Ndërlidhjet

Daci: Qeverisja aktuale ka dështuar plotësisht


Nexhat Daci
Nexhat Daci

“Kosova po sillet ende sikurse në kohën e protektoratit fillestar, ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i iniciojë proceset dhe punët”, thotë kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Daci, institucionet e Kosovës po përgatiten për ballafaqimin që i pret në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në lidhje me mbrojtjen juridike, kushtimisht thënë, të pavarësisë. Si i shihni ju këto zhvillime dhe çfarë prisni nga procesi në Gjykatën e Hagës?

NEXHAT DACI
Unë mendoj që pas një suksesi të shkurtër të diplomacisë së Beogradit në Kombet e Bashkuara, brenda 24 orësh u zhvleftësua ai vendim i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, me faktin që krijuesit të kësaj pavarësie në Kosovë – presidentit Ahtisaari, iu nda çmimi Nobel për Paqe dhe çdo vend normal në botë e di se pos tjerash kontributi i fundit në atë Nobel është edhe çështja e Kosovës.

Unë jam i kënaqur me rrjedhat ndërkombëtare sa i përket ndikimit të miqve ndërkombëtarë dhe krejtësisht i pakënaqur me imputet tona ose kontributet tona si Kosovë në atë proces.

E përshëndes emërimin e avokatit britanik si profesor i Universitetit të Kembrixhit, si njeri me shuamë përvojë dhe ndoshta është mirë t’i prijë një ekipi. Por, koncepti im është se gjithmonë në shtëpinë tënde, punën kryesore duhet ta kryesh ti, do të thotë institucionet e Kosovës me kuadrin e bollshëm të saj në të gjitha lëmit.

Mos të shikohet vetëm kuadri në koalicionin qeverisës, i cili po duket se është i varfër si potencial. Por, në shoqërinë civile, në shoqërinë kosovare në përgjithësi dhe në partitë opozitare ka njerëz që mund të jenë bartës të procesit në kuptim të vëllimit të procesit, sepse atëherë suksesi do të jetë më i madh i avokatëve prijës dhe do të jetë dokumentimi më i bollshëm, më i suksesshëm.

RADIO EVROPA E LIRË

Thatë se nuk jeni të kënaqur me pjesën e punës së faktorit vendor. Çfarë duhet të bëhet ndryshe që opozita të jetë e kënaqur, qoftë me lobimin për pavarësinë apo edhe me rastet si ky i ballafaqimit me Gjykatën e Hagës?

NEXHAT DACI
Unë nuk jam i bindur në simpatizantët e pozitës se janë të kënaqur, ndërsa opozita po demonstron pakënaqësi të bazuara në faktin se po sillemi ende si protektorat fillestar, që gjithmonë duhet ta iniciojë një proces bashkësia ndërkombëtare dhe ajo ta kryejë për neve dhe ne ta lavdërojmë ose kritikojmë.

Koncepti i LDD-së dhe i imi është që duhet e kundërta të ngjajë. Pas pavarësimit të Kosovës, pas futjes së Kushtetutës në përdorim, ne duhet t’u prijmë të gjitha proceseve brenda Kosovës dhe propozimet tona në arenën ndërkombëtare; të mos presim gjithmonë patericat e dikujt ose dikush të na tërheqë.

Kjo shkakton pakënaqësinë time dhe një pakënaqësi që unë e quaj një politikë e mëhallëve. Veçanërisht në politikën e jashtme dhe në zhvillimin ekonomik duhet të ndryshojë qasja dhe këtë po e vërteton fakti se gjendja sociale është bërë kaotike në Kosovë dhe po demonstron se vërtet në koalicionin qeverisës nuk ka vizion për këtë rrugëdalje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund ta rrezikojë stabilitetin e brendshëm në Kosovë kriza sociale që çdo ditë e më tepër po thellohet me greva e pakënaqësi?

NEXHAT DACI
Unë jam i bindur se nëse nuk ndërmerren hapa të menduar mirë në krijimin e të ashtuquajturave institucione për menaxhimin e krizave në vend, ne do të përballemi me një situatë shumë të rëndë të destabilizimit të mjedisit politik dhe në atë kaos ne do të humbim shumë në arenën ndërkombëtare.

Dhe, atëherë, nuk kemi kë ta kritikojmë ose sulmojmë, por përgjegjës jemi vetë. Të gjitha resurset e Zotit, ato natyrore dhe njerëzore, i kemi për një fillim të mbarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç sfidave aktuale me një lloj krize sociale, Kosova e pavarur u ballafaqua edhe me një sfidë tjetër që nga ditët e para, përkatësisht me gjendjen në pjesën veriore. Në analiza të ndryshme thuhet se kjo paraqet edhe një kërcënim për tërësinë territoriale të Kosovës. Sa e shihni ju këtë si rrezik për ndarje?

NEXHAT DACI
Unë mendoj se qeverisja në Kosovë ka dështuar në plotësi, jo për faktin që nuk e ka mbyllur kufirin ose veriun nuk e ka bërë si të gjitha pjesët tjera, si lindjen, jugun dhe perëndimin, por pse nuk ka prezantuar një program, një proces se si e shohim ruajtjen e integritetit territorial, me të cilin na kanë pranuar 51 shtete.

Unë do të insistoja gjithmonë në politikën në Kosovë që punët tona ne t’i programojmë. Nuk e fajësoj qeverinë pse nuk e ka mbyllur kufirin ose pse nuk funksionon dogana. Por, pakënaqësia ime shtrihet në faktin se nuk ka koncept të qartë. Deklaratat që i kam lexuar në media se ‘ne nuk parashohim të përdorim forcën për të ruajtur territorin ose dike”, janë qesharake, i përngjasin ndonjë bashkësie lokale, as komunës jo.

Askush nuk kërkon në Kosovë që ne të futemi në luftë me dikë, por gjithkush pret prej qytetarëve që ne të kemi koncept të qartë dhe të ballafaqohemi me realitetin. Realiteti është që Kosova fizikisht është e ndarë, një pjesë e madhe e territorit të saj. Realiteti është se strukturat paralele janë fuqizuar tej mase, edhe në enklavat.

Prandaj, është për t’u brengosur. Unë mendoj se LDD-ja si opozitë është e gatshme nëse kërkohet nga qeverisja në Kosovë që të japim kontributin tonë, t’i bashkëngjitmi proceseve, sepse na obligon edhe etika, edhe ajo për çka kemi jetuar dhe luftuar këto vite.
XS
SM
MD
LG