Ndërlidhjet

“LDK kërkon kthimin e ‘anëtarësisë tradicionale’”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Qeveria e Republikës së Kosovës ka premtuar të enjten se me buxhetin e vitit 2009 do të shuhen të gjitha pakënaqësitë sociale. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se me planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, qeveria do ta bëjë zgjidhjen më të mirë të mundshme për të gjithë sektorët e shërbyesve civilë... “Si qeveri do të jemi tërësisht të përkushtuar dhe shumë shpejt, gjatë planifikimit buxhetor 2009, do të dalim me qëndrim për të gjithë sektorët e shërbimit civil. Qeveria do të nxjerrë vendim unik dhe gjithëpërfshirës për të gjithë shërbyesit civilë”, ka bërë të ditur Thaçi, duke shtuar se projekt-buxhetin për vitin 2009, qeveria do t’ia paraqesë Kuvendit gjatë këtij muaji. Kryeministri i vendit ka thënë se qeveria, të cilën e udhëheq ai, nuk do t’i hyjë logjikës së veprimeve ‘ad hoc’ për shuarjen e pakënaqësive, por ideja, sipas tij, është që të zgjidhen në kuadër të reformave dhe politikave të detajuara për të gjithë shërbyesit civilë...

KOSOVA SOT
Ndonëse subjektet politike në koalicionin qeverisës tash kanë rënë dakord që viti 2009 të jetë vit i zgjedhjeve të reja për pushtetin lokal, opozita nuk pajtohet me një “karotë” të tillë, por kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në të dyja nivelet brenda të njëjtit vit. Subjektet politike opozitare janë këmbëngulëse se për këtë kërkesë kanë plotësisht të drejtë, sepse vetë rrethanat kushtetuese në Kosovë janë të atilla që kërkojnë rikonfirmim të ri të vullnetit politik të elektoratit pas ndryshimeve kushtetuese, për të krijuar institucione të reja në përputhje me bazën kushtetuese të Kosovës dhe në harmoni me dokumentin e Ahtisaarit. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se bërja publike e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të reja edhe për nivelin lokal, por edhe për atë qendror, është çështje që po heziton ende ta bëjë publike lidershipi qeverisës në Kosovë, ngase, sipas tij, kjo çështje tash është marrëveshje e kryer me faktorin ndërkombëtar...

KOHA DITORE
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje publike anëtarësisë së vet tradicionale, të enjten, që t’i kthehet partisë. Përveç kësaj, LDK-ja i ka bërë thirrje edhe anëtarësisë së re dhe të pritshme “të hyjnë në procesin e fuqishëm të reformimit të strukturave të partisë, në ditët dhe në muajt në vijim”. Një thirrje të tillë, partia numër dy e ka bërë pas mbledhjes së kryesisë së saj. Kjo thirrje, e bërë nëpërmjet një deklarate, llogaritet të jetë pjesë e dinamikës së implementimit të reformave që partia ka në plan t’i bëjë, sipas propozimit të shefit të saj ekzekutiv, Blerim Kuçi. “Kryesia e LDK-së është e bindur që programi i saj themelor politik, nacional e ekonomik, mban vlerat më të forta konkurruese për të zhvilluar dhe transformuar Kosovën e pavarur dhe demokratike”, thuhet në këtë deklaratë, lexuar nga nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri...

ZËRI
Agjencia Kosovare e Privatizimit u ka borxh punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara hiç më pak se 60 milionë euro. Pasi që nga 380 milionë eurot e grumbulluara në Fondin e Privatizimit, 76 milionë euro automatikisht u takojnë punëtorëve, përderisa vetëm rreth 16 milionë euro deri më tani janë shpërndarë në emër të 20 përqindëshit. Këtë e ka konfirmuar dje në konferencën e parë për shtyp pas themelimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, zëvendësdrejtori Shkumbin Bicaj. Kjo shumë e madhe e mjeteve të papaguara në emër të 20 përqindëshit të punëtorëve në fakt është krijuar nga agjencia paraardhëse e AKP-së (ish-AKM),mirëpo vazhdimi i procesit të privatizimit dhe shpërndarja e mjeteve të 20 përqindëshit do të bëhet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit...

INFOPRESS
Java që shkoi ishte një javë shumë me rëndësi dhe e suksesit të plotë për Republikën e Kosovës. Kosova fitoi njohjen nga Portugalia dhe nga dy vendet fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia, por ndërkohë ne fituam edhe njohjen e munguar nga Emiratet e Bashkuara. Këto komente i ka bërë të enjten në Prishtinë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes së rregullt të kabinetit qeveritar. Thaçi ka falënderuar me këtë rast institucionet e Kosovës dhe ministrin e Punëve të Jashtme për diplomacinë aktive, e cila, sipas tij, ka pasur kontribut të madh në këtë drejtim. “Në emër të qeverisë, i falënderoj këto vende për njohjet, për vendimet e tyre shumë të përgjegjshme. Kosova deri më tani është njohur nga 51 shtete të ndryshme të fuqishme të botës. Presime edhe njohje të reja në të ardhmen e afërt”, tha kryeministri Thaçi...

BOTA SOT

Pas më shumë se dy javëve, Kryesia e lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur në takimin e vet të rregullt, por nuk ka marrë vendim për emrat e dy zëvendësministrave, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë dhe në Ministrinë e Industrisë e Tregtisë... Nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferati, ka thënë pas takimit se kjo çështje është diskutuar në mes të nënkryetarëve, por që nuk është marrë vendimi për të përcaktuar kandidatët për këto dy poste që i takojnë LDK-së. “Është biseduar në mes të nënkryetarëve të partisë dhe besoj se shumë shpejt do t’i bëjmë publikë emrat. Arsyeja e një vonese, thënë kushtimisht, është qasja jonë shumë seriozë për këto dy poste”, tha Ferati...

LAJM
Është e domosdoshme që rikonfigurimi i UNMIK-ut të përfundojë sa më shpejt, ndërsa misioni i EULEX-it të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kështu tha të enjten presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimit që pati me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier. “Republika e Kosovës është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore e bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, ndaj angazhohemi për relaksimin e raporteve edhe me Serbinë, si dy shtete sovrane e fqinje, por asnjë lloj bisede tjetër, që në çfarëdo mënyre mund të lidhet me statusin; nuk është e pranueshme për ne, sepse statusi i Kosovës është përmbyllur përgjithmonë me pavarësimin e saj”, tha Sejdiu. Shefi i UNMIK-ut, Zannier, në këtë takim e ka njoftuar presidentin për ecurinë e procesit të rikonfigurimit të UNMIK-ut...

EXPRESS
Përfaqësuesit e shteteve të Grupit të Kontaktit në Prishtinë janë njoftuar të enjten nga shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, për zhvillimet më të reja në dialogun mes OKB-së dhe autoriteteve serbe. Zyrtarë të UNMIK-ut kanë thënë për Express se biseda është përqendruar rreth takimeve të Zannierit në Nju Jork me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, përfshirë dy takime me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Pas kërkesës së shefit të diplomacisë serbe që zgjidhjet të arrihen gjatë këtij muaji, UNMIK-u dhe Beogradi kanë intensifikuar bisedimet për rivendosjen e pikave doganore në veri dhe rikthimin në punë të rreth 300 policëve serbë të Kosovës...
XS
SM
MD
LG