Ndërlidhjet

Qeveria me strategji për pakicat


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Komuniteti rom dhe ashkali në Kosovë ndihet i neglizhuar nga institucionet e shtetit të Kosovës. Përfaqësues të këtyre komuniteteve thonë se nuk i kanë mundësitë ligjore për përmirësimin e jetës së tyre në vend, gjë të cilën e hedh poshtë Qeveria e Kosovës, duke garantuar se tanimë ka një strategji konkrete të veprimit në këtë drejtim.

Qeveria e Kosovës garanton se ka një strategji konkrete për përmirësimin e jetës së komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, tha se strategjia ka të bëjë me përmirësimin e situatës së këtyre komuniteteve pakicë në fushën e arsimit, të kulturës, shëndetësisë, si dhe ka për qëllim mundësimin e mirëqenies sociale, pjesëmarrjes në vendimmarrje, punësimin, pastaj zhvillimin ekonomik dhe të tjera.

Këto komente, numri dy i ekzekutivit kosovar, Manaj, i bëri gjatë një debati në Çagllavicë, ku u diskutua mbi temën "Pozita momentale e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë".

"Strategjia tanimë është hartuar si draft dhe natyrisht se ne do të dalim me rekomandimet konkrete për fushat tematike e të veçanta, që konsiderohen si thelbësore në zhvillimin e këtyre komuniteteve", u shpreh Manaj.

Përfaqësuesit e komunitetit rom dhe ashkali në Kosovë shprehen të pakënaqur me angazhimet e deritanishme të institucioneve kosovare për përmirësimin e jetës së tyre në Kosovë.

Ata thonë se Qeveria e Kosovës ka bërë dallime në trajtimin e minoriteteve në Kosovë, duke mos u kushtuar kujdesin e duhur secilës shtresë të shoqërisë në vend. Përfaqësuesi i komunitetit ashkali në Kosovë, Agim Hyseni, sqaron:

"Situata politike në të cilën ndodhet Kosova, si dhe zhvillimet politike që pritet të ndodhin në përmbushjen e standardeve për integrimin e Kosovës në Unionin Evropian, kanë bërë që trajtimi i minoriteteve në Kosovë të mos bëhet me qasje të njëjtë për të gjithë".

Hyseni u kërkon institucioneve shtetërore të Republikës krijimin e një shoqërie multi-etnike pa dallime fetare apo diferencime të tjera të çfarëdoshme.

"Komuniteti ashkali kërkon respektimin e të drejtave, që ka për qëllim krijimin e një shoqërie ku të gjithë mund të flasin me një gjuhë të njëjtë. Kjo nënkupton një shoqëri të integruar, e jo të ndarë në mënyrë të vrazhdë nga entiteti dhe feja
", shton ai.

Komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 4 deputetë, ndërsa në nivelin lokal akoma nuk është formuar ligji adekuat që siguron pjesëmarrjen e këtyre komuniteteve në vendimmarrje për çështjet komunale.

Përfaqësuesi i sektorit civil të komunitetit rom në Kosovë, Osman Osmani, konsideron se mungesa e pjesëmarrjes në pushtetin lokal krijon një pamundësi për ndryshimin e gjërave në të mirë të komunitetit rom në vend.

"Komuniteti rom, për fat të keq, në asnjë komunë nuk e ka numrin e mjaftueshëm për të qenë i përfaqësuar në nivel lokal. Me rregullore dhe ligje të reja të pushtetit lokal nuk parashihet përfshirja e komunitetit në nivel lokal, gjë që i pamundëson këtij komuniteti të ndihmojë në përmirësimin, apo eliminimin, apo zvogëlimin e problemeve me të cilat ballafaqohet", mendon Osmani.

Sipas disa të dhënave nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR, në Kosovë jetojnë rreth 5 për qind të pakicës joserbe: boshnjakë, turq, goranë, egjiptianë, romë dhe ashkalinj.
XS
SM
MD
LG