip i ekspertëve ndërkombëtarë dhe të ceken arsyet pse Kosova është dashur të shpallet e pavarur",
thotë Salihu.

Kërkesa për shprehjen e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte iniciuar nga Serbia, e cila kishte paraqitur këtë kërkesë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Analisti Shkëlzen Maliqi shprehet optimist për një fitore të mundshme të Kosovës në Hagë, ndonëse nuk bëhet fjalë për një vendim me pasoja juridike. Sipas tij, Kosova ka shanse më të mëdha sesa vetë shteti serb.

"Gjasat janë relativisht të mëdha. E drejta ndërkombëtare nuk është plotësisht e kodifikuar sa i përket kësaj dhe mendoj se ka mjaft argumente që mund të vërtetojnë edhe në Gjykatë se Kosova ka pasur të drejtë të shpallë pavarësinë",
shprehet Maliqi.

Eksperti Salihu thotë se përveç parimit të vetëvendosjes, Kosova me doemos duhet të përdorë si argument edhe Kushtetutën e vitit 1974, e cila u garantonte shteteve anëtare të ish-Jugosllavisë të drejtën për t’u shkëputur nga kjo njësi pas shpërbërjes së saj, gjë që do të duhej të vlente edhe për Kosovën.

"Lidhur me këtë duhet të elaborohen edhe dispozitat e Kushtetutës së vitit '74, sepse, sipas kësaj dispozite, Kosova ka qenë njësi përbërëse e Jugosllavisë sikurse republikat e tjera", tha Salihu.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka pranuar kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme për të dhënë mendimin mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Zyrtarë të Gjykatës kanë bërë të ditur se do të hartojnë një listë të shteteve dhe organizatave, që do të mund t'u japin gjykatësve informacione relevante.
XS
SM
MD
LG