Ndërlidhjet

Guardian: “Bosnja - fuçi baruti”


“Guardian”

Shkruajnë: Paddy Ashdown, Richard Holbrooke



Plot 13 vjet më parë, udhëheqja amerikane i dha fund luftës në Bosnjë përmes marrëveshjes së Dejtonit.

Sot, vendi përballet me rrezikun real të kolapsit.

Ashtu si në vitin 1995, vendosmëria dhe uniteti transatlantik janë të nevojshme nëse nuk duam të biem në një krizë tjetër.

Kryeministri serb i Bosnjës, Millorad Dodik, dikur i preferuari i bashkësisë ndërkombëtare e veçanërisht i Uashingtonit, për shkak të opozitës ndaj Partisë Demokratike Serbe, e njohur për nacionalizmin e saj - politika e tij afatgjatë tashmë është e qartë: ta vendosë Republikën Serbe në pozitë për t’u shkëputur sapo t'i jepet mundësia.

Duke shfrytëzuar dobësitë e strukturës kushtetuese të vendit dhe paaftësinë e Bashkimit Evropian për t'i qëndruar parimeve të veta, ai ka penguar gjatë dy vjetëve të fundit shumicën e përparimeve të shënuara në Bosnjë gjatë 13 vjetëve të fundit.

Veprimet e Dodikut janë nxitur edhe nga mbështetja e Rusisë dhe futja e petrodollarëve në vend.

Si të mos mjaftonte kjo, rivali i tij në presidencën trepalëshe, Haris Silajxhiq, ka theksuar rëndësinë e shpërbërjes së dy njësive federale dhe krijimin e një shteti unitar.

Dodiku pretendon se mbron Marrëveshjen e Dejtonit, kurse Silajxhiqi kërkon rishikimin e kësaj marrëveshjeje.

Të dy po shkelin parimin bazë të Dejtonit, që është sistem federal brenda një shteti. Kjo është në thelb të krizës boshnjake sot.

Si pasojë, dyshimet dhe frika e krijuar që nga lufta e vitit 1992, janë ringjallur. Një dinamikë shkatërruese po zhvillohet dhe nacionalizmi kroat e boshnjak janë në rritje.

Situata bëhet edhe më e ndjeshme nga fakti se bashkësia ndërkombëtare është e shpërndarë. Derisa administrata Bush i ktheu kurrizin Bosnjës në një shkallë të madhe, Bashkimi Evropian mbeti i angazhuar. Anëtarësimi në BE ka qenë shtysa kryesore për reforma në Bosnjë.

Por, Brukseli nuk po zhvillon një politikë koherente në Bosnjë dhe duke deklaruar përparim atje ku ai nuk shihet, dobëson jo vetëm ndikimin në vend, por edhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë dhe praninë ushtarake ndërkombëtare.

Pavarësisht sinjaleve të rrezikshme, Franca e Spanja duan largimin e EUFOR-it deri në fund të vitit, thjesht për të provuar se misioni i Bashkimit Evropian mund të përfundojë.

Ashtu si Dodiku, edhe Rusia po përpiqet të keqpërdorë dobësinë e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të shkaktojë trazira për SHBA-të dhe BE-në sa herë që mundet e ku të mundet.

Moska ka shumë pak investime në Bosnjë krahasuar me BE-në dhe SHBA-të dhe përpjekjet e Rusisë për të mbyllur zyrën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar duhet të pengohen.

Shefi i politikës së jashtme, Javier Solana, duhet të iniciojë një studim, ku do të parashihen politikat e reja transatlantike, ku Uashingtoni dhe Brukseli do të jenë të përfshirë maksimalisht.

Politika e Bashkimit Evropian, pas referendumit të Irlandës, para së gjithash do të jetë një politikë për Ballkanin.

Vëmendja së fundi është përqendruar në Kosovë, por Bosnja ka qenë gjithmonë një sfidë më e madhe dhe më e rrezikshme.

Shkatërrimi i vendit mund të pengohet me zgjimin e BE-së dhe angazhimin amerikan dhe me përtëritjen e premtimeve për ekzistencën e Bosnjës si shtet.

Është koha t’i kushtohet vëmendje Bosnjës sërish nëse nuk duam që gjërat të përkeqësohen shpejt. Por, tani ne duhet ta dimë së paku çmimin e një rrjedhe të tillë.
XS
SM
MD
LG