Ndërlidhjet

logo-print

Së shpejti marrëdhënie diplomatike Maqedoni-Kosovë


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Së shpejti do të vendosen marrëdhëniet diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Mlloshovski, tha se çështja është vetëm se protokollare, ndërsa zv/kryeministri Ademi u shpreh se dokumenti për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe do të firmoset atëherë kur dy ministrat do të gjejnë kohë për të bërë një gjë të tillë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Antonio Milloshovski, disa ditë pas njohjes së Kosovës nga Shkupi zyrtar, deklaroi se së shpejti do të vendosen marrëdhënie diplomatike midis Maqedonisë dhe Kosovës. Sipas tij, kjo çështje tani më ka vetëm karakter protokollar.

“Së shpejti, vlerësoj se në periudhën e ardhshme, pasi që t’i vërtetojmë të gjitha ato çështje protokollare, të cilat i kërkon kjo çështje, Maqedonia dhe Kosova do të vendosin marrëdhënie diplomatike. Ai do të jetë një moment solemn për të dyja vendet dhe vlerësoj se ajo është diçka që do të japë shtytje plotësuese për marrëdhëniet tona bilaterale, të cilat janë shumë të mira”, tha Antonio Milloshovski.

Edhe zëvendëskryeministri nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Abdylhaqim Ademi, tha se dokumenti për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe mes Shkupit dhe Prishtinës është gati dhe i njëjti do të firmoset kur dy ministrat e jashtëm të këtyre dy vendeve do të gjejnë kohë për ta firmosur të njëjtin.

"Pas njohjes së Kosovës ekziston vullnet i mirë midis dy qeverive reciproke që të vendosin marrëdhënie diplomatike. Dokumenti për vendosje të marrëdhënieve diplomatike është i gatshëm dhe pritet harmonizimi i agjendave të dy ministrave për firmosjen e dokumentit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Shpresoj që kjo të ndodhë javën e ardhshme”, tha Ademi.

Maqedonia nuk e ka kushtëzuar njohjen e Kosovës me emrin kushtetues të saj, megjithatë zv/kryeministri Abdylhaqim Ademi deklaroi se pala kosovare ka njoftuar se do të përdorë emrin kushtetues të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG