Ndërlidhjet

Heintz: Qeveria - përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve


Stephen Heintz
Stephen Heintz

"Progresi në Kosovë ndikon në rritjen e njohjeve të shtetësisë dhe përgjegjëse për të arritur këtë progres është Qeveria e Kosovës", thotë Stephen Heintz - Fondacioni "Rockefeller Brothers".




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Heintz, Kosova ka shpallur pavarësinë 7 muaj më parë. A keni parë ndonjë progres që është bërë në Kosovë që prej asaj kohe?

STEPHEN HEINTZ
Po, sigurisht. Mendoj se ka pasur progres veçanërisht sa i përket kushtetutës dhe kornizës ligjore; gjithashtu është arritur një sukses në Konferencën e Donatorëve, me fitimin e rreth 1,2 miliard eurove.

Pastaj, mund të ceket edhe zbarkimi i misionit EULEX në Kosovë, për të cilin jam i bindur se do të fillojë punën së shpejti, si dhe themelimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, gjëra këto të parashikuara edhe me pakon e Ahtisaarit.

Pra, shoh se është arritur mjaft progres, por, në anën tjetër, ka akoma shumë punë për të bërë në shumë fusha të shoqërisë, gjë që është ditur edhe më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se janë sfidat aktuale me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe kush mendoni se është përgjegjës për zgjidhjen e problemeve?

STEPHEN HEINTZ
Mendoj se tani përgjegjësinë më të madhe për zgjidhjen e problemeve të Kosovës e kanë vetë njerëzit e këtij vendi, si dhe Qeveria.

Natyrisht se kjo nuk do të thotë se bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, shtetet veç e veç, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo edhe organizatat sikurse ajo në të cilën punoj, duhet të dëbojnë Kosovën.

Mendoj se ne kemi një obligim dhe një përgjegjësi të ofrojmë ndihmën tonë, por përgjegjësitë kryesore tani i takojnë popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të zgjedhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës ka qenë shumë i rëndësishëm për institucionet e Kosovës. A mendoni se këto institucione duhet të përqendrohen në arritjen e sa më shumë njohjeve, apo cilat duhet të jenë prioritetet e qeverisë së vendit?

STEPHEN HEINTZ
Unë kam një teori pak më ndryshe sa i përket kësaj çështjeje. Mendoj se sa më shumë që Qeveria e Kosovës fokusohet në ndërtimin e shtetit modern, demokratik dhe multi-etnik, aq më shumë njohje do të vijnë. Pra, do të thosha se fokusi duhet të jetë në çështjet e brendshme.
Sa më shumë që Qeveria e Kosovës fokusohet në ndërtimin e shtetit modern, demokratik dhe multi-etnik, aq më shumë njohje do të vijnë.

Kjo nuk nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet e tjera apo ndërprerjen e kontakteve me shtetet që nuk kanë njohur vendin, por ajo që me të vërtetë do të inkurajonte të tjera shtete të njohin Kosovën, është rritja e progresit në rrugën drejt familjes evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për problemin e veriut apo në përgjithësi atë të serbëve lokalë? A mendoni se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, të cilat akoma kundërshtohen nga ata?

STEPHEN HEINTZ
Po, mendoj se është një proces i vështirë; problemet nuk mund të zgjidhen menjëherë, por do të kërkojnë kohë, durim dhe angazhim.

Integrimi i serbëve është esencial, është i parashikuar edhe me planin e Ahtisaarit, të cilin lidershipi kosovar e ka miratuar dhe për të cilin është zotuar se do ta implementojë plotësisht.

E dyta, kjo është gjëja e duhur që duhet të bëhet. Kosova ka treguar se ka aspirata për të qenë një vend i unifikuar, demokratik, tolerant, multi-etnik dhe evropian dhe për të arritur këtë synim domosdoshmërish duhet që, me kalimin e kohës, të ndërtohen marrëdhëniet qoftë me serbët e veriut, qoftë me enklavat serbe në pjesët qendrore të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Integrimi në Bashkimin Evropian është qëllim i përbashkët sikurse i Kosovës, ashtu dhe i Serbisë. A mendoni se Bashkimi Evropian duhet ta detyrojë Serbinë që të njohë Kosovën për t'u anëtarësuar në këtë mekanizëm?

STEPHEN HEINTZ
Ka shumë faktorë që ndikojnë në vendimin e Bashkimit Evropian për të pranuar ndonjë shtet si anëtar të ri. Pjesa më e madhe e këtyre kushteve janë teknike, që kanë të bëjnë me legjislaturën apo edhe "aquis comunitaire", por ka dhe një pjesë të faktorëve politikë.

Mendoj se është e rëndësishme që Brukseli të jetë i qartë me të gjithë - me lidershipin kosovar si dhe me lidershipin serb për atë se çfarë u kërkohet shteteve anëtare të BE-së.

Unë nuk mund t'i them Brukselit se si të zgjidhë çështjen e anëtarësimit, por është shumë e rëndësishme që Brukseli të vazhdojë të jetë konsistent me kushtet që duhen plotësuar për të qenë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, si dhe të merret me të gjitha shtetet që janë në procesin e para-anëtarësimit.

Kjo duhet të bëhet në mënyrë shumë transparente, por edhe këto shtete duhet të jenë të vetëdijshme për standardet që duhet përmbushur në këtë drejtim, e që nënkupton ndërtimin e shoqërive demokratike, multi-etnike, të cilat janë të gatshme t'i jetojnë vlerat evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Fondacioni juaj ka qenë i angazhuar në tërë vendet e rajonit, të cilat kanë pasur një të kaluar të tmerrshme. A mendoni se ka gjasa që këto vende të lënë prapa të kaluarën, duke shikuar kah perspektiva evropiane?

STEPHEN HEINTZ
Po, mendoj se është e mundshme, por nuk dua të nënvlerësoj vështirësitë që ekzistojnë për të bërë këtë.

E kaluara është shumë traumatike dhe pas çdo traume mbesin plagë të thella, disa prej të cilave janë fizike, flas për njerëzit që janë lënduar fizikisht, për njerëzit që akoma janë të zhdukur. Në anën tjetër, ka edhe plagë të rënda psikike, nga të cilat vuajnë një pjesë e konsiderueshme e njerëzve në tërë rajonin.

Është vështirë të lihet e tërë kjo prapa, por është e rëndësishme të bëhen përpjekje për të njohur të kaluarën dhe për të krijuar një të ardhme të re. Kjo është e rëndësishme për vendet e rajonit dhe unë po shoh se ka shenja të mira në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG