Ndërlidhjet

Fillon shtrirja e diplomacisë


Flamuri i Republikës së Kosovës dhe ai i BE-së
Flamuri i Republikës së Kosovës dhe ai i BE-së

Kosova ka një rrjet modest të përfaqësimit të saj në misionet diplomatike, tha presidenti Fatmir Sejdiu. Tre nga të ngarkuarit me punë në Turqi, Austri e Shqipëri janë nisur drejt këtyre vendeve; gjatë javës do vazhdojë edhe nisja e diplomatëve tjerë.


Kosova do të shtrijë rrjetin e vet diplomatik brenda mundësive të saj, ka thënë presidenti Fatmir Sejdiu. Pas dërgimit të diplomatëve të parë të Kosovës në Turqi, Shqipëri e Austri, do të pasojnë edhe misionet diplomatike në vendet tjera, ka thënë presidenti kosovar.

Pasi që Kosova nuk e ka zgjidhur ende çështjen e hapjes së ambasadave, të ngarkuarit me punën e ambasadorëve, fillimisht do të punojnë nëpër objekte me qira dhe me staf të kufizuar.

Sidoqoftë, presidenti Sejdiu tha se shtrirja e diplomacisë kosovare ka një rëndësi të madhe në këtë fazë kur Kosova si shtet i ri merr ofertat e vendeve tjera për ndërtimin e raporteve diplomatike.

“Mund të them se janë hapa vërtet të rëndësishëm që janë bërë krahas pjesës objektive të vështirësive që ne kemi. Është një strukturë – bërthamë e diplomacisë së Kosovës dhe e prezantimit të vendit në vende të rëndësishme, dhe mendojmë se do të vazhdojmë me shtrirjen misioneve diplomatike për aq sa do të kemi mundësi”.

“Kemi një rrejt modest, fillimisht për nevojat parësore të Kosovës..., them po ashtu se janë njerëz që do të prezantojnë në mënyrë të mirë vendin dhe kanë bërë një kohë edhe përgatitje të mira që janë të domosdoshme për punën e tyre”, tha Sejdiu.

Këto komente, Sejdiu i bëri pas nja takimi që zhvilloi me zëvendësministren e Jashtme të Norvegjisë, Elisabeth Waalas, e cila konfirmoi se Norvegjia nesër do të hapë ambasadën e vet në Prishtinë.

Në këtë aspekt, presidenti Fatmir Sejdiu tha se pas Uashingtonit, Brukselit, Londrës e qendrave tjera të rëndësishme botërore, hapi tjetër i Kosovës do të jetë hapja e ambasadave në vendet fqinje, por edhe në Skandinavi.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se diplomatët e Kosovës do të funksionojnë fillimisht në kushte jo krejtësisht normale, por, sipas tij, kjo nuk do të jetë pengesë për aktivitetet e tyre diplomatike.

“Fillimisht, ata nuk kanë ndonjë formule unikale se si do të shkojë kjo, por, varësisht nga vendet, deri në vendosjen definitive të lokacionit të përhershëm të ambasadave të Republikës së Kosovës, do të operojnë ose nga hotelet, ose nga objektet me qira, qoftë për rezidencë, qoftë për vetë misionin diplomatik”, tha Hyseni.

Ministri Hyseni tha se Kosova nuk mëton që edhe në të ardhmen t’i ketë ambasadat e saj nëpër hotele, por, sipas tij, kjo ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme.

Bazuar në një vendim të institucioneve të Kosovës, misionet e para diplomatike këtë muaj startojnë në Ankara, Tiranë, Vjenë, Uashington, Londër, Paris, Berlin, Romë, Bruksel dhe Bernë. Kurse, vitin tjetër, parashihet të hapen edhe ambasada në vendet e rajonit, në republikat e ish-Federatës Jugosllave që e kanë njohur Kosovën, si dhe në vendet tjera.
XS
SM
MD
LG