Ndërlidhjet

logo-print

Zyrtarë të EULEX-it thonë se nuk janë duke zhvilluar bisedime për vendosjen e këtij misioni në Kosovë. Ndërkohë, administrata e OKB-së mohon krijimin e vakuumeve politike pas rikonfigurimit të këtij misioni.



Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici, EULEX, mohon të ketë zhvilluar bisedime me Beogradin që kanë të bëjnë me vendosjen e këtij misioni në Kosovë, duke përfshirë zonat e banuara me serbë, ku prezenca e këtij misioni kundërshtohet ashpër.

EULEX-i zotohet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës deri në fund të këtij viti, duke marrë përgjegjësitë nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në fushën e policisë dhe të sundimit të ligjit.

Zëdhënësja e EULEX-it për çështje të drejtësisë, Kristina Herodes, thotë se hapat drejt operacionalizimit të këtij misioni edhe në zonat e banuara me serbë po përgatiten me kujdes, por se lidhur me këtë çështje nuk janë duke u konsultuar zyrtarët e Serbisë.

"Nuk ka bisedime zyrtare ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit. Ne po i përgatisim hapat tonë me kujdes, por, siç theksova, nuk ka ndonjë dialog zyrtar me përfaqësues të shtetit serb", tha Herodes.

Autoritetet e Kosovës theksojnë se Beogradi nuk do të pyetet për sa i përket zbarkimit të EULEX-it në Kosovë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, konsideron se bashkëpunimi me misionin e BE-së për sundim të ligjit dhe polici është çështje e brendshme e Republikës, e cila nuk ka të bëjë me marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.

"Besoj se bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me misionin EULEX është shumë i mirë. Ne kemi marrë zotime edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nëse është një bisedim që ka të bëjë me stabilitetin rajonal, është çështje tjetër, por brendapërbrenda territorit të Kosovës, mendoj se vendimet merren në Kosovë, në bashkëpunim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare", mendon Kuçi.

Kundërshtimi i serbëve kosovarë për vendosjen e EULEX-it dhe këmbëngulja e tyre për qëndrimin e UNMIK-ut në pjesët qendrore të banuara me serbë si dhe në veri, vlerësohet si çështje brengosëse nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët tërheqin vëmendjen për rrezikun e krijimit të një vakuumi të përgjegjësive.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Hans Dieter Steinbach, thotë se Bashkimi Evropian duhet t'ia bëjë të qartë Beogradit se nuk do të pranohet një ndarje e tillë territoriale ndërmjet dy misioneve.

"Ka zvarritje në operacionalizimin e misionit EULEX, por shpresojmë që të mos ndërtohet një vakuum politik për shkak të kësaj. Në të njëjëtn kohë, vendi vazhdon të jetë faktikisht i ndarë; serbët lokalë që jetojnë në veri të Mitrovicës kundërshtojnë sikurse institucionet e shtetit të Kosovës, ashtu dhe prezencën e Bashkimit Evropian në Kosovë”.

“Ka përpjekje për të pasur një qasje tek autoritetet serbe dhe është me rëndësi të veçantë që Bashkimi Evropian t'ia qartësojë Beogradit se nuk do të pranojë që të ketë ndryshime territoriale në aspektin e përgjegjësive të misioneve në Kosovë", tha Steinbach.

Mundësia që në fund të procesit të rikonfigurimit të misionit të OKB-së në Kosovë dhe fillimit të punëve të EULEX-it të krijohet një vakuum politik, hidhet poshtë nga ana e UNMIK-ut.

"UNMIK-u dhe EULEX-i kanë takime të rregullta, ku diskutohet për çështjet aktuale relevante, duke përfshirë këtu çështjet që kanë të bëjnë me drejtësi, polici, qasjen në dokumente dhe të tjera”.

“Këto bisedime do të vazhdojnë deri në zbarkimin e plotë të EULEX-it në Kosovë dhe bëhen për të parandaluar mundësinë e krijimit të vakuumeve të mundshme edhe në zonat serbe", thotë zëdhënësi i këtij mekanizmi në Kosovë, Alexander Ivanko, duke siguruar se lidhur më këtë çështje janë duke u zhvilluar bisedime intensive UNMIK-EULEX.

Vendosja e EULEX-it nëpër tërë Kosovën vështirësohet nga kundërshtimi i banorëve serbë të vendit, si dhe nga ndikimi politik i Beogradit mbi ta. Kohë më parë, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kishte përmendur 3 kushte për shtrirjen e EULEX-it nëpër vendet e banuara me serbë në Kosovë, e që janë: EULEX-i të vendoset përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, që të jetë neutral sa i përket statusit dhe që ky mision të mos zbatojë planin e presidentit Ahtisaari.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG