Ndërlidhjet

Vendosja dhe funksionalizimi sa më i shpejtë i misionit të EULEX-it, sipas autoriteteve në Prishtinë, do të ndikonte në përmirësimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Ndërkaq, duke komentuar paralajmërimet e këtyre ditëve se mund të ketë sërish shtyrje të fillimit të punës së misionit të Bashkimit Evropian, zyrtarë kosovarë thonë se kjo çështje u përket instancave të politikës ndërkombëtare.

Institucionet e Kosovës nuk do të përzihen në çështjet që kanë të bëjnë me shtrirjen e EULEX-it, duke e parë këtë si një proces që kërkon aranzhime në nivele të politikës ndërkombëtare.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se shpresojnë që EULEX-i të shtrihet sa më shpejt në gjithë territorin e vendit, por, sipas tyre, Kosova nuk mund të ndikojë në politikat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me përshpejtimin e shtrirjes së këtij misioni.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se kosovarët duhet të përqendrohen sa më shumë në funksionimin e institucioneve, duke besuar se edhe prania ndërkombëtare do të kryejë pjesën e vet të punës.

“EULEX-i i di detyrat dhe përgjegjësitë që i ka edhe me Kushtetutën e Kosovës, por ato janë përgjegjësitë e tyre. Ne jemi të interesuar të shohim se si dhe sa po funksionon sundimi i ligjit në pjesën që qeverisin qeveria dhe institucionet e Kosovës. Qeveria dhe institucionet e Kosovës po punojnë në bazë të Kushtetutës, e cila ka hyrë në fuqi në qershor të këtij viti”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se çështja e aranzhimeve lidhur me EULEX-in ka të bëjë me OKB-në dhe BE-në. Kurse, për Kosovën, shtoi ai, është me rëndësi që EULEX-i të shtrihet sa më shpejt në terren.

“Me rëndësi për ne është konsolidimi i mëtutjeshëm i institucioneve tona, zbatimi i Kushtetutës dhe funksionalizimi i ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Sa më shpejt që të vendoset EULEX-i, do të jetë një mbështetje më e mirë edhe për ne, për institucionet tona”, u shpreh Pajaziti.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se shtrirja dhe funksionalizimi i EULEX-it ka një ndikim të madh edhe për kthimin e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës. Pajaziti tha se ky mision do të mund të ndihmonte në çështjet që kanë të bëjnë me doganat në veri të Kosovës dhe funksionimin e forcave të rendit atje, të cilat do të luftonin dhe parandalonin krimin dhe kontrabandën.

“Sa më herët që EULEX-i të vendoset, do të jetë më mirë edhe për banorët lokalë atje, të cilët kanë mbetur të izoluar dhe rrethuar nga persona që dyshohet se menaxhojnë me krimin e organizuar atje”, tha Pajaziti.

Misioni i EULEX-it do të shtrihet në Kosovë pas tranzicionit të kompetencave nga misioni i UNMIK-ut. Sidoqoftë, edhe EULEX-i do të funksionojë nën ombrellën e OKB-së dhe mbi bazën e Rezolutës 1244.

Ky mision parashihet të sjellë në Kosovë rreth 2200 veta, të cilët do të përkujdesen për sundimin e rendit dhe ligjit në fushat e policisë, drejtësisë dhe doganave. Fillimisht, pritjet ishin që EULEX-i të fillonte me punën e vet në Kosovë në qershor, më pas në fund të këtij viti, kurse këto ditë, zyrtarë të BE-së nuk e përjashtojnë mundësinë që EULEX-i të nisë punën në fillim të vitit tjetër.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG