Ndërlidhjet

Filloi votimi i hershëm në SHBA


Barack Obama dhe John McCain
Barack Obama dhe John McCain

Amerikanët në shumë shtete kanë filluar të votojnë për presidentin e ardhshëm të SHBA-së. Edhe pse zgjedhjet janë më 4 nëntor, në shtetet kyçe për betejën zgjedhore, si Florida dhe Kolorado, ligjet shtetërore u lejojnë qytetarëve që të votojnë dy javë më herët. Vetëm disa ditë para votimit, raportohet për mosfunksionimin e makinave të votimit dhe për fletëvotime të shtypura gabimisht, si dhe për përpjekjet e zakonshme të motivuara politikisht për të sfiduar votuesit.


Në Kaliforni, disa votues po hedhin votat e tyre derisa shumë po ngasin drejt qendrave të votimit.

Në Floridë, Nevadë dhe Teksas, njerëzit po presin në radhë nganjëherë për orë të tëra, nën diellin e nxehtë, për të hedhur votat e tyre.

Zyrtarët e zgjedhjeve në Majami u kanë kërkuar votuesve që të mbathin këpucë të 'përshtatshme' në qendrat e votimit. 31 shtete u lejojnë tanimë votuesve që të votojnë personalisht para ditës së zgjedhjeve, të tjerët lejojnë vetëm votimin me postë.

Vitet e fundit ky trend është në rritje, kryesisht për të bindur amerikanët të votojnë, por në këto zgjedhje do të ketë ndikim të madh.

Vlerësohet se deri më 4 nëntor, një e katërta e amerikanëve do ketë votuar.

Zyrtarët amerikanë thanë se në këto zgjedhje do të votojnë 9 milionë amerikanë që nuk kanë votuar kurrë më parë.

Në Gjeorgjia, deri më 15 tetor kanë votuar më shumë se 540 mijë fletëvotime. Në Karolinën e Veriut, më shumë se 200 mijë votues kanë shkuar në qendrat e votimit në dy ditët e para të votimit të hershëm, më 16 dhe 17 tetor. Rreth 62 për qind nga ta ishin të regjistruar si demokratë, kundrejt 22 për qind republikanëve.

Demokratët thonë se shumica e votuesve të rinj do të hedhin votën për kandidatin presidencial Barack Obama, si dhe për kandidatët demokratë për Kongres.

"Ju do të filloni të votoni që sot. Dua që secili pas këtij tubimi, nëse ende nuk keni votuar, ta hidhni menjëherë votën tuaj. Mos prisni deri më 4 nëntor",
ka thënë Obama në një tubim në Florida, duke u kërkuar amerikanëve që të votojnë në votimin e hershëm.

Suksesi i Partisë Demokratike për të regjistruar votuesit ka shtyrë disa shtete të udhëhequra nga republikanët, që të nisin procese gjyqësore për të sfiduar votat.

Republikanët thonë se po pengojnë manipulimin e votave, por demokratët e quajnë këtë presion mbi votuesit.

Procesi më i madh gjyqësor u mbajt në shtetin e Ohajos, ku u sfiduan 200 mijë votues të rinj. Por, më 17 tetor, Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi kundër padisë së republikanëve, në favor të votuesve të rinj.

Në një rast tjetër, në Kaliforni, janë bërë arrestime, meqë dhjetëra persona thanë se ishin mashtruar duke u regjistruar si republikanë nga një firmë private YPM, e kontraktuar nga Partia Republikane.

Një hetim i BBC-së ka gjetur se zyrtarët e Partisë Republikane në Miçigan dhe Nju Meksiko, në muajt e fundit, kanë shlyer më shumë se 3 milionë njerëz me të drejtë vote nga listat e votimit.

Çështja e manipulimit të votave është bërë çështje serioze në SHBA që nga zgjedhjet kundërthënëse presidenciale të vitit 2000, kur kandidati demokrat Al Gore luftoi ndaj republikanit George Bush, derisa Gjykata Supreme vendosi në favor të Bushit.

Vendimi final u var në qindra vota të shtetit të Floridës, ku zgjedhjet ishin dëmtuar nga mosfunksionimi i makinave të votimit dhe nga gabimet në shtyp të fletëvotimeve.

Avokatët e Obamas dhe McCainit tashmë kanë përgatitur strategjitë legale në rast se do të ketë përsëritje të numërimit të votave.
XS
SM
MD
LG