Ndërlidhjet

Kriza financiare mund ta kaplojë Evropën Lindore


Kriza financiare që ka kapluar shtetet më të fuqishme në botë, ka shtrirë ndikimin e saj edhe te vendet me ekonomi më pak të zhvilluar. Banka Botërore u rekomandon shteteve të Evropës Lindore e Azisë Qendrore që të përgatiten nga ndikimi i krizës financiare dhe të ndërmarrin masa për të mbrojtur shtresat më të ndjeshme në shoqëritë e tyre.

Banka Botërore ka paralajmëruar shtetet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore që të shtrëngohen nga ndikimi i krizës financiare, e cila aktualisht i ka mbërthyer ekonomitë perëndimore.

Duke theksuar se kriza është ende në fillin e saj, Banka parashikon se rajoni do të përjetojë një ngadalësim ekonomik pjesërisht, për shkak se kërkesa për eksport nga BE-ja do të ulet, meqë vendet e bllokut përballen me telashet kreditore.

Kreu për ekonomi i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Pradeep Mitra, shpjegon ndikimin që do të ketë kriza në rajon.

"Rajoni ynë është integruar në tregun global dhe sistemin financiar dhe për këtë arsye do të ndjejë fuqishëm ndikimin e turbulencës së tregjeve financiare".

"Këtë tashmë po e shohim në vendet baltike - në Estoni dhe Letoni, të cilat kanë pasur shifra të mëdha të rritjes ekonomike, dhe papritmas nga vlera dyshifrore, rritja ka rënë në pothuaj zero dhe mbase do të ketë edhe tkurrje",
thotë Mitra.

Banka i këshillon politikë-bërësit që të përgatiten për përgjigje të shpejta ndaj ndryshimit të mjedisit financiar.

"Politikë-bërësit gjithmonë mund të reagojnë për të lehtësuar efektet e shokut. Janë disa gjëra bazike që mund të bëjnë vendimmarrësit - mund të zhvendosin disa nga shpenzimet publike kah subvencionet, të cilat janë të drejtuara për të varfrit".

"Për shembull, të riplotësohet rrjeti i sigurimeve; Kirgizia ta zëmë ka një rrjet të tillë shumë të mirë, nëse ka burime mund ta riplotësojë. Kjo mund të shërbejë si mbrojtje ndaj ndikimit të rënies së të ardhurave nga emigrantët, dhe ky është një rekomandim që u kemi bërë shumë shteteve",
thotë Mitra.

Ai, po ashtu, thekson se edhe për një kohë rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, sikurse edhe një pjesë e madhe e botës, do të shohë thellim të inflacionit.

"Ndikimi i çmimit të ushqimit ka qenë më i madh në vendet e varfra. Shtetet si Kirgizia dhe Taxhikistani në Azinë Qendrore, por edhe si Moldavia, kanë ndjerë shumë këtë efekt".

"Kjo i ka kontribuar inflacionit. Megjithatë, derisa të ketë zbutje të rritjes së çmimit të ushqimit, gjë që po e shohim tani, dhe derisa të bie çmimi i karburanteve, gjë që po e shohim tani, ndikimi në inflacion do të zbutet dhe shpresoj se me kohë do të bie çmimi i ushqimit në shtetet e varfra",
tha Mitra.
XS
SM
MD
LG