Ndërlidhjet

"Trazohet LDK-ja?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Shefi ekzekutiv i LDK-së, Blerim Kuçi, ka paraqitur dorëheqjen e tij nga ky post, të mërkurën, pas kërkesës që i është bërë nga presidenti i Kosovës dhe presidenti me post të ngrirë në LDK, Fatmir Sejdiu. Arsyeja ka qenë mospërputhja e qëndrimeve se cili duhet të jetë ritmi i reformave për partinë e dytë në vend që i ka propozuar ky i pari. “Dje (të martën) është kërkuar nga unë që të jap dorëheqje dhe tani e kam bërë këtë”, ka thënë Kuçi... Shefi ekzekutiv i LDK-së ka thënë se arsyeja pse atij i është kërkuar dorëheqja ka qenë tempi i shpejtë i reformave për reformimin e partisë, që e ka vënë ai...

ZËRI
Qarqet diplomatike perëndimore që shërbejnë në Beograd, ia kanë bërë me dije gazetës “Zëri” se cilat janë qëndrimet dhe pritjet e autoriteteve më të larta të Serbisë në procesin që ka nisur në GJND, pas përkrahjes së marrë më 8 tetor, në Nju Jork, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për këtë nismë të Serbisë. Para së gjithash, Beogradi zyrtar shpreson që GJND-ja, me një dinamikë të shpejtuar do ta trajtojë çështjen e legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, nga Kuvendi i Kosovës. Procedura e përshpejtuar, sipas perceptimit të Beogradit, nënkupton 9-12 muaj të punës së GJND-së, pas së cilës do të ofrohej vlerësimi i kësaj gjykate për bërjen e shtetit të Kosovës. Zgjatja e këtij procesi, bazuar në këto qarqe diplomatike perëndimore dhe nga përvoja e kontakteve të tyre me zyrtarët e Serbisë, nuk është në interes të Beogradit, apo nuk i përshtatet strategjisë së Serbisë, që sa më parë që është e mundur, Beogradi dhe Prishtina të kthehen në tryezën e bisedimeve...

LAJM
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të mërkurën në Bruksel, nënshkruan një marrëveshje për pjesëmarrjen e përfaqësuesve amerikanë në misionin evropian në Kosovë, EULEX. Sipas dispozitave të kësaj marrëveshjeje, mbi 80 amerikanë do të sistemohen në EULEX. Kjo është hera e parë që SHBA-të marrin pjesë në ndonjë mision të Bashkimit Evropian. “Kjo është hera e parë që amerikanët marrin pjesë në një mision të tillë evropian. Shpresoj që kjo të krijojë një precedent për një bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së, është shprehur ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, i cili në emër të Qeverisë amerikane e ka nënshkruar marrëveshjen...

INFOPRESS
Nuk do të qitet në harresë institucionale asnjë pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës që edhe për disa vite nuk i kap ligji për pensionimin e parakohshëm dhe që nuk do të mund të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë. Ministria e Forcës së Sigurisë dhe Qeveria e Kosovës tashmë kanë detajuar një projekt të risistemimit dhe mbështetjes institucionale për këta persona, që do të garantojë përkrahje institucionale deri në moshën e pensionimit të parakohshëm. Përveç kësaj, qeveria pritet që më vonë të nxjerrë një strategji veprimi për përkujdesje për të gjithë këtë grup të pjesëtarëve të TMK-së. Ligji për pensionim të përkohshëm të pjesëtarëve të TMK-së parasheh që ky pensionim të fillojë nga mosha 45 vjeçare...

EPOKA E RE
Shtrirjen e misionit civil ndërkombëtar të Bashkimit Evropian në Kosovë e konsideron shumë të nevojshme, sepse mendon që EULEX-i do t’i mbrojë edhe qytetarët serbë në veri. Mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme nuk e sheh si problem, por i ikën përgjigjes nëse serbët sot ë mbajnë sërish zgjedhje krye në vete dhe nëse është takuar ndonjëherë me strukturat paralele serbe, për të cilat ka thënë se nuk e di se si funksionojnë. Konsideron se Qeveria e Kosovës është duke bërë një punë të mirë për të gjithë qytetarët, por i duhet ende kohë të dëshmojë për të arritur besimin dhe mirëkuptimin edhe te pakica serbe. Pranon se ka dallim në problemet që kanë serbët në veri dhe serbët që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës... Për këto dhe të tjera, flet në një intervistë për Epokën e Re, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq...

EXPRESS
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në kuadër të procesit të zgjedhjeve të brendshme, si duket ka shtuar apetitet që në radhët e veta të inkuadrojë njerëz edhe nga LDK-ja. Afërsia që u krijua gjatë bashkëqeverisjes në mandatin e kaluar të këtyre dy partive, ka rritur bashkëpunimin ndërpartiak. Përveç emrave të tjerë, së fundi flitet edhe për anëtarë të njohur të LDK-së, Anton Berishaj, Anton Berishaj, ish-kryetar i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, dhe Skënder Zogaj, ish-kryetar i Komunës së Fushë Kosovës, që pritet t;i bashkohen AAK-së. Kryetari Ramush Haradinaj nuk ka dashur të flasë për emra të përveçëm, por ka vlerësuar bashkëpunimin me LDK-në...

BOTA SOT
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përjashtoi çdo mundësi të bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështjet që kanë të bëjnë me statusin dhe me strukturën shtetërore të Kosovës, duke thënë se ato janë të papranueshme ngase Kosova tashmë është njohur ndërkombëtarisht shtet sovran dhe i pavarur. Ai i bëri këto komente pas takimit më ambasadorin e Suedisë në Kosovës dhe në Maqedoni, Lars Freden, i cili i ka dorëzuar edhe zyrtarisht presidentit Sejdiu letrat kredenciale të Mbretërisë së Suedisë. Nga ana tjetër, ai e sheh normale që me Beogradin të bisedohet vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin normal ndërmjet dy shteteve...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës mbetet pranë zotimit për t’i dhënë fund “kaosit” në sistemin e pagave në administratën publike dhe paralelisht me këtë edhe rritjen e paralajmëruar të pagave të shërbyesve civilë. Tashmë në qeveri është duke u finalizuar një projekt-udhëzim për pagat në institucionet e administratës publike në Kosovë dhe rritjen e pagave të shërbyesve civilë. Ky projekt-udhëzim, siç merret vesh, është si rezultat i diskutimeve të gjëra të të gjithë mekanizmave, përfshirë këtu edhe këshillat ndërkombëtare, sidomos ato të FMN-së. Qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, shprehu angazhimin për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve sociale në kuadër të mundësive buxhetore dhe kornizat që janë të përcaktuara në diskutim me të gjithë mekanizmat vendës dhe këshillat ndërkombëtare...
XS
SM
MD
LG