Ndërlidhjet

“Kosova ftohet të 'mbrojë' pavarësinë në gjyq”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Deklaratën e djeshme të ish-ndërmjetësit të BE-së për statusin e Kosovës, Wolfganfg Ischinger, i cili është shprehur i bindur për hapjen e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës mes Prishtinës e Beogradit, analistët politikë e kanë vlerësuar në mënyra të ndryshme. Sado që duket rutinë deklarata e Ischingerit, analisti politik, Haqif Mulliqi, e konsideron atë si matje pulsi të politikës së vendit për mundësinë apo jo të bisedave për çështjet e rëndësisë së veçantë, por, të cilat, në fakt, drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë më statusin. “Mendoj se institucionet e Kosovës duhet të kenë një qëndrim të prerë dhe të përhershëm për këtë çështje pasi kjo nuk është deklarata e parë”, tha Mulliqi, duke rikujtuar edhe deklaratën e dhënë javë më parë të diplomatit britanik në Beograd, i cili tha se çështja e ndarjes së Kosovës apo e këmbimit të territoreve, është e mundshme, nëse palët merren vesh ndërmjet vete...

ZËRI

Blerim Kuçi mund të mos jetë që nga dita e sotme shef ekzekutiv i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Burime të “Zërit” brenda LDK-së thonë se presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili mban “të ngrirë” postin e kryetarit të LDK-së, nuk ka besim më në Blerim Kuçin për ta ushtruar këtë funksion. Sipas këtyre burimeve, Sejdiu ka thënë se koncepti i tij për reformimin e LDK-së ka dallime me konceptin që e ka bartur Kuçi gjatë tre muajve sa mban këtë post... Sipas burimeve, presidenti Sejdiu ua ka kumtuar këtë qëndrim të tij nënkryetarëve të LDK-së dhe i ka kërkuar personalisht Kuçit që të largohet nga posti. Kështu që Kryesia e LDK-së, e cila mblidhet çdo të mërkurë, do ta ketë sot para vetes një temë të nxehtë debati, sado që të tillat nuk i kanë munguar tre vjetët e fundit...

KOHA DITORE
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka bërë të ditur, të martën, se më 17 tetor ka vendosur të ftojë Kosovën që të përfshihet në procesin në të cilin kjo gjykatë duhet të shpallë një mendim konsultativ, nëse pavarësia e kësaj të fundit ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në vendimin e gjyqtarëve thuhet se “duke pasur parasysh faktin se shpallja e njëanshme e Deklaratës së pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, më 17 shkurt 2008, është subjekt i pyetjes së parashtruar Gjykatës për të ofruar një opinion këshillëdhënës, autorët e Deklaratës së mësipërme konsiderohen të jenë në gjendje të ofrojnë informacione për këtë çështje”. “Prandaj, (GJND) vendos t’i ftojë ata që të ofrojnë kontribute të shkruara te Gjykata brenda afateve kohore të caktuara”...

LAJM
Institucionet kosovare që e shpenzojnë paranë publike, po vazhdojnë me avazin e vjetër. Treni i pasurimit të individëve brenda institucioneve është në rritje, me gjithë premtimet e qeverisë aktuale dhe të misioneve të reja ndërkombëtare se kjo dukuri do të luftohet. Hasan Preteni, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, tha të martën për “Lajm” se korrupsioni në institucionet kosovare është vazhdimisht në rritje, që nga viti 2003, kur institucioni që ai udhëheq ka filluar të funksionojë. “Edhe në raportin tonë gjashtëmujor që e kemi publikuar, janë shënuar raste të korrupsionit. Deri tani, për këtë vit, i kemi përcjellë në Prokurori 21 informata për korrupsion në institucionet që shpenzojnë para publike”...

BOTA SOT
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z.Fehmi Mujota, me bashkëpunëtorë, u takua me z.Lari Rosin, zëvendësasistent i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Ministri Mujota e informoi ambasadorin Rosin me dinamikën e ngritjes së kapaciteteve në MFSK. Bashkërisht u vlerësua angazhimi i Ministrisë që në bashkëpunim me NATO-n dhe standardet përkatëse, do të ndërtohet Forca e Sigurisë së Kosovës. Përfshirja e të gjitha komuniteteve në këtë forcë është një mesazh i mirë për respektimin e të drejtave sipas garancive që ofron Kushtetuta e vendit. Një nga arritjet pozitive për këtë periudhë të funksionimit të ministrisë u vlerësua aprovimi në Parlament i Ligjit për pjesëtarët e TMK-së që plotësojnë kriteret e parapara...

EXPRESS
Shfaqja e Hydajet Hysenit në manifestimin për Enver Hoxhën, para disa ditësh në Prishtinë, nuk është pritur mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, por zyrtarë të subjektit politik më të madh në vend thonë se nuk do ta ndëshkojnë deputetin e tyre. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, ka thënë për Express, të martën, se kjo situatë në parti është kaluar duke bërë hajgare. “Veprimi i Hydajetit nga askush nuk është parë me simpati, por, megjithatë, nuk është goditur në formën e një kritike të veçantë ose të ashpër. Është kaluar në formë batutore, por jo si koment i veçantë”, ka thënë Buja... Ramë Buja thotë se partia nuk do të trazohet për shkak të individëve...

EPOKA E RE
Në takimin vjetor të Akademisë për Paqe, që po mbahet në Fiuggi të Italisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prezantimin e tij, ndër të tjera, ka theksuar se “Kosova është një tregim i suksesshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Kosova, si shtet i pavarur dhe demokratik, është një vend i hapur, prandaj edhe ndikohet nga zhvillimet globale. Në kuadër të trendeve globale, Kosova me hapa të sigurt është duke ecur drejt integrimit në BE dhe në NATO”. Thaçi është pritur nga ministri i Jashtëm i Italisë, Francesko Frattini. Në këtë takim, kryeministri ka prezantuar të arriturat e Kosovës si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar...

INFOPRESS
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi të martën se çështja e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar, prandaj asnjëherë dhe me askënd nuk mund të ketë më bisedime për statusin, në këtë rast as me Beogradin. Presidenti Sejdiu deklaroi kështu një ditë pas deklaratës së ish-emisarit evropian Wolfgang Ischinger, i cili ka pohuar se mes Prishtinës e Beogradit, me kërkesë të palëve, në të ardhmen mund të ketë edhe një raund bisedimesh për statusin e Kosovës. “Ne e kemi përfunduar çështjen e statusit. Kosova është pavarësuar. Kosova është njohur sot nga 51 shtete dhe do të ketë vende të tjera që do ta njohin. Prandaj, komentet e lira që mund të jepen në kënde të ndryshme, janë çështje e atyre që i japin ato dhe unë nuk dua të ndalem aty”, tha Sejdiu...
XS
SM
MD
LG