Ndërlidhjet

logo-print

“E gjithë kjo paraqet një shqetësim minor, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të ndryshojë atë që është arritur tashmë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ivo Banac, nga Universiteti Yale / SHBA.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Banac, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të shqyrtojë deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Cilat janë pritjet tuaja nga ky shqyrtim?

IVO BANAC
Mendoj se kjo nuk ka fare rëndësi dhe nuk mendoj se kjo do të ndikojë në pavarësinë tashmë të arritur të Kosovës. Megjithatë, mendoj se shumë nga vendet që e kanë njohur Kosovën, nuk është dashur të jenë neutrale në këtë çështje, me rastin e votimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, bënë çfarë bënë dhe tash unë mendoj se e gjithë kjo paraqet një shqetësim minor, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të ndryshojë atë që është arritur tashmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse mendimi i Gjykatës nuk është detyrim ligjor, disa kanë tërhequr vërejtjen se mund të shtyjë njohjet e mëtutjeshme të shtetësisë së Kosovës…

IVO BANAC
Mendoj se pas njohjes së Malit të Zi dhe Maqedonisë, kjo çështje është thjesht një çështje e pastër akademike. Nuk mendoj se ka kthim prapa, në çfarëdo mënyre.

Dhe, duke marrë parasysh faktin se Shtetet e Bashkuara, të cilat në masë të madhe kanë sponsorizuar pavarësinë e Kosovës, qëndruan vendosmërisht në raport me këtë çështje, tregon se nuk mund të ndodhë diçka thelbësore. Madje, mendoj se nuk duhet që dikush të humbë shumë kohë me këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të shfrytëzohet kjo periudhë për atë që cilësohet si “sforcim i pozicionit të Beogradit për të bërë pazare mbi ndarjen e Kosovës”, një ide kjo e cila së fundi është cilësuar si opsion nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq?

IVO BANAC
Ai vazhdon ta përsërisë këtë dhe deri më tash akoma nuk ka arritur të marrë një përgjigje të palëkundshme nga faktorët kyçë të komunitetit ndërkombëtar. Unë mendoj se vetë ideja e ndarjes së Kosovës është aq e rrezikshme, sa që askush me përgjegjësi të lartë nga radhët e komunitetit ndërkombëtar nuk do të mund të pajtohet me të.

Unë shpresoj se zoti Tadiq nuk ka ndonjë iluzion për të përmbushur një synim të këtillë. Megjithatë, më duhet të them se përderisa komuniteti ndërkombëtar nuk insiston që të heqë qafe zyrtarët shtetërorë serbë nga enklavat në veri të Kosovës, iluzionet e Tadiqit ushqehen deri në një masë.

Dhe, mendoj se përgjigjet në këtë çështje do të diktojnë rrugën që aspiratat e presidentit Tadiq do të marrin, sado e pamundshme që duket ndarja e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni situatën e krijuar në veri të Kosovës? Shihni ndonjë rrugëdalje?

IVO BANAC
Mendoj se është shumë e vështirë, thjesht për faktin se komuniteti ndërkombëtar preferon që “t’i lë qentë në gjumë, të shtrirë në rrugë”. Mendoj se kjo nuk është aspak ide e mirë. Duhet të ketë presion të vazhdueshëm për përfshirjen e këtyre rajoneve të Kosovës në kuadër të shtetit të vetëm të Kosovës.

Kjo nuk do të thotë që pushteti do të hiqet nga duart e serbëve lokalë, por ky pushtet duhet të realizohet në kuadër të konceptit të sovranitetit të Kosovës. Kjo është pikërisht edhe baza e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se çdo zvarritje në këtë çështje të veçantë mund të definohet si e rrezikshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët njohjen e Kosovës nga Mali i Zi dhe Maqedonia, gjë e cila ka nxitur reagime të ashpra të Beogradit zyrtar. Si i vlerësoni ju këto reagime?

IVO BANAC
Ato flasin për një mungesë të caktuar të ndjenjës së realitetit nga ana e Qeverisë në Beograd, veçanërisht nga opozita. Duket se ekziston një ndjenjë shoku veçanërisht për faktin se Mali i Zi mori një vendim të këtillë.

Në këtë kuadër, e gjithë kjo madje mund t’i kontribuojë një këndelljeje, sepse disa nga zërat më të moderuar e kanë interpretuar këtë zhvillim të caktuar si një ndihmesë për sforcimin e prospektit të vetëm realist që Serbia ka, e ai është që Serbia të përqendrojë të gjitha zhvillimet e saj të brendshme dhe të përmirësojë mundësitë e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Por, duke lënë mënjanë njëkohësisht edhe të gjitha ato gjëra, që e kanë ndalur Serbinë në këtë drejtim dhe që kanë kontribuuar në krijimin e marrëdhënieve aspak të shëndetshme me të gjitha vendet fqinje.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, çfarë domethënieje kanë këto marrëdhënie të tensionuara për vendet e rajonit dhe synimet për integrime evropiane?

IVO BANAC
Mendoj se nuk paraqesin fare ndonjë lajm të mirë, por njëkohësisht mendoj se është një fenomen që do të tejkalohet. Në fakt, mendoj se marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje do të përmirësohen.

Unë për veten time shoh vetëm dy potenciale rreziku. Njërin e trajtuam tashmë, duke përmendur presionet për ndarjen e Kosovës. Por, i dyti është edhe më i rrezikshëm dhe shënon pikën që rrezikon stabilitetin në Ballkan. Ka të bëjë me aspiratat e Republikës Serbe të Bosnjës, më saktësisht të kryeministrit të saj, Milorad Dodik, për të bërë gjithë ç’është e mundur për ta ndarë këtë entitet nga Bosnja e Hercegovina, me shpresën që ta pavarësojë.

Ky do të ishte zhvillimi më destabilizues në këtë pjesë të botës. Mendoj se të gjithë që kanë pushtet në komunitetin ndërkombëtar dhe të gjitha forcat përgjegjëse në Ballkan duhet të veprojnë për të parandaluar këtë kurs shumë provokativ, të cilin zoti Dodik duket se është duke e ndjekur me një arrogancë gjithnjë e në rritje.
  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG