Ndërlidhjet

Prishtina nuk e sheh EULEX-in si neutral


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

EULEX-i s'ka mandat tjetër pos zbatimit të pakos së Ahtisaarit, tha presidenti Fatmir Sejdiu, duke komentuar letrën që kreu i OKB-së, Ban Ki Moon, i ka drejtuar Javier Solanës, me të cilën kërkon që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, duhet të jetë në funksion të zbatimit të pakos së Ahtisaarit, ka thënë sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Këto komente të presidentit Sejdiu ishin një përgjigje lidhur me një letër që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i ka drejtuar shefit të diplomacisë evropiane, Javier Solana, me të cilën kërkohet që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës.

Presidenti kosovar tha se EULEX-i ka vetëm një mandat, të cilin e ka marrë edhe nga BE-ja dhe Uashingtoni, i cili ka të bëjë me zbatimin e dokumentit të Ahtisaarit, plan ky që parasheh pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.

“Ne do ta zbatojmë pakon e Ahtisaarit. EULEX-i është një strukturë e përbërë nga vendet e BE-së dhe prezencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse kjo ka qenë ide dhe kërkesë edhe e jona, dhe mendojmë se e gjithë veprimtaria e këtij misioni duhet të përputhet me pakon e Ahtisaarit. Mandat tjetër nuk ka”, tha Sejdiu.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova e pavarur është një realitet dhe se askush nuk mund të kërkojë nga Prishtina që të heqë dorë nga zbatimi i Kushtetutës dhe sovranitetit të saj. Ai rikujtoi shpalljen e koordinuar të pavarësisë së Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, duke qenë shumë i prerë se kthim prapa më nuk mund të ketë.

“Ne e kemi përfunduar çështjen e statusit. Kosova është pavarësuar. Kosova është njohur sot nga 51 shtete dhe do të ketë vende tjera që do ta njohin”, thotë Sejdiu.

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se edhe neutraliteti i EULEX-it, siç ka shkruar Ban Ki Moon, nuk e pengon shtrirjen e këtij misioni në Kosovë.

Sipas tij, rasti i Kosovës mbetet ende specifik dhe shumë vendime ndërkombëtare vijnë si konsensus mes fuqive të mëdha dhe marrin parasysh edhe shqetësimet e vazhdueshme të Beogradit, për të mundësuar që ky mision të shtrihet edhe nëpër enklavat serbe.

“EULEX-i nuk vjen këtu për të interferuar në çështjet e statusit. EULEX-i është menduar që të ndihmojë në Kosovë ndërtimin e kapaciteteve në fushën e legjislacionit”, thotë Ibrahim Gashi.

Bazuar në pakon e Ahtisaarit, misioni i EULEX-it parashihet që të funksionojë mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mirëpo, pakoja e Ahtisaarit nuk ka arritur edhe përkrahjen e nevojshme në Këshillin e Sigurimit, kështu që EULEX-i është futur nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244.

Tani, pozicioni neutral i këtij misioni mund të sjellë ndryshime, duke e bërë të mundshme që EULEX-i t’i zbatojë vetëm rregulloret e Kombeve të Bashkuara, mbi të cilat ka funksionuar UNMIK-u. Lidhur me këtë çështje, Ibrahim Gashi thotë se funksionimi i misionit ndërkombëtar mund të bazohet mbi realitetin faktik në terren, e që është shteti i pavarur i Kosovës.

“Ne kemi një situatë komplekse në Kosovë, që duhet t’i referohemi më shumë asaj të drejtës faktike, sesa të drejtës juridike ndërkombëtare. Në Kosovë ka ndodhur një realitet faktik, të cilin një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar e ka akceptuar si të tillë dhe mbi të gjitha është një vullnet i qytetarëve të Kosovës që të jetësohet ajo që është në Kushtetutën e Kosovës”, thotë Gashi.

Sipas një letre që Ban Ki Moon i ka dërguar Solanës, e cila komentohet edhe në mediat e shtypura vendore, thuhet se EULEX-i mund të vendoset në Kosovë vetëm duke iu përmbajtur neutralitetit të statusit të Kosovës.

Neutraliteti i EULEX-it shihet si imperativ nëse synohet që EULEX-i të jetë funksional në Kosovë. Ban Ki Moon thuhet se i ka rikujtuar Solanës pikat kryesore të procesit të rikonfigurimit të UNMIK-ut.

Në këtë aspekt aty përmendet se UNMIK-u i ka shitur asetet EULEX-it, kurse këto ditë edhe i ka liruar ndërtesën në qendër të Prishtinës, e cila nga selia e UNMIK-ut është shndërruar në seli të EULEX-it.

Ndërsa Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të gjejnë forma të shtrirjes së misionit të EULEX-it, te lidershipi i Kosovës në vazhdimësi është thënë se misioni i BE-së nuk do të duhej të ishte zëvendësim i UNMIK-ut, por si një mision që u vjen në ndihmë institucioneve të Kosovës në angazhimet për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG