Ndërlidhjet

logo-print

Sundimi i ligjit, pjesa veriore e Mitrovicës, si dhe ruajtja e stabilitetit, janë sfidat kryesore të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë. Kështu është vlerësuar sot gjatë një konference me temën "Nga njohja e deri te krijimi i shtetit - Si më tej në Kosovë", e cila u mbajt në Prishtinë. Përderisa kritikët vlerësuan se Kosova nuk funksionon si shtet, zyrtarët qeveritarë konsiderojnë se janë vendosur shtyllat kryesore të shtetit.


Zyra Ndërkombëtare Civile në Kosovë vlerëson se që nga shpallja e pavarësisë së vendit, më 17 shkurt të këtij viti, në Kosovë ka pasur zhvillime kryesisht pozitive.

Gjatë një konference me temën "Nga njohja e deri te krijimi i shtetit - Si më tej në Kosovë", zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffy, tha se institucionet e Republikës kanë treguar suksese të dukshme në politikat e brendshme, gjë që, sipas tij, ka kontribuar edhe në rritjen e numrit të njohjeve të shtetit të pavarur.

"Kosova është njohur nga 51 shtete. Strukturat shtet-formuese, institucionet e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt, kanë shënuar progres të vazhdueshëm, duke u nisur nga miratimi i Kushtetutës, lëshimi i pasaportave, si dhe çështja e demarkacionit me Maqedoninë", tha McGuffy.

Ndryshe mendon publicisti kosovar, Veton Surroi, i cili konsideron se Kosova nuk i përmbush elementet për t’u quajtur shtet funksional. Surroi tha se ligjshmëria e Kosovës gjendet në kolaps dhe se mungesa e qartësisë së prezencës ndërkombëtare po rrezikon edhe demokracinë në vend.

"Ne Qeverinë e Kosovës ka filluar një trend i rritjes së pakontrolluar të shpenzimit të parës publike, i cili shkon ndesh me kornizën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili do të krijojë sens se tash e tutje paraja publike duhet sërish të menaxhohet nga bashkësia ndërkombëtare", tha Surroi.

Surroi tërhoqi vëmendjen për rrezikun e ngatërresave koordinuese sa i përket përgjegjësive të mekanizmave veprues në Kosovë. Ai shtoi se vendi po bashkëqeveriset nga tri struktura, që, sipas tij, janë: Qeveria kosovare, prezenca e padefinuar ndërkombëtare dhe strukturat paralele serbe.

"Kemi një bashkëqeverisje në Kosovë, nuk është e natyrshme, por është aty. Kjo qeverisje është mes qeverisë, paketës ende të padefinuar ndërkombëtare që quhet UNMIK, ICO, EULEX, si dhe de facto institucioneve të Serbisë që funksionojnë në Kosovë”.


“Për të qenë një pushtet demokratik dhe pjesë e pushtetit funksional, pyetja duhet të shtrohet se kjo bashkëqeverisje kujt i përgjigjet? Kuvendi të Kosovës - jo; dhe, kjo rrjedhimisht e bën natyrën e pushtetit në Kosovë jodemokratike", theksoi Surroi.

Mirëpo, me këto konstatime nuk u pajtua ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili tha se ekzekutivi aktual ka vizion se si të ecet në të ardhmen.

"Qeveria po përpiqet që të jetë transparente dhe shembullin do ta jap nga ministria që drejtoj unë, pasi që të gjitha problemet që i zgjidhim dhe punët qe i bëjmë, janë transparente. Qeveria aktuale, për 9 muaj të funksionimit, ka lëvizur shumë gjëra përpara sa i përket pakicave në vend”, tha ministri Rashiq.

Ndryshe, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për Serbi, e cila po ashtu ishte pjesëmarrëse në këtë konferencë, konsideron se pavarësia e Kosovës është realitet i rajonit, por se, sipas saj, shteti i Kosovës do të jetë përgjegjës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me politikën e zakonshme të një shteti të pavarur.

Ajo theksoi rëndësinë që Republika e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të kenë në integrimin e serbëve të vendit në shoqërinë kosovare.

"Këtu ka disa probleme, të cilat në masë të madhe do të varen nga disa faktorë. Në këtë moment, faktori i Beogradit është më negativ, pasi që pengon integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, e posaçërisht atyre serbëve nga veriu i Kosovës”.

“Serbët në enklava edhe më tej gjenden në një lloj vakuumi dhe konsideroj se është me rëndësi që Qeveria e Kosovës të bëjë një program sa më përmbajtjesor për ta, në mënyrë që ata të drejtohen dhe lidhen me institucionet e Kosovës", tha Biserko.

Biserko ka shtuar se duhet të përcaktohet politika e jetës së qëndrueshme të serbëve në Kosovë, pasi që Beogradi, me politikën e vet ndaj serbëve në enklava, ata i ka lënë, siç tha ajo, "në vdekje të ngadalshme".

Sipas Biserkos, serbët në enklava, pas pavarësisë së Kosovës, kanë pranuar realitetin e ri dhe kanë më shumë vërejtje ndaj Beogradit dhe Mitrovicës, sesa ndaj Prishtinës. Ndërsa, sa i përket bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, ajo konsideron se ende është e padefinuar dhe shtoi se Qeveria e Kosovës është në masë të madhe e varur nga bashkësia ndërkombëtare.

Në tryezën me temën “Nga njohja e deri te krijimi i shtetit – Si më tej në Kosovë?”, kanë marrë pjesë zyrtarë të shumtë institucionalë, partiakë dhe ndërkombëtarë, si dhe të shoqërisë civile. Kjo konferencë u organizua nga Fondacioni "Heinrich Böll Schtiftung", me seli në Berlin të Gjermanisë dhe "Iniciativa Evropiane e Kosovës", me seli në Prishtinë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG