Ndërlidhjet

Kosova për raporte fqinjësore me të gjithë, edhe me Serbinë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Kosova ka interes që të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, ka thënë presidenti Fatmir Sejdiu. Ai tha se një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet hapjes së ambasadave në vendet fqinje që e kanë njohur Kosovën.

Republika e Kosovës angazhohet për raporte të mira me vendet fqinje, ka thënë presidenti Fatmir Sejdiu. Në radhë të parë, presidenti kosovar tha se do t’i kushtohet rëndësi ngritjes së nivelit të raporteve diplomatike me vendet që e kanë njohur Kosovën, ndërkaq në një të ardhme, ai tha se beson që edhe me Serbinë, shteti i Kosovës do të mund të ndërtojë marrëdhënie të mira.

Që nga njohja e Kosovës nga vendet fqinje, Maqedonia e Mali i Zi, presidenti Sejdiu tha se Kosova po i shton angazhimet dhe përgatitjet që me këto dy vende të vë marrëdhënie në nivel ambasadash. Por, sipas Sejdiut, janë edhe implikimet buxhetore ato që e kushtëzojnë që misionet diplomatike në disa vende, të përfshihen në agjendën e vitit të ardhshëm.

“Do të mbështetemi edhe në kapacitetet dhe mundësitë tona buxhetore. Është në politikën e përgjithshme tonën që vërtet me vendet e rajonit t’i kemi edhe shtrirjet e para; s’mund ta them datën, sepse nevojitet edhe proces i bashkëpunimit reciprok me vendet veç e veç dhe besoj në një kohë të arsyeshme do të jetë. Ministria e Jashtme po i bën përgatitjet dhe ne do të shtrihemi në rrjetin diplomatik aq sa kemi mundësi”,
tha Sejdiu.

Sa i përket Kosovës, presidenti Sejdiu tha se Prishtina është e gatshme për të hyrë në bisedime edhe me Serbinë si dy shtete dhe palë të barabarta, në mënyrë që të vijë deri te relaksimi i marrëdhënieve mes dyja vendeve.

Për Kosovën, shtoi Sejdiu, është krejtësisht e papranueshme që të bisedohet me Beogradin në lidhje me sovranitetin dhe çështjen e statusit, pasi që kjo kaptinë, nënvizoi ai, është përmbyllur dhe se Kosova tashmë është shtet i pavarur e i pranuar ndërkombëtarisht.

Në çështjet tjera, Sejdiu përmendi disa fusha, në të cilat Kosova e Serbia mund të fillojnë të bisedojnë dhe hapin kështu mundësinë e relaksimit të raporteve, që u vlerësua se do të ishte edhe në dobi të stabilitetit të tërë rajonit.

“Jemi për relaks të marrëdhënieve për tema që bëhen si bisedime mes shteteve sovrane. Pse mos të bisedojmë për çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e kufijve, për çështjet e parandalimit të krimit të organizuar, për çështje të bashkëpunimit ekonomik, e pse jo edhe për çështje të respektit të pakicave”, tha Sejdiu.

Vendet e rajonit dhe republikat e ish-Federatës Jugosllav, janë potencuar në vazhdimësi nga Prishtina si shumë të rëndësishme për ndërtimin e raporteve të mira bilaterale. Ndërsa për sivjet, Kosova parasheh hapjen e misioneve diplomatike në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme botërore; për vitin e ardhshëm thuhet se do të jenë vendet e rajonit në krye të listës, në të cilat Kosova do t’i hapë ambasadat e saj.
XS
SM
MD
LG