Ndërlidhjet

Ahtisaari: Shtetet e pasura e kanë njohur Kosovën


Ish presidenti finlandez, që e fitoi çmimin Nobel për Paqe, për ndërmjetësimin e tij në Kosovë dhe për konfliktet e tjera në mbarë botën, Martti Ahtisaari, tha se Serbia nuk do të ketë opsion tjetër por që ta njohë shtetin e ri ballkanik, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja londineze, Guardian.

Në intervistën për këtë gazetë, Martti Ahtisaari, 71vjeçar, tha se nuk është e rëndësishme që Kosova deri tash është pranuar vetëm nga 51shtete nga 192 sa janë sot në botë.

Kjo është më pak e rëndësishme kur të kihet parasysh mundësia ekonomike e vendeve që e njohën Kosovën, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të vendeve të Evropës Perëndimore.

"Me të vërtetë nuk është e rëndësishme nëse Paraguaji nuk e ka njohur", tha Ahtisaari. "Më tepër se 65% të të pasurve të botës e kanë pranuar Kosovën. Kjo ka rëndësi", tha Martti Ahtisaari.

E përditshmja Guardian mëtutje shkruan se ai kishte dërguar mesazhe private te të të gjitha palët, menjëherë pasi e kishte marrë rolin e ndërmjetësuesit, se largimi i Kosovës nga Serbia ishte i paevitueshëm.

"Në dritën e asaj që kishte ndodhur në Kosovë, kthimi i Kosovës nën Serbi nuk ishte opsion i qëndrueshëm", tha Ahtisaari dhe shtoi se "prej marsit të vitit 2006, askush nuk duhet të kishte iluzion se çfarë do të ishte plani im".

Zoti Ahtisaari i hodhi poshtë paralelet e Kosovës me Gjeorgjinë duke thënë se "ne e bëmë Kosovën brenda kornizës së Kombeve të Bashkuara. Në Gjeorgji as nuk kishte përpjekje". Sipas Ahtisaarit, "ju nuk mund të bëheni vend i pavarur dhe të bëni çfarë të doni, edhe nëse ju jeni Rusia".
XS
SM
MD
LG