Ndërlidhjet

Pas pak më shumë se tre muaj që kur u emërua shef ekzekutiv i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Kuçi ka dhënë dorëheqje. Ai thotë se largimi nga ky post është bërë me kërkesë të kreut të partisë, Fatmir Sejdiu.


Shefi ekzekutiv i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Kuçi, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, siç thotë ai, pas kërkesës së bërë nga presidenti Fatmir Sejdiu. Sipas Kuçit, kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka shfaqur pakënaqësi në lidhje me ecurinë e procesit të reformave brenda kësaj partie.

"Mund të them se me kërkesën e presidentit, unë kam dhënë dorëheqje para Kryesisë së LDK-së, për shkak të mospërputhjes me dinamikën drejt reformave në LDK; edhe ndonjë gabim që është i mundshëm, që kam bërë në hapa", tha zoti Kuçi.

Ai nuk ka dashur të japë më tepër detaje rreth asaj se cilat kanë mundur të jenë gabimet e tij. Ai premton se detajet do të jepen pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

"Nuk do të thosha tash për tash më shumë. Tash për tash, kjo është dhe ajo është arsyeja kryesore me të cilën unë kamë ofruar dorëheqjen time. Ndoshta më vonë do të kemi mundësi t'i shpjegojmë disa gjëra, por të shikojmë pas mbledhjes së Kryesisë", tha Kuçi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, mendon se arsyeja pse presidenti Sejdiu ka kërkuar që shefi i ekzekutivit të LDK-së të japë dorëheqje, mund të ketë qenë dinamika e shpejtë e punës së Kuçit, gjë që, sipas tij, ka qenë pothuaj e pamundur për pjesën tjetër të partisë që ta përcjellë atë ritëm.

“Është problemi që objektivisht zoti Kuçi ka një ritëm shumë të shpejtë të kërkesave, sesa që një mekanizëm shumë i madh mund ta përcjellë. Në atë shpejtësi, në atë energji shpeshherë bëhen do hapa që janë te përshpejtuar. Unë mendoj se kërkesat e tij për përshpejtime, në fakt të linin në një farë forme pa frymë në faza të caktuara", tha Kryeziu.

Megjithatë, Kryeziu pohon se pavarësisht zhvillimeve të fundit dhe disa pakënaqësive brenda partisë, reformat në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të vazhdojnë.

“Unë e pranoj se kjo nuk është krejt komode. Mirëpo, ne do të vazhdojmë me reforma patjetër, nuk do të zmbrapsemi nga reformat", tha Kryeziu.

Zyrtarët e lartë në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk kanë bërë të ditur se kur do të mblidhet Kryesia për të shqyrtuar dorëheqjen e Kuçit.

Megjithatë, edhe nëse mbahet mbledhja e Kryesisë, ende nuk dihet nëse do të merret ndonjë vendim për emërimin e ndonjë zyrtari tjetër në postin e shefit ekzekutiv të LDK-së, që e kishte Blerim Kuçi.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG