Ndërlidhjet

logo-print

Në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, autoritetet kosovare kanë pohuar se janë duke punuar në përmirësimin e kësaj gjendjeje. Por, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se institucionet vendore nuk kanë qenë efikase në luftimin e varfërisë.

Qeveria e Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme për të luftuar varfërinë në Kosovë, edhe pse kjo betejë është shumë e vështirë. Kështu thonë zyrtarë qeveritarë në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se familjet në gjendje të rëndë socio-ekonomike janë të përfshira në skemat e asistencës sociale. Ai thotë se mbi 35 mijë familje kosovare me mbi 150 mijë anëtarë marrin nga 35 deri në 65 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

“Sipas parametrave apo shënimeve që ne i kemi të mbuluara me skemat tona të përfitimeve sociale, rezulton se deri në 17 për qind të popullsisë janë të varfër apo gjegjësisht janë të mbuluar me skemat e asistencës sociale. Ne jemi duke luftuar që kategoritë që janë në varfëri të skajshme, përherë të jenë të mbuluara, derisa ato të tejkalojnë gjendjen”, tha Gjocaj.

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike thonë se varfëria nuk luftohet me ndihma sociale. Sefedin Sefa pohon se mënyra e vetme për luftimin e varfërisë është krijimi i vendeve të reja të punës.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës, institucionet në Kosovë duhet të orientojnë edhe vullnetin e donatorëve, vullnetin e institucioneve financiare, në përgatitjen e strategjive që kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të reja të punës, që është rruga më e qëlluar që të zvogëlohet varfëria”, thotë Sefa.

Edhe Muhamet Gjocaj pajtohet se varfëria nuk mund të luftohet në këtë mënyrë, por ai thotë se skemat sociale kanë qëllim që familja mos të vuajë edhe për gjërat elementare.

”Të ndihmohen gradualisht, se ndoshta pas një kohe të caktuar do ta kalojnë vetë gjendjen, do të rritet dikush në familje dhe do të fillojë të punojë. Por, që të ulet shkalla e varfërisë, është i nevojshëm një investim më i madh, një joshje e investitorëve të huaj që të shtohet tregu i punës
”, tha Gjocaj.

Ndryshe, me rastin e Ditës Botërore për Zhdukjen e Varfërisë, organizata joqeveritare “Çohu” ka mbajtur një protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për t’ua kujtuar, siç është thënë, qeveritarëve dhe përfaqësuesve në Kuvend, se gjysma e popullatës jetojnë në varfëri absolute dhe një e pesta e popullatës në varfëri ekstreme.

Alban Bokshi, nga kjo organizatë, tha se krejt çka u kanë ofruar institucionet kosovare deri më tani shtresave të varfra të shoqërisë, është keqardhja dhe lëmosha.

Ky parlament dhe kjo qeveri, pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet dhe kush e ka pasur shumicën, nuk kanë ndërmarrë kurrfarë politikash për të zbutur varfërinë. Ne varfërinë e definojmë në dy aspekte - në aspektin material dhe jomaterial. Përveç që nuk kanë të ardhura, këta njerëz nuk kanë as qasje në shëndetësi, për shkak se janë të varfër, nuk kanë qasje as në arsim, nuk kanë qasje as në pjesëmarrjen politike, nuk janë të pyetur fare”, thotë Bokshi.

Sipas statistikave të fundit të Bankës Botërore, thuhet se mbi 45 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri, 15 për qind prej tyre në varfëri të skajshme, ndërkaq 18 për qind të qytetarëve tjerë janë të rrezikuar nga varfëria.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG