Ndërlidhjet

Eksperti për çështje kushtetuese, elektorale dhe të drejtësisë në OKB, Andrew Ladley, ka filluar konsultat me Prishtinën dhe Beogradin, për të gjetur zgjidhje ndërmjet palëve rreth 6 pikave të përcaktuara nga Sekretari Gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon.

Kombet e Bashkuara kanë caktuar Andrew Ladleyn si negociatorin e ri, i cili do të ndërmjetësojë në bisedimet indirekte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të asistuara nga administrata e OKB-së në Kosovë.

Detyrë e Ladleyt do të jetë gjetja e zgjidhjeve sa i përket doganave, policisë si dhe çështjeve akoma të padefinuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përcaktuara edhe në letrën e Sekretarit Gjeneral, Ban Ki Moon.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, konfirmon se diplomati zelandez tanimë ka filluar punën dhe se në kuadër të angazhimeve të reja që ka marrë në vend, është takuar me zyrtarë shtetërorë të Serbisë dhe të Republikës së Kosovës.

"Ai ka filluar punën javën e kaluar, duke udhëtuar për në Beograd. Është takuar dje me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe sot është kthyer sërish në Beograd", thotë Ivanko.

Gjer më tani, bisedimet indirekte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të mbikëqyrura nga UNMIK-u, i ka udhëhequr shefi i këtij mekanizmi, Lamberto Zannier, i cili ka arritur të gjejë një pajtim ndërmjet palëve, duke ndikuar në rifunksionalizimin e gjykatave në veri, ndërkohë që për 5 pikat e tjera, si doganat, policia, përcaktimi i vijës administrative dhe të tjera, nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.

Sipas Ivankos, mandati i Ladleyt do të zgjasë deri në zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

"Ai është i angazhuar në lehtësimin e bisedimeve dhe gjetjen e zgjidhjeve për 6 pikat e përcaktuara në nivelin teknik, si dhe është duke bërë përpjekje për të gjetur një pajtim ndërmjet palëve", shton ai.

Qeveria e Kosovës mirëpret emërimin e Ladleyt si personin përgjegjës për të ndërmjetësuar dialogun ndërmjet dy vendeve. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj e vlerëson si kontribut pozitiv çdo lloj angazhimi nga palët ndërmjetësuese po qe se arrihet një rezultat konkret.

"Ne presim kontribut të mirë prej kujtdo që merr angazhimin, merr kredibilitetin dhe autoritetin për të ndihmuar në zhvillimin e bisedimeve për çështjet teknike. Në fakt, edhe në këtë rast, ne shpresojmë dhe dëshirojmë që çështjet që janë tashmë temë e bisedave me Serbinë, të arsyetojnë jo vetëm qëllimin, por edhe të ofrojnë rezultate të prekshme", shprehet Manaj.

Por, numri dy i ekzekutivit kosovar, Manaj, thekson se bisedimet me Beogradin për çështjet e përcaktuara teknike do të mund të zhvillohen vetëm në cilësinë e dy shteteve të pavarura e sovrane.

"Do të ishin të mirëseardhura rezultatet me ndërmjetësimin gjatë këtyre bisedave me palën serbe, për çështjet në interes të popujve të dy vendeve tona fqinje", thekson ai.

Profesori Andrw Ladley, i cili për disa vite ligjëroi në Universitetin Victoria në Wellington të Zelandës së Re, u emërua në mars të këtij viti nga OKB-ja si pjesë e një grupi ekspertësh për zgjidhjen e konflikteve të përbërë nga 6 anëtarë.

Ai ka qenë i angazhuar në Timorin Lindor, në Afrikën e Jugut, në Kamboxhë, ku në kuadër të misionit të OKB-së, ka kontribuar në zgjidhjen e konflikteve në këto vende.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG