Ndërlidhjet

McCain - Obama: Përplasje e ashpër për ekonominë

  • Heather Maher

Barack Obama dhe John McCain, gjatë debatit të fundit televiziv, 15 tetor 2008.

Barack Obama dhe John McCain, gjatë debatit të fundit televiziv, 15 tetor 2008.

John McCain dhe Barack Obama u takuan për të fundit herë, para se amerikanët ta zgjedhin presidentin e tyre pas më pak se tri javësh. Debati ishte më i gjalli dhe më konkurruesi nga dy të mëparshmet.

Debati i fundit mund të krahasohet me ndeshjen e boksit, ku John McCain ishte sfiduesi i zemëruar, i cili doli nga këndi i tij duke u vërsulur, ndërsa Barack Obama ishte kundërshtari i qetë, i cili luante rreth ringut dhe jepte goditje të lehta.

Me një shikueshmëri të vlerësuar në rreth 60 milionë telespektatorë, mbrëmja e së mërkurës në Universitetin e Nju Jorkut ishte shansi i fundit i McCainit që t'i bindë amerikanët se ai meriton të jetë presidenti i ardhshëm.

Një sondazh i rrjetit CNN, i kryer pas debatit, tregoi se Obama fitoi 53% ndaj 31%, ndërsa sondazhi i CBS e caktoi Obamën fitues me 53% krahasuar me 22% për McCain.

Dy rivalët u takuan në ditën kur në bursat amerikane u shënua edhe një rënie për disa qindra pikë, prandaj ekonomia edhe një herë ishte temë qendrore e diskutimit.

Që të dy, McCain dhe Obama, e votuan planin e qeverisë prej 700 miliarda dollarësh, për të shpëtuar sektorin bankar amerikan, por këtu përfunduan pikat e përbashkëta të dy pretendentëve.

Plani i McCainit për të ndrequr ekonominë parasheh ulje të taksave për kompanitë e mëdha, të cilat i sheh si motorë kryesorë të prodhimit dhe krijimit të vendeve të punës. Ai gjithashtu do që qeveria t'i blejë kreditë e rreth 11 milionë shtëpive, të cilat amerikanët nuk mund t'i paguajnë.

Propozimi ekonomik i Obamës parasheh ulje të taksave për 90% të amerikanëve dhe rritje të taksave për ata që fitojnë më shumë se 250 mijë dollarë në vit. Ai gjithashtu ofron lehtësime tatimore për të punësuarit e rinj amerikanë dhe kërkon që njerëzit të mund t'i tërheqin kursimet pensionale pa paguar asnjë taksë.

Në një çast, McCain iu përgjigj përpjekjeve të Obamës që ta lidhë atë me presidentin George Bush.

"Senator Obama, unë nuk jam presidenti Bush. Nëse dëshiron të dalësh kundër presidentit Bush, këtë duhej ta bëje katër vjet më parë. Unë do t'i jap një kahje të re ekonomisë dhe këtij vendi", tha McCain.

Por, deklarata nuk ndikoi shumë tek rivali i tij. Obama i tha kundërshtarit se ai pak a shumë i paraqet politikat e dështuara të administratës së Bushit.

"Në thelbin e çështjeve ekonomike që shqetësojnë amerikanët, në politikën e taksave, politikën e energjisë, në prioritetet e shpenzimit, ju keni qenë mbështetës i flaktë i presidentit Bush", tha Obama, për të shtuar se ekonomia e vendit përballet me sfida afatgjata.

"Ne kemi disa sfida afatgjata ekonomike, me të cilat duhet të përballemi. Do të duhet ta ndreqim politikën e energjisë, e cila pasurinë tonë e çon jashtë, do të duhet ta ndreqim sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të investojmë në sistemin e edukimit, që çdo i ri të mund të jetë në gjendje të mësojë",
tha Obama.

McCain tha se rritja e vlerave të rrënuara të shtëpive është kyçe për zgjidhjen e krizës aktuale.

"Jam i bindur se duhet ta kthejmë prapa rënien e vazhdueshme në pronësinë e shtëpive, në mënyrë që njerëzit të mos kenë më vetëm shpresën, por edhe bindjen se mund të mbeten në shtëpitë e veta dhe ta kuptojnë ëndërrën amerikane se ajo vlerë do të rritet
", tha McCain.

Dy rivalët gjithashtu shkëmbyen fjalë rreth fushatave të tyre në javët e kaluara, duke akuzuar njëri tjetrin për sulme të pavërteta dhe personale. Emri i republikanes Sarah Palin, si nxitëse e mbështetësve të revoltuar, nuk u përmend vetëm një herë. Moderatori i pyeti kandidatët përse e kanë zgjedhur bashkëgaruesin e tyre.

Obama e lavdëroi senatorin Joe Biden për ekspertizën e tij në politikën e jashtme dhe angazhimet për njerëzit e thjeshtë, si gratë e abuzuara, punëtorët e çelikut, mësuesit dhe zjarrfikësit.

McCain tha se kur amerikanët e njohën Sarah Palin, ajo u "bë model i gruas" dhe shtoi se ajo do të sjellë "frymëmarrje të freskët" në Uashington.

"Unë mburrem me të, ajo ka bashkuar partinë tonë dhe njerëzit në mbarë Amerikën, të cilët kurrë nuk kanë qenë të përfshirë në procesin politik. Mund t'ju them se jam krenar për të dhe familjen e saj",
tha McCain.

Por, teksa Palin tërheq turmat entuziaste të mbështetësve partiakë, anketat e opinionit tregojnë se futja e saj në lojë nuk ka tërhequr shumë votuese gra. Një sondazh i New York Times madje tregoi se arsyeja kryesore e atyre që kundërshtojnë senatorin McCain, është për shkak se zgjodhi Palinin e papërvojë.

Amerikanët do të dalin në zgjedhje më 4 nëntor.
XS
SM
MD
LG