Ndërlidhjet

logo-print

Gruda: Kosova ka më shumë fakte në GJND, sesa Serbia


Zejnullah Gruda

Zejnullah Gruda

“Gjykata duhet ta dijë se Kosova është okupuar në vitin 1912-13 dhe është okupuar me akte të gjenocidit”, thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gruda, juristi Michael Wood është zgjedhur për t’i prirë ekipit kosovar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës. Ju, si e shihni këtë çështje?

ZEJNULLAH GRUDA
Unë konsideroj se është një vendim i qëlluar. Në këtë moment, Kosova nuk ka personalitet që do të mund ta përfaqësonte në mënyrë më të mirë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Është krejt normale që shtetet e vogla, shtetet relativisht të reja, të kërkojnë ndihmën e specialistëve të ndryshëm dhe në kuadër të asaj nuk është asgjë e jashtëzakonshme, është krejt normale që Kosova ka kërkuar një kudër të jashtëm, një kuadër të afirmuar, një kuadër të njohur, i cili besoj se shumë denjësisht mund të mbrojë çështjen kauze të Kosovës pranë GJND-së.

Unë besoj se edhe udhëheqësi i ekipit do të angazhojë edhe persona të tjerë, qoftë të jashtëm, qoftë të brendshëm, të cilët duhet të përbëjnë një ekip, që duhet të funksionojë në mënyrë të mrekullueshme në përgatitjen e mbrojtjes, në paraqitjen e argumenteve.

Çështja e krijimit të shteteve të reja, para së gjithash, trajtohet në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare si çështje faktike, jo çështje juridike.
Çështja e krijimit të shteteve të reja trajtohet në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare si çështje faktike, jo çështje juridike.


Ajo që e drejta ndërkombëtare rregullisht kërkon, është plotësimi i disa kushteve, të cilat janë të formuluara afërsisht 75 vjet përpara, në një konferencë të shteteve latino-amerikane në Montevideo të Urugvajit, sipas të cilave, për ekzistimin e një shteti të ri kërkohet plotësimi i disa fakteve, disa çështjeve; midis tyre është të ketë popullsinë e përhershme, të ketë territorin e caktuar, të ketë pushtetin sovran dhe të ketë aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtete të tjera.

Natyrisht, sot kërkohet domosdo që shteti i ri të shprehë gatishmërinë dhe të jetë i aftë që t’i përmbushë detyrimet ndërkombëtare, që dalin nga dokumentet më të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare, duke filluar nga Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, edhe dokumente të tjera, të cilat mund të jenë të karakterit universal ose të karakterit regjional.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë argumentet, të cilat duhet t’i paraqesë pala kosovare në GJND?

ZEJNULLAH GRUDA
Unë besoj se Kosova ka çka thotë për çështjen e saj. Para së gjithash, duhet të përdorë argumentet historike.

Gjykata duhet ta dijë se Kosova është okupuar në vitin 1912, në tremujorin e fundit të vitit 1912 dhe në tremujorin e dytë të vitit 1913, dhe është okupuar me akte të gjenocidit. Çdo gjyqtar mund t’i referohet shkrimeve të Llav Trockit, i cili ka qenë reporter lufte në atë kohë, nga luftërat ballkanike, i cili ka dëshmuar në mënyrë shumë të qartë se okupimi edhe i Maqedonisë, edhe i Kosovës, është bërë me akte të gjenocidit.

Natyrisht, Kosova është mbajtur kundër vullnetit të vet, kundër vullnetit të popullit - të shprehur edhe në Lëvizjen Nacionalçlirimtare nga Lidhja e Prizrenit, por edhe më vonë, mjafton këtu të përmendet Konferenca e Bujanit, por edhe nga dokumentet që janë miratuar në fund të shekullit njëzet, me të cilat populli shqiptar definitivisht, në mënyrë shumë të qartë, pa ekuivokë, ka shprehur vullnetin e vet, ose që të bashkohet me Shqipërinë, ose të jetë subjekt i veçantë.

Argumentet tjera janë të karakterit juridik, janë të karakterit etnik. Kosova, kur është okupuar në vitin 1912-13, ka pasur 15 për qind të popullatës që kanë qenë ortodoks dhe që kanë qenë serbë. Pjesa dërrmuese e popullsisë kanë qenë shqiptarë.

Edhe ajo strukturë, përkundër përpjekjeve që të ndërrohet artificialisht me masa imponuese të regjimeve reaksionare, prej regjimeve mbretërore e edhe disa tjera, nuk ka mundur të ndryshojë rrënjësisht.

Maksimumi që është arritur ka qenë që të gjitha grupet, të gjitha komunitetet joshqiptare përbëjnë një të tretën e popullsisë. Ky është raporti më i keq që ndonjëherë ka ekzistuar.

Ne, si pjesëtarë të një kombi, të cilët dallohen qenësisht sipas të gjitha kritereve që determinojnë kombin, nga serbët, për shkak se kemi një origjinë tjetër, kemi një gjuhë tjetër, jemi të një feje tjetër, banojmë në një territor tjetër, kemi një histori të veçantë, kemi aspirata të veçanta, nuk na lidh asgjë.

Kjo është edhe ajo që praktikisht të gjithë e kanë afirmuar, nga juristi i famshëm italian Mançini deri te ata të cilët e kanë proklamuar të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje, që është në esencë vullneti i përgjithshëm i popullit, i manifestuar në mënyrë të qartë.

Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur dilema se janë të ndryshëm dhe se duan të jenë zot në shtëpinë e vet. Janë edhe argumente të tjera. Argumentet tjera që domosdo duhen pasur parasysh, janë argumentet që kanë të bëjnë me një sistem represiv, i cili ka qenë i orientuar për një shekull ose në asimilimin e shqiptarëve, ose në zhdukjen e plotë ose të pjesshme të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për status të barabartë me Serbinë në këtë çështje. Cilat janë gjasat për një gjë të tillë?

ZEJNULLAH GRUDA
Sipas rregullave, në atë moment kur miratohet kërkesa për mendim këshillues, e këtë kërkesë mund ta bëjnë organet e ndryshme të Kombeve të Bashkuara, para së gjithash Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit dhe institucionet e specializuara, më vonë kjo e drejtë u është dhënë edhe organeve të tjera të Kombeve të Bashkuara – Këshillit ekonomiko-social dhe Këshillit të kujdestarisë edhe 11 institucioneve të specializuara, në atë moment sekretari i organizatës, e cila ka bërë kërkesë, ose institucioni i specializuar, i dërgon kryetarit të gjykatës një informatë, me të cilën kërkohet mendimi këshillëdhënës, ose sekretarit të gjykatës.

Sekretari i gjykatës ose kryetari i gjykatës e ka për detyrë, edhe rregullisht kështu vepron, që për kërkesën i informon të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare edhe shtetet që kanë të drejtë të paraqiten para gjykatës për të dhënë informata, të cilat mund të ndihmojnë në trajtimin e çështjes.

Unë besoj se kërkesa e Kosovës është plotësisht e drejtë, është plotësisht e ligjshme, për shkak se Kosova është para së gjithash e interesuar për këtë çështje dhe unë besoj se gjykata këtë do ta miratojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, Kosovën e kanë njohur si shtet 51 vende. Si e vlerësoni ju çështjen e lobimit dhe njohjeve?

ZEJNULLAH GRUDA
Personalisht unë jam i kënaqur edhe me dinamikën, edhe me njohjet që janë bërë deri tash. Unë jam ndër të parët që kam përmendur njohjet kualitative. Në kuadër të njohjeve kualitative, unë domosdo nënkuptoj se për Kosovën dhe për secilin shtet të ri është e interesit të jashtëzakonshëm që të fitohet njohja e shteteve të mëdha.

Ne duhet të punojmë, të sigurojmë njohje shumë më të mëdha, të korrigjojmë disa gabime që ne i kemi pasur dhe të cilat i kemi trashëguar nga e kaluara, për shembull, qëndrimi ndaj shteteve islamike, ndaj shteteve arabe etj., ndaj të cilave ne nuk jemi sjellë ashtu si është dashur, ndonjëherë edhe për shkak të defekteve që nuk janë për t’u përmendur këtu.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG