Ndërlidhjet

Qehaja: Në veri të Mitrovicës - situata alarmante


Ramadan Qehaja
Ramadan Qehaja

“Në veri kemi situatë të tendosur, që mund të përkeqësohet dhe të ketë implikime për tërë territorin e Kosovës, e ndoshta edhe për rajonin”, thotë Ramadan Qehaja, ekspert i sigurisë.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Qehaja, situata e sigurisë në Kosovë vlerësohet e qetë, por vazhdon të ketë një gjendje jashtë kontrolli në veri të Kosovës. Si e shihni ju këtë gjendje dhe a mund të ndërmerret diçka atje për të kthyer rendin dhe ligjin?

RAMADAN QEHAJA
Është e vërtetë se, marrë në tërësi, në territorin e Kosovës situata e sigurisë mund të quhet e qetë, mirëpo, sipas mendimit tim, kjo situatë mund të eskalojë, për shkak të problemeve që i kemi në planin ekonomik dhe social në popullatë.

Unë mendoj se ky është momenti kyç që mund ta dëmtojë sigurinë në Kosovë, kur është fjala për popullatën shumicë në tërësi dhe popullatën e Kosovës. Mirëpo, deri tani, kjo situatë është mbajtur si e tillë.

Problemin më të madh dhe sfidën më të madhe e kemi veriun e Kosovës, ku atje nuk vlejnë ligjet, apo Kushtetuta e Kosovës nuk zbatohet në praktikë, dhe kemi një situatë të tendosur, e cila në çdo moment mund të përshkallëzohet, e edhe më shumë të përkeqësohet dhe të ketë implikime mjaft të rënda për tërë territorin e Kosovës, e ndoshta edhe për rajonin.

Ne, edhe në prononcimet e mëhershme, kemi thënë se ajo pjesë e Kosovës në fakt vepron si e ndarë nga territori i tërësishëm i Kosovës. Atje vlejnë ligjet e Beogradit zyrtar, të Serbisë, dhe këtu nuk ka dyshim.

Qytetarët e Kosovës tanimë janë duke kërkuar me vendosmëri që të përfillet Kushtetuta e Kosovës, e cila është aprovuar në Kuvendin e Kosovës dhe si e tillë është pranuar edhe ndërkombëtarisht. Ne, me këtë gjendje, më nuk mund të shkojmë përpara, aq më parë që Kushtetua nuk po respektohet. Ky është dëmi më i madh që ka mundur t’i jepet Kosovës së pavarur.

Unë, si ushtarak profesionist, ndoshta mendoj ndryshe nga politikanët, por kam një qëndrim timin personal, se duhet të shkohet me një plan konkret, me të cilin duhet bërë çmos që në koordinim të ngushtë me KFOR-in, policia e Kosovës të hyjë apo të depërtojë në atë pjesë të territorit të Kosovës për të mbrojtur ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës.

Këtu nuk mund të ketë më dilema, sepse deklarimet boshe se ‘do të bëjmë këtë’, ‘do të kryejmë këtë’, ‘do të rikthejmë atë territor’, më nuk pinë ujë te popullata e Kosovës. Dhe unë, si ekspert i sigurisë, mendoj se vetëm me plan konkret, pavarësisht prej asaj se ndoshta dikush do ta keqkuptojë këtë, por nuk është fjala për të bërë një depërtim për t’u konfrontuar me popullatën serbe atje – kurrsesi, por të konfrontohet me strukturat paralele të sigurisë.

Me ato duhet të luftohet – nëse mund të them kështu – dhe të rikthejmë kontrollin atje. Tash për tash situata është alarmante.

RADIO EVROPA E LIRË

Në këtë kuadër, kërcënimet mbi sigurinë kanë ardhur kryesisht nga disa struktura paralele të sigurisë. Sa janë serioze kërcënimet e tyre?

RAMADAN QEHAJA
Në kohën e fundit sikur shihet një lëvizje diç më pozitive me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike të Tadiqit, mirëpo, përkundër deklarimeve të kohëpaskohshme politike, diç më të buta, kushtimisht thënë, nuk mendoj se strukturat paralele atje, sidomos këto të sigurisë, do të jenë më pak të rrezikshme.

Përkundrazi, unë konsideroj se ato tash e kanë atë fundin, ku do të tentojnë në çdo mënyrë të japin rezistencën më të madhe të mundshme për të mbrojtur atë që e kanë bërë 10 vjet me radhë.

Prandaj, mos të kemi hezitime këtu, mos të kemi keqkuptime, sepse ata nuk do të lëshojnë pe edhe aq lehtë, andaj ballafaqimi me ta duhet të jetë vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi që i kemi në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Te një pjesë e komunitetit ndërkombëtar ka tendenca që EULEX-i të marrë një rol neutral ndaj statusit. Si e shihni ju këtë qasje, marrë parasysh që EULEX-i ka përgjegjësi edhe në fushën e sigurisë e drejtësisë?

RAMADAN QEHAJA
Do të ishte mirë që EULEX-i deri më tani të ishte funksional në tërë territorin e Kosovës. Kjo është pritur me të madhe. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur për shumë shkaqe, kurse shkaku kryesor është, siç thotë edhe gjenerali Kermabon, se nuk është marrë sinjali i duhur nga Beogradi zyrtar për t’u shtrirë kjo veprimtari edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas mendimit tim, kjo qasje është jo e mirë, joparimore dhe ne si popull këtu në Kosovë nuk mund ta pranojmë. EULEX-i duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe nuk mendoj se EULEX-i duhet të jetë neutral.

EULEX-i ka ardhur për të zbatuar planin e Ahtisaarit këtu e jo për të mos zbatuar planin e Ahtisaarit. Nëse kjo hyn në fuqi, siç po pretendohet apo siç po thuhet aty-këtu, atëherë vërtet edhe EULEX-i nuk do të ketë sukses në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë kanë përgatitur një listë të standardeve, të cilat duhet t’i përmbushë policia e Kosovës, në mënyrë që të arrijë një shkallë të nevojshme të profesionalizmit. Mes tjerash kërkohet që në polici të mos ketë ndikime politike. Ju, si mendoni?

RAMADAN QEHAJA
Unë mendoj se kjo është një detyrë shumë komplekse, tepër serioze, tepër e rëndësishme për ne. Ju po e shihni se që 9 vjet në polici nuk ka ndryshime. Asnjë qeveri e deritanishme nuk i ka hyrë kësaj detyre me një vendosmëri.

Edhe qeveria e tanishme, përkundër dhënies së opinioneve se do ta bëjë një gjë të tillë, se do ta bëjë një ndryshim në polici, kjo ende nuk ka ndodhur. Erdhi viti i ri dhe nuk ka ndryshim në policinë e Kosovës.

Unë mendoj se në menaxhmentin apo në strukturën udhëheqëse komanduese të policisë së Kosovës duhet patjetër të ketë ndryshime, do të thosha rrënjësore, që të mund të shkohet përpara me polici efektive, siç e kërkon populli ynë, siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për polici i Kosovës.

Ju e dini që një kohë LDK-ja dhe PDK-ja e patën ndarë përqindjen se sa policë do të jenë prej LDK-së, sa prej PDK-së. Kjo si duket ende ka mbetur në fuqi aty-këtu dhe është vështirë që kjo të eliminohet shpejt, por është më vështirë kur nuk ndërmerr masa dhe kjo situatë edhe më tepër prolongohet.

Prandaj, edhe suksesi në polici do të mungojë. Dhe, kjo nuk na duhet. Neve na duhet një polici efektive, jopartiake, jopolitike, e cila është në një gatishmëri të lartë vepruese për të mbrojtur rendin kushtetues të Kosovës.
XS
SM
MD
LG