Ndërlidhjet

logo-print

Punëtorët e shëndetësisë kanë ndërprerë grevën, pas marrëveshjes së arritur mes insititucioneve dhe sindikalistëve. Marrëveshja parasheh që nga janari pagat të rriten për 44 euro dhe kjo rritje të jetë e përhershme.


Është arritur marrëveshja mes institucioneve dhe sindikalistëve të shëndetësisë për t'i dhënë fund grevës së këtyre të fundit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Asllan Bajrami, i tha Radios Evropa e Lirë se marrëveshja parasheh që nga janari pagat të rriten për 44 euro dhe kjo rritje nuk do vlejë vetëm për tre muaj siç ishte paraparë, por edhe për vitet në vijim.

Përfundimit të grevës i parapriu takimi i sindikalistëve me kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Shëndetësisë, Alush Gashi.

Kushtet e vështira të punës, mungesa e mjeteve esenciale, si dhe pagat e ulëta, ishin motivet që kishin shtyrë Federatën Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës të fillojë grevë të përgjithshme në të gjitha qendrat spitalore të Kosovës.

Kërkesat e tyre ishin: rritja e pagave për 50 për qind, kthimi në procedurë i miratimit të Ligjit të punës, Ligjit të sigurimeve shëndetësore, Ligjit për grevën, Ligjit të organizimit sindikal, si dhe Ligjit të pagave.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Shëndetësisë, edhe kërkesa për miratimin e këtyre ligjeve të ndërlidhura me shëndetin publik, do të fillojë menjëherë të procedohet nga qeveria.

XS
SM
MD
LG