Ndërlidhjet

logo-print

Kosova me Rezolutë miraton objektivat e Mijëvjeçarit


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës aprovoi një Rezolutë, me të cilën miraton Deklaratën e Mijëvjeçarit. Me këtë Rezolutë, u tha se Kosova dëshmon se është e gatshme t'u bashkohet vendeve nënshkruese të Deklaratës së Mijëvjeçarit dhe realizimit të objektivave të tij.

Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute, ka miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk mund të jetë nënshkruese e kësaj Deklarate, me këtë Rezolutë shprehet gatishmëria e Kosovës që t’u bashkohet vendeve tjera dhe ta miratojë këtë Deklaratë, e cila, mes tjerash, ka të bëjë edhe me barazinë gjinore, zhdukjen e analfabetizmit, luftimin e varfërisë dhe sëmundjeve të rënda.

Tani, kur Kosova është shtet i pavarur, nëse ende nuk janë krijuar kushtet që të jetë nënshkruese e Deklaratës, ajo mund të miratojë Rezolutën për të shprehur gatishmërinë e saj për zbatimin e objektivave të Mijëvjeçarit, tha kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Teksti i Rezolutës së miratuar është lexuar nga deputeti Naim Maloku, i cili tha se objektivat e Mijëvjeçarit janë në harmoni me objektivat e institucioneve të Kosovës.

“Duke pasur parasysh që agjenda e Mijëvjeçarit e OKB-së është në përputhje me proceset e integrimit evropian dhe duke rikonfirmuar aspiratën e Kosovës për integrim evropian në frymën e parimeve e vlerave të Kombeve të Bashkuara dhe në përpjekje të shtuara për të arritur objektivat për zhvillim të Mijëvjeçarit, Kuvendi i Republikës së Kosovës aprovon Deklaratën e Mijëvjeçarit sipas tekstit të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, lexoi tekstin e Rezolutës, deputeti Maloku.

Në fjalimin e tij para Kuvendit, presidenti Fatmir Sejdiu tha se me miratimin e Deklaratës së Mijëvjeçarit, Kosova u bashkohet vendeve tjera që synojnë një shkallë më të lartë të zhvillimit të gjithëmbarshëm të njerëzimit.

“Me aprovimin nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, sot edhe formalisht po deklarohemi se do të punojmë në përmbushjen e tetë parimeve të Deklaratës së Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Ne do të punojmë bashkërisht që qytetari i Kosovës të përfitojë thellësisht nga ky proces, duke krijuar ndryshim në cilësinë e jetës, në mënyrë që çdo njeri të ketë shëndet, edukim, strehim e siguri”,
tha Sejdiu.

Objektivat e Mijëvjeçarit do të zbatohen nga Qeveria e Kosovës, është zotuar kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se këto objektiva janë në harmoni edhe me synimet integruese të Kosovës, e cila si shtet i ri mëton të jetë pjesë e trendeve të përgjithshme globale.

“Objektivat zhvillimore të Mijëvjeçarit të OKB-së janë pjesë e rëndësishme e përmbushjes së obligimeve shtetërore të Republikës së Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe atë global. Kuvendi i Republikës së Kosovës sot po ndërmerr hapin historik të votimit të Rezolutës për miratimin e objektivave të Mijëvjeçarit”,
theksoi Thaçi.

Rezoluta e miratuar është përshëndetur edhe nga zyrtarët e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara. Guido Schmidt, nga UNDP-ja, tha se vendimi i sotëm i Kuvendit është shumë i rëndësishëm për Kosovën në zhvillimin e shoqërisë së saj, duke pasur parasysh se Kosova ka një përqindje të madhe të popullatës së re në moshë.

Deklarata e Mijëvjeçarit është nënshkruar në vitin 2000 nga 189 vende të botës, anëtare të Kombeve të Bashkuara. Në kuadrin e kësaj deklarate janë përfshirë edhe objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, të cilat janë eliminimi i varfërisë ekstreme dhe i urisë, luftimi i analfabetizmit, nxitja e barazisë gjinore, reduktimi i vdekshmërisë foshnjore, përmirësimi i shëndetit të nënës, luftimi i sëmundjeve të rënda ngjitëse, krijimi i një mjedisi të shëndoshë e tjera.

Në bazë të këtyre objektivave, janë marrë disa angazhime, për realizimin e të cilave si afat kohor është vendosur periudha deri në vitin 2015.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG