Ndërlidhjet

Dhuna në shkolla


Pamje nga një shkollë në Prishtinë

Pamje nga një shkollë në Prishtinë

Dhuna ndaj nxënësve nga ana e mësimdhënësve vazhdon të jetë e pranishme edhe më tutje në shkollat kosovare. Sipas përfaqësuesve që merren më të drejtat e fëmijëve, për shkak të kësaj dukurie, shumë fëmijë frikësohen të shkojnë në shkollë. Në anën tjetër, autoritet kosovare pohojnë se kanë krijuar mekanizma të mjaftueshëm për çështje të sigurisë në shkolla.

Përdorimi i dhunës ndaj nxënësve nga ana e mësimdhënësve vazhdon të jetë i pranishëm edhe më tutje në shkollat kosovare. Kështu bëjnë të ditur përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e fëmijëve, por edhe organet kompetente.

Dardan Makolli, maturant në Gjimnazin “Sami Frashëri”, njëherësh edhe përfaqësues i bordit të Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, thotë se dhuna ndaj nxënësve në shkollat kosovare është e pranishme në nivel të lartë. Tërheqja e veshit dhe flokëve, por edhe goditja me grusht janë ndër veprimet më të përdorura ndaj nxënësve në disa shkolla, thotë Dardani.

Si rezultat i kësaj, ai thotë se shumë fëmijë kanë frikë të shkojnë në shkollë, për vetë faktin se ata keqtrajtohen në institucionet arsimore.

“Sipas statistikave të ndryshme, është parë që fëmijët dhe nxënësit shpeshherë janë të frustruar dhe të shtypur dhe nuk e kanë lirinë e tyre të plotë për të shprehur mendimet e tyre. Nëse një nxënës ndodh që të përmirësojë ndonjë arsimtar ose profesor, shpeshherë ndodh një keqkuptim nga profesori dhe nxënësi keqtrajtohet si fizikisht, ashtu edhe psikikisht”, thotë Makolli.

Po cilat janë arsyet e përdorimit të dhunës nëpër shkolla? Dardan Makolli shpjegon më shumë:

“Nuk bëhet një diferencim i përgjegjësive që një profesor i ka në shkollë, prej obligimeve që ai profesor i ka në jetën e tij të përditshme. Përveç kësaj nevojitet edhe trajnimi i profesorëve. Shumica e profesorëve kanë një përvojë shumë të madhe në arsim dhe janë mësuar me metoda të vjetra të mësimdhënies, ku profesori është në qendër të vëmendjes, profesori është subjekti, ndërsa nxënësi është objekti”.

Ndryshe, një grup i të rinjve tashmë kanë filluar një fushatë vetëdijesuese për ndalimin e dhunës nëpër shkolla. Fisnik Sejdiu, nga ky grup, shprehet se për parandalimin e kësaj dukurie, nevojitet një bashkëpunim më i mirë në mes nxënësve, arsimtarëve dhe prindërve.

“Ne kemi ardhur në konkludim se është shkëputur një lloj lidhjeje që mund të ekzistojë prind, profesor, ( personel i shkollës) dhe nxënës. Ata nuk bashkëpunojnë mirë dhe faktikisht ata edhe i nxisin”, thotë Sadiku.

Institucionet e Kosovës, përgjegjëse për arsimin, në bashkëpunim me organet e rendit dhe të sundimit të ligjit, tashmë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për çështje të sigurisë në shkolla.

Nehat Mustafa, këshilltar i ministrit të Arsimit, thotë se përveç memorandumit, dhuna në shkolla ndalohet edhe në baza ligjore.

“Në këtë drejtim, ministria me kohë i ka pajisur me infrastrukturë ligjore të gjitha shkollat dhe drejtoritë komunale. Natyrisht, ne po bëjmë kërkesë të vazhdueshme nga shkollat dhe drejtoritë komunale që ky kod të aplikohet, të zbatohet dhe realisht të mos ketë tolerime në këtë drejtim”,
thotë Mustafa.

Por, Dardan Makolli thotë se edhe pse ekziston ligji, nuk ka instrumente të veçanta për zbatimin e ligjit.

“Ligji thjesht është në letër, është fjali e bukur, është shumë mirë i hartuar, por nuk ka instrumente për zbatimin e ligjit. Në shumicën e shkollave nuk ka psikologë, të cilët do të mund të konsultoheshin; edhe nëse ka, ka psikologë për një apo dy ditë, e nuk ka psikologë të mirëfilltë të fjalës. Do të thotë, nuk ka kuadro që do të duheshin të merren me nxënësit. Pedagogët janë larguar nga shkolla”, thotë Makolli.

Sidoqoftë, sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, institucionet nënshkruese të këtij dokumenti obligohen që të krijojnë mekanizma, të cilët do të parandalonin dhe sanksionin dukuritë negative në shkollat kosovare.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG