Ndërlidhjet

“Fillon etapa diplomatike e Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Situata në pjesën veriore të Kosovës nuk është aspak e mirë, por, megjithëkëtë, “zot shtëpie” në këtë pjesë të Republikës nuk është Serbia. Strukturat paralele duhet të shuhen dhe ligji duhet të funksionojë njëjtë për të gjithë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ky është mesazhi që politikanët nga pozita dhe opozita ia kanë dërguar shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, pas paralajmërimeve të tij se është në prag të një marrëveshjeje me Serbinë për shtrirjen në tërë territorin e Kosovës... Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha të dielën për “Lajm” se negocimi i shefit të EULEX-it me Serbinë mund t’i takojë çështjes së koordinimit ndërmjet Brukselit dhe rajonit, përfshirë këtu edhe Serbinë. “Mund të them se për Kosovën nuk vendos askush tjetër përveç popullit të saj dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Mendoj se këtu nuk ka dilema. Nëse ka ndonjë qasje të pengohet reagimi negativ i serbëve, kjo është çështje tjetër. Por, në kuptimin formal të lejes, nuk ka nevojë të merret leje nga askush për Kosovën”...

KOSOVA SOT
Qeveria është duke shqyrtuar mundësitë më të mira për dhënien në koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërsa një partneritet publik-privat, ku shteti do të mbante një pjesë të aksioneve, është forma më e pëlqyer. Menaxhmenti i ANP-së thotë se është duke punuar për të shtuar efikasitetin e ANP-së, që, sipas tyre, do të rrisë vlerën e kësaj ndërmarrjeje në treg. Megjithatë, sindikalistët theksojnë se qeveria nuk duhet të ngutet me dhënien në koncesion të ANP-së, në kohën kur ANP-ja është ndërmarrje profitabile. Bedri Hamza, zëvendësministër i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ka shpjeguar se për momentin nuk ka asnjë diskutim mbi “privatizimin” e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Por, sipas tij, qeveria ka marrë vendim or themelimin e Komitetit Drejtues Ndërministror, i cili do të analizojë opsionet dhe do të implementojë ndonjë formë të koncesionit të aeroportit...

EXPRESS

Kosova prej të hënës do t’i përfaqësojë interesat e saj në botë me misione legale dhe të pranuara. 20 tetori do të shënohet në historinë e vendit si ditëlindja e diplomacisë kosovare. Tirana, Ankaraja dhe Vjena janë qendrat ku sot do të fillojnë punën “ambasadat” e para. Të ngarkuarit me punë në këto vende kanë udhëtuar të dielën. Të hënën udhëton edhe i ngarkuari me punë në misionin diplomatik në Londër, Muhamet Hamiti. “Ambasadori” kosovar në Tiranë, Gazmend Pula, të dielën në mbrëmje, ka palosur flamurin e Kosovës, të cilin thotë se do ta ngrejë të hënën në ambasadë me një ndjenjë të veçantë krenarie. “Është një ditë e madhe, ditë historike, pasi po realizohet ëndrra dhe sakrifica e gjatë e shqiptarëve”, ka thënë Pula, pak para nisjes për në Tiranë...

ZËRI
Përfaqësuesi rajonal i UNMIK-ut për rajonin e Mitrovicës, Xherard Galluçi, ka deklaruar se po e lëshon detyrën që ka pasur deri tash, pasi i është ofruar transferimi në misionin e Kombeve të Bashkuara në Timorin Lindor. Galluçi për mediat serbe ka deklaruar se po shkon nga Kosova në vend tjetër të punës, por do të dëshironte të mbetej në Kosovë, për faktin se puna e UNMIK-ut ende nuk është kryer, e si ka thënë ai, për shkak se mund të ndodhë që ajo punë të mos kryhet edhe për një kohë të gjatë. “Do të mbetet në kujtesë ekipi i mirë në Mitrovicë, i cili ka arritur të mbajë paqen. Më herët kam bashkëpunuar mjaft mirë edhe me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepin”, ka thënë Galluçi, i cili opinionit i është i njohur nga ngjarjet e 17 marsit të këtij viti...

INFOPRESS
Një delegacion i Qeverisë së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, si dhe përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës, me ftesë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kanë marrë pjesë në takimet vjetore të kësaj organizate në Uashington. Kjo vizitë konsiderohet si mjaft e rëndësishme për faktin se Kosova u ftua për herë të parë në takimet vjetore të kësaj organizate. “Vizita që kishim në Uashington është shfrytëzuar për të përshpejtuar çështjen e anëtarësimit të Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore. Mund të them me bindje të plotë se Kosova është edhe një hap më pranë në anëtarësimin e plotë në këto institucione ndërkombëtare”, është shprehur ministri Shala...

KOHA DITORE
Shumë qytetarë të Kosovës, kryesisht shqiptarë, ende mbushin radhët para Zyrës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila lëshon pasaporta serbe vetëm pak kilometra jashtë Prishtinës, edhe tetë muaj pas pavarësimit të Kosovës. Më shumë se 17 mijë pasaporta serbe, tani biometrike, janë lëshuar nga Qeveria e Serbisë në Kosovë, që nga shkurti i këtij viti, duke vazhduar kështu praktikën në bazë të së cilës në Kosovë janë lëshuar më se 250 mijë pasaporta serbe që nga viti 1999, kur Beogradi ka humbur zyrtarisht kontrollin mbi Kosovën. Shifra e pasaportave serbe të lëshuara pas shpalljes së pavarësisë është konfirmuar nga burime të gazetës brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë...

BOTA SOT
Në kuadër të reformave të paralajmëruara të LDK-së, segment i rëndësishëm duket të jetë edhe miratimi i deklaratës, e cila nënkupton kthimin e anëtarësisë “në shtëpinë e vjetër”... Zyrtarë të LDK-së pohojnë se oferta e tyre është serioze, por që ajo nuk i drejtohet vetëm anëtarësisë së LDD-së, por edhe partive të tjera, dhe kryesisht të rinjve që mund ta gjejnë veten brenda këtij subjekti politik. Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, tha se oferta nuk vlen vetëm për anëtarësinë që ka shkuar në LDD, por edhe partitë e tjera, e pse jo edhe për AKR-në, PDK-në ose edhe AAK-në. “Po bëjmë përpjekje maksimale që partinë ta modernizojmë siç janë partitë evropiane dhe ato perëndimore në përgjithësi. Ky është nj shans shumë i mirë që njerëzit të bashkohen në LDK, jo vetëm anëtarësia që ka votuar deri tash, por edhe të rinjtë”, ka thënë ai...

EPOKA E RE
Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, të dielën para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, është mbajtur manifestimi humanitar Ecja e Parë Vjetore për Vetëdijesimin ndaj Kancerit të Gjirit... Ecjes i janë bashkuar ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanou, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, deputetë të Kuvendit, zonja e parë e shtetit, Sejdiu, organizata joqeveritare dhe qytetarë. Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanou, me këtë rast, para qindra qytetarëve të mbledhur në këtë manifestim, ka përcjellë mesazhe për rëndësinë që ka vetëdijesimi në parandalimin dhe luftimin e sëmundjes së kancerit...
XS
SM
MD
LG