Ndërlidhjet

Institucionet i besojnë GJND-së


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Autoritetet e diplomacisë kosovare sigurojnë se Kosova do të jetë e gatshme në afatet e caktuara kohore t'i ofrojë argumente të fuqishme Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilat do të jenë në favor të ligjshmërisë së saj.


Kosova do të jetë e gatshme të argumentojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 17 prill të vitit 2009, datë kjo të cilën Gjykata në Hagë e ka përcaktuar si limitin kohor, kur palët e përfshira në këtë çështje do të mund t'i paraqesin deklaratat e tyre me shkrim.

Këtë e bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili tha se urdhri i miratuar nga Gjykata më 17 tetor të këtij viti, me të cilin Kosova ftohet të marrë pjesë gjatë gjykimit të pavarësisë së saj, ofron siguri për vendin.

"Kosova, brenda afateve kohore të përcaktuara nga Gjykata, do të paraqes në çdo fazë çdo gjë që i kërkohet. I është kërkuar që të bëjë deklaratën me shkrim deri më 17 prill dhe këtë do ta bëjë. Gjykata e ka rezervuar të drejtën që të marrë vendime të veçanta rreth procedurave të mëtejme dhe ne do të respektojmë çdo vendim të gjykatës sipas periudhave përkatëse",
tha Hyseni.

Për të mbrojtur ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës, institucionet e larta shtetërore kishin angazhuar kohë më parë një ekip ekspertësh ligjorë, të kryesuar nga britaniku Michael Wood.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hyseni, shprehu besim të plotë në përgatitjet e ardhshme të këtij ekipi, në vendimin e gjykatës si dhe në ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë.

"Institucionet e Kosovës kanë besim të plotë në gjykimin që do të sjellë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kanë besim të plotë në drejtësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kanë besim të plotë në argumentimin e fuqishëm që në favor të kësaj do të bëjë ekipi i ekspertëve ligjorë, të cilit do t'i prijë Sir Michael Wood", theksoi ai.

Sipas vendimit të autoriteteve kosovare të bërë kohë më parë, Wood është përcaktuar të mbledhë një ekip të ekspertëve ndërkombëtarë për të hyrë në procesin e mbrojtjes së pavarësisë së vendit. Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shpreh besim të plotë në punën që do të bëjë ky ekip, mirëpo thekson se përgatitjet për të dalë para drejtësisë ndërkombëtare është dashur të kenë filluar më herët.

"Për mua është për keqardhje pse ne jemi në drejtësi për shkak të shpalljes së pavarësisë dhe shpreh keqardhje pse nuk e kemi marrë këtë çështje seriozisht me kohë. Është një lehtësim që përfaqësuesit ligjorë për Kosovën janë njerëz të zotët", tha Haradinaj.

Ekspertët e së drejtës ligjore në Kosovë, ndërkohë, shprehen optimistë që mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e Kosovës do të jetë në favor të vendit. Eksperti Ismet Salihu konsideron se nisma e Serbisë për të gjykuar legalitetin e pavarësisë së vendit, ndonëse e nisur me qëllim politik kundër Kosovës, ka shanse të mëdha të përfundojë në favor të saj.

"Mendoj se në atë instancën e fundit, kjo do të jetë e dobishme edhe për vetë Kosovën, edhe pse Serbia e ka ndërmarrë këtë iniciativë me qëllim që ta dëmtojë Kosovën, mirëpo me këtë, Kosova, jam i bindur se me vendimin e Gjykatës, do të fitojë më tepër edhe në aspektin e jurispodencës ndërkombëtare, do të jetë më valide, më e fortë dhe më legjitime", tha Salihu.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përbëhet nga 15 gjyqtarë të pavarur nga e gjithë bota, të cilët zgjidhen nga Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme. Në përbërjen e saj aktuale janë të përfshirë gjyqtarë nga 6 shtete që tanimë kanë njohur Kosovën, ndërsa pjesa tjetër akoma nuk kanë hedhur hapin për njohje. Periudha deri në shprehjen e mendimit këshillëdhënës të gjykatës do të jetë sfidë për procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, shtetësinë e së cilës deri më tani e kanë njohur 51 vende.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG