Ndërlidhjet

logo-print

Një numër i madh i familjeve kosovare nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Kështu thonë, në Ditën Botërore të Ushqimit, autoritetet vendore, duke shtuar se në gjendjen më të rëndë janë familjet që jetojnë me më pak se një dollar në ditë.

Mbi 15 për qind e familjeve kosovare vlerësohet se jetojnë në varfëri ekstreme, apo me më pak se 1 dollar në ditë. Këto janë të dhënat e fundit të Bankës Botërore dhe të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarët e së cilës thonë se këto shifra mund të jenë edhe më të larta.

Kjo kategori e shoqërisë nuk ka as ushqim të mjaftueshëm, thonë zyrtarë qeveritarë, në Ditën Botërore të Ushqimit. Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se varfëria dhe mungesa e ushqimit janë prezente në Kosovë sikur në vendet tjera të botës.

“Nuk ka vend në botë që nuk ka njerëz të tillë. Fatkeqësisht, varfëria është problem global botëror; krizat sociale dhe krizat tjera janë probleme globale. Këto probleme më se shumti e kanë goditur Kosovën si rajon dhe vatër e krizës në këto dy dekadat e fundit”, thotë Dedaj.

Por, mbi 17 mijë familje të tjera, të cilat nuk gëzojnë asgjë nga qeveria, janë të regjistruara në Kryqin e Kuq të Kosovës, të cilat kanë nevojë për produktet elementare ushqimore. Kështu thotë Feride Hyseni, nga kjo organizatë, duke shtuar se ky problem është mjaft shqetësues në Kosovë. Ajo thotë se gjatë këtij viti, gjendja është rënduar edhe më tepër, pasi janë ngritur çmimet e produkteve ushqimore.

“Kryesisht, familjet ballafaqohen me skamje të ushqimit - miell, vaj, oriz, makarona dhe sheqer. Shihet se ushqyshmëria tek këta njerëz është shumë shqetësuese, aq më tepër kur nga viti i kaluar, çmimi i artikujve ushqimorë është dyfishuar. Ne, si Kryq i Kuq i Kosovës, në mungesë të fondeve, që më herët blinim dy herë në vit, nga 100 tonë miell, 10 mijë litra vaj, ne në këtë vit nuk do të mund të blejmë dy herë në vit. Ndoshta e përmbushim një herë, por jo dy herë, sepse është shumë problem”, shprehet Hyseni.

Fëmijët janë ata që vuajnë më se shpeshti nga uria dhe ushqimi jo i mirë. Lidhur me këtë, pediatri Njazi Shala pohon se ka raste kur në Klinikën Pediatrike në Prishtinë vizitohen fëmijë nga sëmundjet që lidhen me mungesën e ushqimit.

“Nëse jo drejtpërdrejt për çështje të ushqimit, në mënyrë indirekte vijnë, sepse mungesa e ushqimit, rënia e forcave mbrojtëse të organizimit, shkaktojnë patologji dhe sëmundje më të shpeshta. Prandaj, në mënyrë indirekte, fëmijët do të vizitojnë shumë më shpesh mjekun, klinikën, spitalin, për shkak të këtyre çështjeve”, tha dr Shala.

Megjithatë, investimet në sektorin e bujqësisë mbeten zgjidhja kryesore që uria të luftohet, duke u dhënë mundësi qytetarëve që të ushqehen vetë, thotë Sylë Sylani, zëvendësministër i Bujqësisë. Ai beson se Kosova ka burime të nevojshme për të prodhuar ushqim të mjaftueshëm, që të përmbushen kërkesat dhe të eliminohet uria.

“Potencialet janë të mëdha, mundësitë janë të vogla, për shkak se nuk kemi pasur qasje dhe ende nuk kemi në Fondin Monetar Ndërkombëtare dhe në Bankën Botërore. Fondi, i cili ndahet për zhvillimin e bujqësisë, është shumë i vogël në mënyrë që të arrihet një rendiment më i lartë për t’i plotësuar nevojat për popullsinë e Kosovës”, tha Sylani.

Ndryshe, objektivat e Mileniumit, të përcaktuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, kërkojnë që deri në vitin 2015 në tërë botën të zvogëlohet në masën 50 për qind numri i personave që vuajnë nga varfëria dhe uria.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG