Ndërlidhjet

Me apo pa KS-në, EULEX-i nis punën në dhjetor


BE-ja synon të shtrijë misionin e vet në gjithë territorin e Kosovës dhe të nisë punën në dhjetor të këtij viti, tha shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon. Duke iu referuar kundërshtimeve serbe, ai tha se ky mision nuk do të shtrihet me forcë, por me bisedime.

EULEX-i do të fillojë punën e vet në Kosovë në dhjetor të këtij viti, ka thënë shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon.

Në një konferencë të përbashkët të përfaqësuesve më të lartë evropianë në Kosovë, Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon dhe përfaqësuesit të Komisionit Evropian, Renzo Davidi, të mbajtur në Çagllavicë, u tha se ende ka kohë dhe mundësi që Këshilli i Sigurimit të miratojë një rezolutë, e cila do ta bënte më të lehtë vendosjen e EULEX-it në Kosovë, sidomos në veri të Kosovës, pas kundërshtimeve të vazhdueshme të serbëve.

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, tha se kjo rezolutë nuk është e domosdoshme, pasi që ky mision tashmë është duke pritur për t'ia filluar punës. Por, sipas tij, me të do të lehtësohej vendosja dhe shtrirja e misionit të Bashkimit Evropian.

“Nëse vendet e Këshillit të Sigurimit do të dalin me qëndrim unik për misionin e EULEX-it, kjo do të ishte zgjidhje e dëshirueshme, por nëse jo, kjo, megjithatë, nuk e pengon EULEX-in që të fillojë punën”, tha Pieter Feith.

Sipas tij, EULEX-i mund të funksionojë edhe mbi bazën e Rezolutës aktuale 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ndërkohë, shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, tha se qëllimet e misionit të tij janë që të ketë shtrirje në gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun. Kermabon tha po ashtu se shtrirja e EULEX-it në veri të Kosovës nuk do të bëhet me forcë.

“Qëndrimi ynë është që të vendosemi në tërë Kosovën. Por, ne nuk do të shtrihemi me forcë, pra ne duhet të shtrijmë misionin duke i bindur njerëzit
”, tha Kermabon, duke vënë theksin në veri të Kosovës.

“Por, për shkak të disa çështjeve teknike dhe politike, është e mundur të mos jemi në gjendje të jemi plotësisht operacionalë, por mandati ynë starton në fillim të dhjetorit", nënvizoi shefi i EULEX-it.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, tha se ky rajon e ka perspektivën e qartë evropiane dhe i ftoi të gjitha vendet që t’i bashkohen këtij qëllimi për integrime.

“Kosova dhe Serbia janë pjesë e një procesi të njëjtë, i cili ka të bëjë me integrimet evropiane, proces ky që mbetet i hapur për të gjitha vendet e rajonit dhe se për këto integrime, kriteret janë të njëjta për të gjitha vendet”, tha Renzo Davidi.

Gjatë konferencës së përbashkët të zyrtarëve të lartë evropianë, shefi i ICO-së, Pieter Feith, rikujtoi ndarjen e çmimit ‘Nobel për Paqe’, arkitektit të statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari dhe u bëri thirrje kundërshtarëve të planit të tij për statusin e Kosovës, duke vënë theksin në Serbinë dhe Rusinë që ta rishqyrtojnë pozicionin e tyre.

Ndryshe, në misionin e Bashkimit Evropian pritet të participojnë 27 shtetet anëtare, me mbi 2000 pjesëtarë, ndërkohë që është konfirmuar se pjesë e këtij misioni do të jenë edhe vendet jashtë BE-së, si Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Turqia, Norvegjia, Zvicra dhe Kanada.
XS
SM
MD
LG