Ndërlidhjet

Çeku: Qeveria s’po funksionon në vendbanimet serbe


Ethem Çeku

Ethem Çeku

“Qeveria e Kosovës, në raport me veriun, s'ka pasur strategji, apo s'e ka vazhduar strategjinë që është lënë në tryezë e përgatitur”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ethem Çeku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku, kryetari i partisë suaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosangazhim në zgjidhjen e problemeve në veri. A mendoni se atje mund të bëhet më shumë?

ETHEM ÇEKU
Po, mendojmë dhe e mbështesim opinionin e kryetarit, jo pse vjen nga Aleanca, por se veriu i Kosovës është një nga fushat më të ndjeshme në shumë drejtime, edhe politike, edhe posaçërisht ekonomike. Duhet të dihet se një pjesë e resurseve natyrore shtrihen në atë zonë.

Ne kemi pasur një projekt të përbashkët edhe me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me Agjencinë Amerikane për Zhvillim, Bankën Botërore, Agjencinë Evropiane për Zhvillim Ekonomik. Me tri struktura ndërkombëtare kemi pasur një platformë ekonomike për zgjidhjen e problemit në atë pjesë të Kosovës.

Është menduar që përmes konceptit të investimeve në fushën e minierave, të cilat paraqesin një nga burimet më të rëndësishme zhvillimore, ne do të kishim arritur që qytetaret e asaj pjese të Kosovës t’i orientojmë më tepër nga Prishtina, se në ndonjë nga qendrat tjera.

Prandaj, me të drejtë themi se Qeveria e Kosovës, në raport me pjesën veriore të Kosovës, nuk ka pasur strategji, apo nuk e ka vazhduar strategjinë, e cila është lënë në tryezë e përgatitur.

RADIO EVROPA E LIRË
Është bërë një kohë që prejse koalicioni aktual PDK-LDK qeveris vendin. Si e vlerësoni punën e deritanishme të këtij koalicioni?

ETHEM ÇEKU
Nuk dua t’i shoh të gjitha gjërat zi. Nuk jemi të prirë me optikë të zezë t’i shikojmë siç i ka parë pozita e tanishme apo ish-opozita e kaluar.

Mendoj që në sferën ekonomike ka mungesa të mëdha. Raportet e fundit nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë që kjo qeveri nuk është duke arritur që t’i përmbushë objektivat, të cilat i ka shpaluar gjatë fushatës elektorale.

Nëse flasim për ngritjen e zhvillimit ekonomik, kemi një ngritje, e cila nuk i shkon për shtati nevojave të Kosovës. Kemi një rritje 3.5 %, kurse është proklamuar që do të kemi deri në 6 %. Inflacioni është rritur deri në 14 %; do të thotë, është njëri nga inflacionet më të mëdha në këtë pjesë të Evropës.

Pastaj, kemi ndërprerjen e procesit të privatizimit, i cili ka qenë një alfa-omega e bartjes së procesit të zhvillimit ekonomik. Kemi largimin e kompanive apo mosafrimin e kompanive të mëdha, të cilat do të duhej të ishin bartës të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Do të thotë, në aspektet e programeve zhvillimore, të cilat do të duhej të bartin zhvillimin e Kosovës, kjo qeveri ka pësuar flasko, do të thotë nuk ka bërë ndonjë gjë. Kjo qeveri është treguar më e aftë në shpenzimet buxhetore më shpejt, sesa ne.

Po ashtu, mendoj se gabimi i dytë i madh i kësaj qeverie, që jam shumë i befasuar, është largimi i madh i ekspertëve nga institucionet e Kosovës. Kjo është e pafalshme për administratën, për vizionin, për të ardhmen e vendit tonë.

Nuk flas tani si njeri opozitar, por flas si qytetar dhe flas si një njeri, i cili kam ndërtuar tri institucione më vitale, siç ka qenë pushteti komunal, Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjetikës; sa i nevojshëm është afrimi i ekspertëve dhe kjo qeveri arriti të largojë një numër të madh të ekspertëve nga institucionet e Kosovës. Kjo do t’i kushtojë Kosovës shumë shtrenjtë.

Moszhvillimi ekonomik, mosinvestimet për të afruar sektorin privat dhe kompani private në fushat e caktuara dhe largimi i ekspertëve, kanë bërë që ne ta shohim me skepticizëm të madh vizionin e kësaj qeverie. Apo, të themi konkretisht, kësaj qeverie i mungon vizioni dhe projeksionet për të ardhmen në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në ndërkohë që vazhdon shtrirja e misionit EULEX në Kosovë, ky mision po sfidohet nga kundërshtimi i serbëve. Sa mendoni se kjo do ta pengojë funksionalizimin e këtij misioni?

ETHEM ÇEKU
Fatkeqësisht, kjo shtrirje është duke shkuar shumë ngadalë. Shohim reagimet edhe te komuniteti serb, dhe jo vetëm të EULEX-it edhe të institucioneve të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk po mund ta zbatojë Kushtetutën. Kushtetuta deri diku ka mbetur një dokument mirë i shkruar, por institucionet e Kosovës nuk janë duke u munduar ta implementojnë.

Kjo do të ketë një pasojë të madhe në shumë fusha, sepse shteti është dhe funksionet e shtetit varen njëkohësisht edhe nga shkalla e monitorimit, shkalla e ekzekutimit në gjithë hapësirën e vet gjeografike.

Do të thotë, shteti i Kosovës nuk po na funksionon në një pjesë të madhe të Kosovës, prandaj duhet të ndërtojmë strategji, se si duhet të implementojmë Kushtetutën e Kosovës, si duhet EULEX-i të shtrijë ndikimin e vet në të gjitha zonat.

Jemi të hapur për mundësinë e dialogjeve, bisedimeve brenda Kosovës, me komunitete, t'u shpjegohet... Por, shteti duhet të funksionojë, shteti duhet të shtrihet. Me çfarëdo çmimi, Kushtetuta e Kosovës duhet të shtrihet në të gjitha pjesët e Kosovës. Simbolet e Kosovës duhet të shtrihen në të gjitha pjesët e Kosovës.

Prandaj, këtu mendoj se qeveria prapë po heziton. Qeveria ka një tërheqje nga vendet ku është komuniteti serb. Mua nuk më pëlqejnë ato gjëra që bëhen, dërgim i ndonjë traktori apo forma të tjera.

Këtu nuk mund të flitet për integrimin e komuniteti serb. Duhet hapur të ndërtohen komunikimet, por duhet të ndërtohen edhe mekanizmat ligjorë për implementimin e Kushtetutës së Kosovës. Përndryshe, gjendja faktike mund të na imponojë edhe diçka tjetër.

Ne kështu e kemi mundur Serbinë, me gjendjen faktike. Serbia asnjëherë nuk ka mundur ta ndërtojë pushtetin mbi shqiptarët. Asnjëherë koncepti serb nuk është pranuar nga shqiptarët. Prandaj, ana faktike e terrenit është diçka të cilën ne duhet ta mendojmë shumë e shumë mirë. Tani, jo si qeveri, por edhe si parlament, si shoqëri në të gjitha nivelet.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se mund të funksionojnë dy misione në Kosovë, UNMIK-u për serbët e ai i EULEX-it për shqiptarët, siç thonë disa nga liderët serbë?

ETHEM ÇEKU
Neve na nevojitet mbështetja e institucioneve ndërkombëtare, jo vetëm nga dy, por edhe nga tre e katër. Na nevojiten integrimet në Bashkësinë Ekonomike Evropiane, na nevojiten në Fondin Monetar, në Bankën Botërore.

Çështja e funksionimit të UNMIK-ut dhe EULEX-it mendoj që duhet të përfundojë, se ky dualizëm në institucione ekzekutive është i pamundur të implementohet dhe është e pamundur të ketë sukses; do të ndërtojmë një shoqëri, në të cilën realisht do të thellohet edhe më tutje ndasia.

Nëse flasim për integrime, atëherë duhet të ekzistojë një mekanizëm për integrime. Nuk mund të ekzistojnë dy mekanizma, mund të sjellin ndasi edhe më të thella. Edhe koncepti i ndarjes në zona të veçanta, koncepti i ndarjes nëpër enklava, është koncept që nuk i ka shkuar dhe nuk i shkon për shtati Kosovës.

Ka qenë një periudhë e caktuar kohore kur është pranuar ky vizion. Mirëpo, tani, gradualisht, ne duhet të ndërtojmë një shoqëri funksionale, në të cilën qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga besimi, gjinia, etnia, duhet të integrohen dhe ky integrim vjen përmes vetëm një strukture.

Këtu mund të flasim se EULEX-i është periudhë kalimtare, por Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë alfa dhe omega për të gjithë qytetarët e Kosovës. Për ta implementuar këtë kushtetutë, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë programin e vet strategjik zhvillimor, siç ka qenë në një periudhë 2007-2013, kur e kemi ditur se na duhet të ecim dhe çka duhet të mësojmë.

Duhet të ketë programin e vet politik, me të cilin duhet të merret. Prandaj, këtu mendoj se kjo qeveri gradualisht ka humbur orientimin në funksionet më vitale. Kjo qeveri është duke bërë një pjesë të mirë të punëve në shpenzimet buxhetore në infrastrukturë, duke investuar, por është duke bërë ngadalësimin e proceseve më vitale në këtë drejtim.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG