Ndërlidhjet

logo-print

Borxhet e tatimpaguesve


Vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e ndëshkimeve të tatimpaguesve që nuk kanë mundur t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj administratës tatimore, është shumë i rëndësishëm për biznesin. Kështu është thënë sot gjatë një takimi të përbashkët në mes të Odës Ekonomike, Administratës Tatimore të Kosovës dhe përfaqësuesve të biznesit.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se nga ky vendim mund të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit, të cilët arrijnë që të bëjnë marrëveshje më Administratën Tatimore të Kosovës, deri në fund të këtij viti.

“Ne, si OEK, mendojmë se kjo iniciativë e Qeverisë dhe ATK-së ka qenë shumë e rëndësishme, që komuniteti i biznesit, i cili nuk ka pasur mundësi t’i paguajë tatimet ose ka pasur probleme të tjera, ta shfrytëzojë rastin që deri në fund të këtij viti t’i përgjigjet kësaj ftese dhe të lirohet nga ndëshkimet, të cilat janë të parapara me ligj”, tha Keqa.

Ndërkaq, Osman Neziri, zyrtar në Administratën Tatimore të Kosovës, tha se kjo administratë ka përgatitur një propozim, të cilin e ka përkrahur edhe qeveria, dhe qëllimi i tij ishte që t’i ndihmohet bizneseve.

“Duke parë se një numër i madh i tatimpaguesve nuk ka mundur t’i kryejë obligimet e veta tatimore, ne kemi propozuar mënyrën se si ata do t’i kryejnë obligimet, të cilat u kanë mbetur prapa, dhe ky vendim aplikohet për të gjithë tatimpaguesit që kanë borxh në administratën tatimore të Kosovës. Fillon nga 10 shtatori dhe përfundon më 31 dhjetor të këtij viti”, tha Neziri.

Neziri po ashtu tha se nga ky vendim mund të përfitojnë të gjithë ata tatimpagues, të cilët kanë obligime nga tatimet e papaguara. Ai tha se obligimet e mbetura mund të paguhen përnjëherë dhe më këste. Sipas tij, ata që bëjnë pagesën e menjëhershme, përfitojnë faljen e ndëshkimit, ndërkaq, atyre që nuk mund ta bëjnë, u mundësohet pagesa me këste, maksimalisht për 12 muaj.

“Pas një nëntorit, maksimumi i kësteve është tetë muaj, pasi që ky vendim vlen deri më 31 dhjetor 2008. Pas kësaj date, nuk do të ketë falje të ndëshkimeve”, theksoi Neziri.

Ndryshe, për të gjithë ata tatimpagues që kanë obligime dhe nuk bëjnë marrëveshje me Administratën Tatimore, do të ndërmerren masa për pagesë të detyrueshme, pasi vendimi i qeverisë nuk i liron nga pagesa e obligimeve që i kanë ndaj Administratës Tatimore.

Ndërkaq, borxhi i përgjithshëm që tatimpaguesit kanë ndaj Administratës Tatimore është mbi 241 milionë euro, prej të cilave rreth 60 milionë euro apo 25 për qind e kësaj shume janë ndëshkime.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG