Ndërlidhjet

Kosova respekton parimet e të drejtave të njeriut


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Udhëheqësit e Kosovës garantojnë se Kushtetuta e Kosovës paraqet një platformë stabile për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, mirëpo ekspertët tërheqin vëmendjen se gjatë hartimit të këtij dokumenti, janë lënë anash disa akte të rëndësishme ndërkombëtare.

Autoritetet udhëheqëse të Republikës së Kosovës sigurojnë se kanë ofruar të gjitha mundësitë e nevojshme në mbështetje të respektimit të lirive dhe të të drejtave në Kosovë.

Në një konferencë të mbajtur me rastin e 60 vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua për rastin e Kosovës, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, si dhe ekspertë të fushës së të drejtave të njeriut, biseduan për gjendjen aktuale në fushën e të drejtave të njeriut në vend.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova paraqet një hapësirë ku liritë dhe të drejtat e njeriut mbrohen në përputhje me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

"Kosova ka promovuar vetveten me gjithë lëvizjen politike dhe të rezistencës si një vend, si një hapësirë, si një tërësi e qytetarëve, me përjashtime të vogla se do të jetë pikërisht një faktor i rëndësishëm në këtë ecje të respektit të përbashkët, që i bëhet këtyre vlerave të rëndësishme, që gjenden në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut", tha presidenti Sejdiu.

Liritë dhe të drejtat themelore përcaktohen në Kushtetutën e Kosovës nga neni 21 e deri në nenin 56, ndërkohë që komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë u janë garantuar të drejta të veçanta.

Presidenti Sejdiu konsideron se Kushtetuta e Kosovës është oferta më e mirë e mundshme, që u mundëson një jetë të dinjitetshme me respektim të plotë të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të vendit, duke përfshirë dhe komunitetet pakicë.

"Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet specifike që adresohen në një segment të veçantë, edhe për pozitën e komuniteteve pakicë në Kosovë, janë po ashtu një pjesë edhe e përmbushjes institucionale, edhe praktike, të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në ecjen e mëtejshme dhe të dëshmimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, i qëndrueshëm dhe i pranuar ndërkombëtarisht pikërisht me këto premisa", shton ai.

Mirëpo, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda, vlerëson se Kosova është dashur të kërkojë reciprocitet në çështjen e garantimit të lirive dhe të të drejtave për komunitetet pakicë, duke u kërkuar atyre të respektojnë edhe të drejtat e popullit shumicë të Kosovës të përbërë nga shqiptarët.

Sipas Grudës, Kushtetuta e Kosovës do të duhej të mbështetej edhe në dy dokumente të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat, siç thotë ai, janë heshtur nga hartuesit e Kushtetutës.

"Në Kushtetutë nuk përmenden dy akte - ndër aktet më të rëndësishme për të drejtat e njeriut, e të cilat përpiluesit e Kushtetutës i kanë heshtur. Fjalën e kam për Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore edhe për Kartën Sociale e Evropiane", mendon Gruda.

Një ndihmesë në drejtim të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë duket se do të paraqesë edhe misioni i ardhshëm për sundim të ligjit dhe polici i Bashkimit Evropian - EULEX.

Udhëheqësi i sektorit të Drejtësisë së këtij misioni, Alberto Perduca, konsideron se shkelja e të drejtave të njeriut do të jetë pjesë e angazhimeve, të cilat do t'i trajtojë Zyra e Prokurorimit Special, në punën e së cilës do të jenë të përfshirë gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it.

"Kjo zyre speciale e prokurorimit do të ketë kompetenca ekskluzive në rastet që kanë të bëjnë me terrorizëm, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, pastaj kundër krimit të organizuar dhe krimeve financiare", thotë Perduca, i cili e cilëson si një ndihmesë të madhe në këtë drejtim angazhimin e 70 punonjësve evropianë të drejtësisë për zhvillimet në sundimin e ligjit në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë ishte formuar zyra e Ombudspersonit, e cila trajton problemet që kanë të bëjnë me shkeljen e lirive dhe të të drejtave njeriut. Mirëpo, krijimi i një sistemi të pavarur gjyqësor mbetet akoma njëra ndër sfidat më të mëdha për institucionet kosovare në drejtim të garantimit të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Republikës.
XS
SM
MD
LG