Ndërlidhjet

Fillojnë përgatitjet për GJND-në


Prishtina
Prishtina

Eksperti britanik, Michael Wood, është përzgjedhur nga institucionet e Kosovës, për t'i prirë ekipit ligjor kosovar para GJND-së, ku pritet të shqyrtohet çështja e vlefshmërisë së pavarësisë së Kosovës.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast, ka thënë se pas konsultimeve me presidentin, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, kanë vendosur që ekspertit Michael Wood, nga Mbretëria e Bashkuar, t'ia besojnë përfaqësimin e Kosovës para GJND-së.

"Kemi kënaqësinë e madhe të shpallim se Qeveria e Kosovës, pas konsultimeve me presidentin e Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, dhe kryetarin e Parlamentit, z. Jakup Krasniqi, si dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët ligjorë, ka zgjedhur Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar, që t'i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë", tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka pohuar se Michael Wood është një nga juristët më të shquar dhe më të përgatitur ndërkombëtarë të së sotmes dhe, sipas tij, zoti Wood është i njohur mirë me çështjen e Kosovës.

"Jemi me fat që ai është i gatshëm të paraqesë rastin tonë para GJND-së. Zoti Michael Wood ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Komonveltit të Mbretërisë së Bashkuar prej vitit 1999 deri më 2006. Angazhimi i tij një kohë të gjatë në çështjet e së drejtës ndërkombëtare të ndërlidhura me progresin e Kosovës drejt pavarësisë, e bën atë të kualifikuar në mënyrë unike për të përfaqësuar interesat tona kombëtare para gjykatës, dhe kemi besim të madh në gjykimin dhe përvojën e tij”, ka thënë Thaçi.

Krerët me të lartë të Kosovës kanë bërë të ditur se janë takuar me zotin Wood për ta diskutuar rastin e Kosovës dhe paraqitjen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ata kanë thënë se Kosova ka një rast të fortë dhe se synojmë të demonstrojnë para gjykatës se nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që shkel të drejtën ndërkombëtare.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në konferencën për media, ka saktësuar se Kosova me argumentet e veta do të mbrojë ligjshmërinë e pavarësisë në GJND.

“Kosova ka shpallur pavarësinë e vet dhe do të paraqesë argumentet e veta si shtet i pavarur. Natyrisht që është në gjykatën që të ketë parasysh argumentet që i shton përfaqësuesi i Kosovës, në këtë rast zoti Wood", tha presidenti Sejdiu.

Përderisa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shprehur vendosmërinë e tyre për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në GJND, përfaqësuesi i partisë opozitare, AAK, Ramush Haradinaj, shprehet i pakënaqur me punën e udhëheqësve të vendit për këtë çështje.

“Ka qenë një goditje e rëndë ajo që ka ndodhur në Nju Jork për Kosovën. Është një lidership që është në gjumë për vete dhe po shfrytëzon një mekanizëm për të vënë në gjumë gjithë popullin dhe i cili në mënyrë të vazhdueshme po mundohet t’i minimizojë të këqijat që po i ndodhin vendit", tha Haradinaj.

Sido që të jetë, autoritetet më të larta të Kosovës kanë thënë se gjatë javëve dhe muajve në vijim, zoti Wood do të punojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës për të përgatitur paraqitjen e Kosovës para GJND-së. Ata kanë thënë se, në koordinim me institucionet, ai do të mbledhë një ekip ndërkombëtar ligjor të kalibrit më të lartë.
XS
SM
MD
LG