Ndërlidhjet

TOL: “Sytë në ballë”


“Transition Online”

Shkruan: Sabine Freizer, Grupi Ndërkombëtar i Krizave

Përderisa misioni i Bashkimit Evropian vazhdon të jetë i bllokuar dhe thashethemet për ndarjen qarkullojnë, nuk është koha për komunitetin ndërkombëtar që ta injorojë Kosovën.

Që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, Kosova ka qenë në masë të madhe paqësore dhe stabile, por bota e jashtme nuk ka ofruar mbështetje adekuate për të garantuar paqen dhe për të siguruar shmangien e çdo përpjekjeje që synon ndarjen e vendit.

Ndarjet midis Qeverisë së Kosovës dhe rajonet e kontrolluara nga serbët, janë thelluar edhe më shumë dhe prospektet për një shtet unitar janë duke u zbehur. Serbët e Kosovës kanë braktisur institucionet, përfshirë këtu policinë, gjyqësinë dhe doganat, aty ku deri vonë kanë punuar bashkërisht me shqiptarët e Kosovës.

Misioni i Kombeve të Bashkuara, ndërkaq, tani është hija e asaj që ka qenë dikur, duke e pasur të humbur tashmë legjitimitetin tek shqiptarët e Kosovës dhe duke qenë i zhveshur nga funksionet ekzekutive që ka pasur para pavarësisë.

Sektori i sigurisë, institucionet e sundimit të ligjit dhe shërbimet doganore janë të brishta dhe kanë nevojë për monitorim, ndërtim kapacitetesh dhe mbështetje për të cilën është ngarkuar misioni evropian EULEX.

Por, serbët e Kosovës përgjithësisht refuzojnë të bashkëpunojnë me këtë mision, zbarkimi i të cilit gjithashtu është dëmtuar nga mosmarrëveshjet me Kombet e Bashkuara për dorëzimin e përgjegjësive.

Prishtina deri më tash e ka pranuar këtë pezullim, por akoma shpreson që Bashkimi Evropian të ndihmojë në rimarrjen e kontrollit tek rajonet e banuara me serbë, veçanërisht në veri të lumit Ibër.

Kosova është dhe do të jetë një test i rëndë për politikën e Bashkimit Evropian mbi sigurinë dhe mbrojtjen. Vullneti politik, i ndërtuar para vendimit të përbashkët të muajit shkurt për zbarkimin e EULEX-it, është në shpërbërje e sipër dhe mungesa e vendosmërisë së bllokut evropian mund të dëshmohet si e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës si një shtet i tërësishëm.

Bashkimi Evropian nuk guxon ta humbasë këtë shans për të treguar se mund të jetë efektiv në Ballkanin perëndimor. Për të ecur përpara, blloku duhet të punojë me Beogradin njëkohësisht dhe të mbajë Kosovën në agjendë, kur bëhet fjalë për hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit të Serbisë në familjen evropiane.

Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në bisedimet midis Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit në gjashtë fushat e bashkëpunimit, sa më shpejt që të jetë e mundshme, dhe njëkohësisht duhet të jetë funksional në gjithë Kosovën, deri në fund të vitit.

Tani, më shumë se kurdo më parë, Bashkimi Evropian duhet të jetë unik në zbatimin e një politike të qëndrueshme për marrëdhënie me jashtë dhe çështje sigurie në Ballkan.
XS
SM
MD
LG