Ndërlidhjet

Kundera, bashkëpunëtor i policisë komuniste?


Milan Kundera (fotografi e vitit 2002)

Milan Kundera (fotografi e vitit 2002)

Ai është njëri nga shkrimtarët çekë më të njohur, autori i librit aq të duartrokitur "Lehtësia e papërballueshme e qenies". Por, tash, Milan Kundera përbën lajm për arsye tjetër. Ai po akuzohet se ka spiunuar në policinë komuniste një agjent të perëndimit, derisa ishte student në vitet 1950-ta. Kundera ka thyer qetësinë e gjatë në media për të hedhur poshtë akuzat e bëra nga një institut historik shtetëror.

Akuzat u bënë në një artikull në të përditshmen çeke "Respekt".

Bashkautori i tyre është Adam Hradilek, një hulumtues në Institutin e Pragës për Studime të Regjimit Totalitar. Ai tha se i ka rënë në dorë një raport i policisë derisa po kërkonte arkivat e policisë si pjesë e një hulumtimi mbi rastin e rekrutimeve nga shërbimet e zbulimit çek në emigrim në vitet e 50-ta.

Artikulli 4 mijë fjalësh duket si triller.
Është marsi i viti 1950 dhe Miroslav Dvoracek, një agjent antikomunist, që punonte për shërbimin çek të zbulimit në mërgatë, sapo ka arritur në Pragë në një mision të fshehtë për të rekrutuar një punonjës të lartë në një kompani kimike.

Takon një shoqe të vjetër, Iva Militka, dhe arrin që ta lë valixhen në dhomën e konviktit të saj për disa orë. E befasuar nga vizita e papritur, gjatë drekës, ajo i tregon të dashurit të saj, Miroslav Dlask, i cili më pas i tregon shokut të tij, studentit Milan Kundera.

Dhe, sipas raportit të policisë të zbuluar nga instituti, Kundera shkon menjëherë në polici, të cilët vizitojnë më pas konviktin e Militkas.

"Një shënim në listën e të kërkuarve tregoi se personi kërkohet nga policia rajonale e Plzenit. Bazuar në këto gjetje, oficerët e lartpërmendur kanë qëndruar në konvikt për të ruajtur dhomën e Militkas. Dvoracek ka arritur në dhomë rreth orës 8 të mbrëmjes dhe është arrestuar", lexon pjesë të raportit Jirzi Reichl, nga Instituti.

Dvoracek fillimisht u përball me dënimin me vdekje. Më pas me 22 vjet punë të rëndë, nga të cilat i vuajti 14.

Nuk është fshehtësi se Kundera, sikur edhe shumë nga bashkëmoshatarët e tij, në rininë e hershme besonte në idealet socialiste. Por, Kundera më vonë u transformua në një kritik të ashpër ndaj regjimit komunist - librat e të cilit, përmes një humori të zi, i trajtojnë temat si tradhtia, denoncimi dhe fshirja e historisë së papërshtatshme.

Kundera, tanimë 79 vjeçar, ka jetuar në një izolim virtual në Francë për më shumë se 30 vjet. Por, ai theu heshtjen duke i dhënë një intervistë agjencisë çeke të lajmeve CTK.

Ai e quajti raportin gënjeshtër, që synon ta diskreditojë atë para panairit të ardhshëm ndërkombëtar të librit.

"Jam i stepur nga diçka që nuk e kam pritur, nga diçka për të cilën kam mësuar dje dhe e cila nuk ka ndodhur. Thjesht, nuk është e besueshme. Kur dikush do të bëjë diçka të tillë, ai duhet të ketë motiv. E di se emri im ndodhet atje, por nuk e di se si është gjetur atje - mbetet mister. Si do të mund ta denoncoja dikë, nuk e di?!", ka thënë Kundera.

Instituti pranon se nuk i ka të gjitha përgjigjet. Disa nga njerëzit kryesorë të rastit, si i dashuri i Militkas, Dlask, tash është i vdekur. Nuk ka dokumente të policisë të nënshkruara nga Kundera.

Por, Reichl tha se instituti është i sigurt se dokumenti është autentik dhe hedh poshtë reagimin e Kunderas.

"Hedh poshtë idenë se ka pasur ta quajë atentat ndaj autorit para panairit të librit në Frankfurt, është një interpretim të cilin as që mund ta mendojmë. Instituti mbështet gjetjet nga Adam Hradilek, sepse ato jo vetëm që mbështeten nga letrat nga arkivi, por edhe nga deklaratat e njerëzve tjerë, që kanë pasur ndonjë rol në rastin në fjalë", tha Reichl.

Përfundimisht, rasti më shumë ngrit pyetje, sesa ofron përgjigje.

A mund të jetë e vërtetë? Nëse po, çka e ka shtyrë Kunderën që ta spiunojë dikë, që as nuk e ka njohur?

Nga ana tjetër - sa ka rëndësi? Gruaja e Dvoracekut, që tani jeton në Suedi, thotë se pas kaq shumë vitesh, nuk ka rëndësi më se kush e ka spiunuar burrin e saj.

Është një tjetër pyetje që vetë Kundera e ka shtruar në librin e tij "Shakaja"- një tregim për tradhtitë në epokën komuniste: "Çka nëse historia bën shaka?"
XS
SM
MD
LG